Ligji i Sponsorizimit dhe harresa perfekte e palëve!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2024 | 11:25

Ligji i Sponsorizimit dhe harresa perfekte e palëve!

Hipotekimi “i gjoja” risjelljes në vëmendje të Ligjit për Sponsorizimin në Sport vazhdon të ruajë më shumë se sa të brishtë, deri në këputje, shtratin financiar mizërie të financave në sport.8Në çdo sport, por mbi të gjitha në futboll, aty ku pritet dhe lipset të jetë ndikimi më bazik dhe dhënia vërtet dorë e klubeve për të patur pak më shumë alternativa drejt zbutjes kaq vjeçare të zërit të tyre të shpenzimeve. Rasti i skuadrave shqiptare në Kupat e Europës, e jo vetëm këtë vit, riktheu sërish në vëmendje për atë pakicë që kërkon të vlerësojë realisht gjendjen, domosdoshmërinë akute për ta shtruar në rrugë procedurale draftin për Sponsorizimin. Para disa kohësh në një asamble futbolli (në mos gaboj), titullari përcolli faktin që kishte marrë garanci shteruese për të vënë në lëvizje një mekanizëm të tillë. Dhe ishte lajm vërtet i mirë. Shumë herë më i mirë, sesa një fazë finale Europiani, apo një medaljeje tranzitore, ende jo olimpike. Gjithmonë, sipas meje! Por, nuk duhej të mbeste me aq, e druaj që mbeti po aty ku dhe u tha! Nëse realisht skanon një vit financiar të klubeve, brenda konturit logjik, e jo termave makro e mikro që shpesh ngatërrojnë, shikon që nga nevoja, halli e rrethana, ka lëvizje të çuditshme financiare që më pas destinacionin final të kërkesës e kanë direkt në FSHF.

Klubet, përjashto fare pak prej tyre përpëliten sërish në një shtrat pamundësie, ose mospasje (termi skamje ka konotacion më të rëndë, por për disa edhe mund të konvenojë) për të ndërtuar një vit progresiv, apo për të mbështetur fjalën e madhe “PROJEKT”, që shpesh artikulohet nga emocionet e momentit të një të sapoardhuri në klub, e ku natyrisht bashkëjetesa do t’i zbulonte vërtetë diagnozën financiare. Klubet ende janë në një pellg, ku “pluskojnë” dufet e mospasjes financiare. Dhe prej vitesh nuk hidhet një kamerdare që të mund të rigjejnë realisht trarët e rimëkëmbjes. Zërat aktualë financiarë hyrës për ta (klubet) shpesh e thuajse çdo vit janë “peng” i çdo sezoni të pambyllur financiar, ku natyrisht një pjesë e mirë që nuk shtrëngojnë duart, nxitojnë të marrin në drejtësinë sportive atë që klubi nuk donte, apo nuk mundte t’ua realizonte. Një fabul sa e bukur, aq edhe ironike, por shumë domethënëse ekziston çdo qershor kur hidhet shorti për Kupat e Europës, ku ndër heshtje zyrtarët duan edhe short të mirë, por edhe short të… afërt, në gjeografi e distancë. Pse? Sërish janë kostot që rëndojnë. Po kështu edhe ekuacionet e tipit: t’i themi atij t’i kalojë një fond atij, që ai ta kalojë aty e më pas ta përcjellë për “serum”… sërish nuk prodhojnë një stabilitet sado të vogël financiar. Pavarësisht lëvizjeve të disa klubeve në lidhje me zërin aktiv të shitjes së lojtarëve, nga ku mund të zbusin pak dhimbjet e arkës për momentin, por i duhet të montojnë sërish ekipin, mungesa dhe pasiviteti për hapin emergjent të Ligjit për Sponsorizimin në Sport do të vazhdojë të prodhojë e prodhojë për vite e vite vetëm skema dhe ekuacione me kosto të trashëguara!

A e ka kërkuar FSHF, Ligjin e Sposorizimit në Sport? Po, por në rrafshin e prioriteteve duhet të kalojë domosdoshmërish disa shkallë më lart në klasifikim, për të mos thënë që duhet të jetë prioritet absolut i nxitjes. Natyrisht ligjet nuk i prodhon Asambleja e FSHF-së, as KE-ja, por vetëm një korridor i tillë aktiv dhe nxitës do të ishte një start serumi logjik me terma afatgjatë për klubet, në raport me biznesin dhe mbi të gjitha për klubet në raport me politikat e tyre financiare. Europiani ishte një gjë shumë e mirë, një sukses që nuk na ndodh të përjetojmë shpesh, por në raport me shumë shtete pjesëmarrëse në Europian, qasja financiare ka një kontratë të thellë të shtratit ligjor mbështetës për sportin, e në veçanti, me dhe për futbollin. Për teknikalitetet e draftit do të shkruajnë e duhet të shkruajnë pjesa e ekspertizës, mes opozitës së futbollit dhe shtetit që do tentojë përherë e më shumë të ketë gjithmonë një boshllëk sa më të vogël në buxhet. Ajo që shoh, është vetëm fakti që kjo nismë ligjore edhe në këtë sesion parlamentar nuk ngriti dot kokë.

Ose më saktë të kishte nisur të elaborohej në grupet e interesit, apo të bëhej pjesë e një diskursi publik me grupet e interesit. Ligji i Sponsorizimit do të ishte çatia e sigurtë e mbijetesës dhe rritjes ekonomike të klubeve të futbollit, apo akoma më tej edhe klubeve që mbajnë me thërrime bashkie sportistë individualë me premisë medaljet europiane apo botërore. Ligji i Sponsorizimit do të fiksonte një bazament ekzistence për klubet e futbollit për t’u rritur mes indicieve logjike të tregut dhe ndërtimit të kapilarëve të rregullt ekonomikë në klub, që më pas të merrte vërtetë vlerë fjala e madhe “PROJEKT!”

Përsa kohë nuk ka ngut, nuk ka nxitje, nuk ka formë apo nuk frymon asnjë lëvizje për të lëvizur mekanizmat e këtