E merituara EGNATIA, tronditja e madhe e historisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2024 | 23:14

E merituara EGNATIA, tronditja e madhe e historisë

Nga BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

E kam fjalën për tronditjen e historisë së kampionateve të Shqipërisë dhe të futbollit në përgjithësi. Por pse jo, edhe të historisë të jetës shoqërore (sociale) të Shqipërisë. Sepse dihet, futbolli dhe sporti janë pjesë e fuqishme e jetës shoqërore (sociale) të një kombi. Edhe pse kjo s’ndihet fort në Shqipëri. Nuk ndihet për shkak të indiferencës së një qeverie apo shteti, që sportin e përmend vetëm kur luan Kombëtarja.

egnatia

Çka ka të bëjë edhe mangësitë kulturore (mos t’iu duket e rëndë) të kushedi sa e sa drejtuesve qeveritarë apo ministrorë të Shqipërisë. Kështu pra, Egnatia e Rrogozhinës, përfaqësuese e një qyteti me nja 10.000 banorë, aty pranë rrugës për në jug të vendit tonë, sapo kalon Kavajën futbollistike sot edhe pa stadium, kjo Rrogozhinë e vogël sapo ka fituar kampionatin kombëtar të futbollit të Republikës së Shqipërisë. Për herë të parë! Mbi të gjitha, duke e tronditur tejet historinë. Dhe duke mbërritur atë që simotra e saj, Kavaja, një ndër qytetet më futbollistikë të Shqipërisë, ndonëse ka 10 vite që nuk bën pjesë në kampionatin kombëtar, nuk e ka mbërritur kurrë një herë.

E vërteta është se edhe herë të tjera kur kanë fituar për herë të parë kampionatin kombëtar, edhe ato skuadra e kanë tronditur historinë. Por rasti i tyre assesi nuk ngjason me tronditjen e Egnatias së Rrogozhinës. Ka ngjarë kur vetëm pak muaj mbasi u themelua, në vitin 1947, Partizani i Ushtrisë Popullore fitoi titullin e kampionit.

Kështu ndodhi edhe mbas 3 viteve, në vitin 1950, kur vetëm pak javë mbas themelimit të saj, Dinamo e Ministrisë së Punëve të Brendshme nisi rrufeshëm rrugën e saj për të fituar për herë të parë kampionatin e Shqipërisë. Mandej, te e vona, në shekullin i ri, që është ky XXI, në vitin 2017 të tij, skuadra e Kukësit u shpall befasisht për herë të parë edhe ajo kampion i Shqipërisë, duke tronditur po historinë.

E megjithatë, s’mund të krahasohen këto tronditje me këtë të Rrogozhinës. Sepse si Partizani, ashtu dhe Dinamo të sapothemeluar, ia arritën titullit të shpejtë, duke rrëmbyer lojtarët më të mirë të klubeve të Shqipërisë, sidomos ata të të famshmëve Vllaznia e SK Tirana. Them se as rasti i Kukësit, ai e kuptoi fort mirë lirinë e ekonomisë së tregut edhe në futboll, ashtu si Partizani e Dinamo rrëmbeu lojtarë të të tjerëve, në të vërtetë “ i bleu”, por nuk u ngut për të tronditur historinë. Ai ndërtoi një skuadër e cila para se të vinte te viti 2017 i titullit, në tri kampionate rresht qe nënkampion i Shqipërisë, ndërsa një vit më parë ishte bërë fitues i Kupës.

Kësisoj, as ky rast nuk ngjason me këtë të Egnatias, e cila deri më sot kishte marrë pjesë vetëm në 3 kampionate të Shqipërisë. Por duke paralajmëruar në vitin 2023 me vendin e tretë në kampionat dhe me fitimin e bujshëm të Kupës së Shqipërisë. Dhe duke tronditur më tej me fitimin për herë të dytë rresht të kësaj Kupe edhe në këtë vit 2024! Duke u bërë së bashku me Dinamon, Partizanin e Vllazninë, një nga katër skuadrat shqiptare të cilat kanë fituar brenda të të njëjtit vit, edhe kampionatin, edhe Kupën.

Egnatia e Rrogozhinës nuk rrëmbeu titullarët e futbollit të Shqipërisë, si në rastin e dy të mëdhenjve të mësipërm. Ajo “kompozoi” një skuadër, duke mos u mbështetur në urdhra shtetërorë të një kohe, por duke u mbështetur, ashtu si dhe Kukësi, te liria që erdhi edhe në Shqipëri. Bleu lojtarë ku mundi, një pjesë dërrmuese madje, të huaj, jashtëkombas të Shqipërisë. Kështu u mbërrit te tronditja e madhe e historisë. E ka emrin “Egnatia e Rrogozhinës”.

Në rrugëtimin e saj drejt titullit ne shohim se nga 36 javë kampionat ajo ka kryesuar në plot 31 javë. Kjo na bën t’i kujtojmë Partizanit “finalist” që të mos mërzitet aspak që e ka humbur titullin. Dhe jo ngaqë ai ka kryesuar vetëm në 2 javë të kampionatit. Por ngaqë i duhet të mos harrojë, se ai erdhi në këtë “finale” thjesht për shkak të një skeme krejt të papranueshme të kampionatit, që para tij ia heq pikët e 36 javëve sidomos atij që ka kryesuar jo vetëm 2, por në plot 31 javë. Madje në javën 31, pra 5 javë pa përfunduar kampionati, ky Partizan ishte bukur 9 pikë mbrapa Egnatias.

Dhe në se në javën 36 papritmas u gjend i barabartë në pikë me të, por përsëri kampione do të ishte po Egnatia, e cila e kishte mposhtur me fitoren e saj eprore kundër tij. Mënjanimi i 9 pikëve epërsi s’ndodhi as për meritë të Partizanit dhe as për mosmeritë të Egnatias. Erdhi thjesht, për faj të kësaj skeme absurde të kampionatit. Skemë, që shkaktoi “indiferentizmin” e Egnatias në javët e fundit, ngaqë ajo ndihej me kohë e sigurtë për në katërshe. Egnatia “fali” deri 0-3 për Sportklub Tiranën, por me rreptësi ndali 1-0 Dinamon, sepse e kuptonte që dy apo tri skuadra kryeqytetase në katërshe, të cilët do të luanin në fushën e tyre po kryeqytetase, do t’ia vështirësonin punët.

Kështu që Partizani të mos mërzitet aspak, por të gëzohet për vendin e dytë, që përveç meritave të tij, përfitoi pikërisht edhe prej “meritës” së kësaj skeme krejtësisht të gabuar të “katër finalistëve”. Ndërkaq, ishte kjo skemë që e eliminoi Vllazninë nga vendi i 3-të, sepse ia rrëmbeu Skënderbeu, ai të cilin mbas kampionatit të rregullt 36 javësh skuadra shkodrane e kishte lënë plot 8 pikë mbrapa! Dhe Skënderbeu i cili zuri vendin e 3-të vetëm e vetëm sepse fitoi një ndeshje në Tiranë me shkodranët, edhe pse ishte 8 pikë larg tyre pas bukur 36 javëve kampionat. Kurrë më kështu!

U harroftë kjo skemë! I kthehemi Egnatias. Dhe më duhet të ritheksoj edhe në këtë shkrim, se askush nuk mund të mohojë meritat e mëdha të kësaj skuadre, ku pa harruar presidentin e saj Agim Demrozi, spikat trajneri i saj që në këtë profesion është një emër i ri: Edlir Tetova, pjesë e bukur e qytetit të Durrësit, skuadrës së Teutës. Të cilin në referendumin tim të përvitshëm e shpalla si “Trajnerin e Vitit”. Ai e drejtoi Egnatian duke ia arritur që ajo të zotërojë për 1 vit krejt kampionatin. Mandej ia detyruan t’i harronte plot 18 fitore e 63 pikë të kryesimit, duke ia zhdukur të gjitha pa mëshirë!

E detyruan të vinte në Tiranë për t’u përballur me Partizanin vendës. Egnatia përveshi mangët, nuk iu tremb syri dhe mbasi mënjanoi Vllazninë, shkoi te Partizani, të cilin e mposhti përmes një ndeshjeje të një stili të plotë europian. Kësisoj, Egnatia trime nuk u emocionua aspak nga ky favorizim i papamë në gjithë historinë 95-vjeçare të kampionatit të Shqipërisë.

Dhe me një futboll tipik europian, mbasi shënoi një gol spektakolar me Ibrahimoglun qysh në minutën e 35-të, e harroi skemën që nuk gjendet në asnjë vend të botës dhe këto 90 minuta të FSHF-së ajo interpretoi futbollin e kampiones së merituar. Gjithçka ishte në stilin e futbollit të saj të drejtuar nga trajneri Edlir Tetova nën tonin e një force harmonioze më të baraspeshuar se të gjithë skuadrat e tjera në të gjithë vijat taktike të saj. Në portë, në mbrojtje, në mesfushë e në sulm. Në 45 minutat e para ia mori frymën Partizanit përmes një futbolli thuajse të pagabueshëm. Ishin harmonia taktike, zotërimi i gjithë fushës, kalimet anësore dhe qendrore të topave, shpejtësia e manovrës, pa shumë gjuajtje vërtet, por duke pritur minutën 35- të të golit spektakolar të Ibrahimoglut, që tronditi kundërshtarin vendës.

Në 45 minutat e dyta, si të thuash, mbajti në duart e saj krejt peshoren e lojës. Për nja 20 minuta u kthye te një “catenaccio” italiane për të ruajtur plot siguri fitoren 1-0, e bashkë me te edhe titullin kampion i Shqipërisë 2024. Titull që e sigloi edhe arbitrimi i shkëlqyeshëm i anglezit Anthony Taylor. Natyrisht, Egnatia edhe mund të jetë çudi paksa kur në fund ky kampionat po i ngjasonte fort me Kupën e Shqipërisë, të cilën sapo e kishte fituar po me një finale në këtë rast të natyrshme kupe. Ndonëse ishte si një “Kampionat-Kupë” me një “finale” në Tiranë pra, përballë Partizanit vendas, në shumicë para tifozëve të tij. Duke u shkelur kështu “fair play” më i vjetër në krejt historinë e futbollit botëror, që thotë se ndeshjet kampionale luhen në fushën tënde e mandej në fushën time.

Ose në rastin “më të keq” në një fushë asnjanëse. Por “Final 4”, përcaktimi angloamerikan që nuk po pushonte së dëgjuari sidomos nga zëri i gazetarëve tejet entuziastë, gjithsesi të dukej si një eufori aureole, që mbërrinte përmes një lloj sigurie çka guxonte t’ia parashikonte fitoren e mundshme Partizanit, madje. Mirëpo, ja që Egnatia nuk pyeti as për këtë subjektivizëm “kryeqytetas”, jo aq të pranueshëm sidomos në gazetari. Ishte një lloj parashikimi naiv i gazetarisë televizive. Si për t’u treguar modernë për një organizim, me gjasë “amerikan” i kampionatit të Shqipërisë 2023-24 që me njëanshmërinë e tij “skematike” veç moderne ai nuk pati asgjë. Pati vetëm deformim të garës. Pa shkuar te tradita e konsoliduar prej dekadash për titullin kampion. Pati vetëm shuarje të arritjeve të një viti të tërë gare për hir të finales së njëanshme të kryeqytetit Tiranë.

Çka përveç të tjerave rrëzoi pa mëshirë parashikimin po naiv se numri i madh i spektatorëve do të sillte fitime “stratosferike” milionash. Nuk ndodhi dhe stadiumi ishte përgjysmë i mbushur deri edhe në finalen e finaleve, këtë Partizani-Egnatia të të famshmes shqiptare “Final 4”. Ndërsa për vendin e tretë stadiumi thuajse qe bosh. Një dështim i pafjalë! Në një lloj retorike, si të thuash realiste, nëse vërtet ka një të tillë, pata shkruar me kohë kështu:

“Përse Gjermania nuk e zhvillon kështu ‘shqiptarçe’ kampionatin e saj? Madje, përse as Anglia, as Italia, as Spanja, as Franca dhe as mbi 99 për qind e shteteve të Botës? Çka dreqin kemi që i ikim shumicës e shkojmë te pakica e pakicave? Don me shpikë Shqipëria e vogël? Me sa duket don ta bëjë ajo revolucionin botëror të futbollit, ndërsa ka një prej kampionateve kombëtare më të papeshë në botë!”… Askush nuk bëzani. Për fat “na shpëtoi” sfida e madhe e Egnatias. Ose tronditja madhe që e merituara Egnatia e Rrogozhinës, i shkaktoi historisë. Ajo e cila mbasi kishte kryesuar plot 31 javë të kampionatit, kryesimi rekord ky në historinë e të gjithë Kampionateve të Shqipërisë, flaku tej Vllazninë dhe mposhti Partizanin në qytetin e tij, para spektatorëve të tij. Aktorët që interpretuan dramën optimiste të Egnatias së Rrogozhinës së vogël që mban emrin e një rruge “moderne” të Europës antike, duke i vendosur jo sipas radhës së meritave apo numrit të ndeshjeve, nga portieri deri te sulmuesi i fundit, janë këta: Sherri, Dabjani, Duka, Fangaj, Malota, Rama, Ahmetaj, Fernando Medeiros, Spahiu, Zhoel, Gjata, Lubas, Dulys, Lemine, Ndreca, Xhemajli, Aleksi, Morina, Zejnullahi, Drame, Ibrahimoglu, Montenegro, Duamena. Asnjeri s’vjen prej Rrogozhinës. E këtu nis e sendërtohet tronditja e madhe e kësaj historie.

Këta djem vijnë e prej ku nuk vijnë! Vijnë nga Kavaja e Shijaku, nga Shkodra e Laçi, nga Tirana e Durrësi. Vijnë nga Kanadaja e Anglia, nga Brazili e Belgjika, nga Bregu i Fildishtë e Lituania, nga Haiti e Mauritania, nga Kosova e Maqedonia, nga Franca e Turqia. Por edhe nga Gana e dëshmorit të paharrueshëm të fushës së blertë, Rafael Duamena, i cili me talentin e tij të përmasave duhet konsideruar si kampioni i kampionëve të Egnatias.

Shqipëria ka kështu gjeografikisht një kampione sa kombëtare, po aq edhe ndëreuropiane e deri dhe ndërkontinentale. Urojeni fort dhe binduni se këtij kampionati që po e quaj të nivelit mesatar në Europë, Egnatia i blatoi një risi historike të rrallë për Shqipërinë. Në të vërtetë kjo është një histori e re. E cila për hir të mendimit më të drejtë ka ende shumë për ndryshuar, për t’u pasuruar, për t’u modernizuar. Në fund të fundit, për të qenë mbi të gjitha edhe më KOMBËTARE, me germa kapitale kjo, kur kujton se në finalen e së dielës që shkoi, patëm në fushë 14 lojtarë jo të tokës së futbollit të Republikës së Shqipërisë!… Po a vërtet e kemi sportin tonë më popullor, futbollin, në rrugë të sigurta për të mbërritur në një përparim kampional mirëfilli të rangut të Europës?…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"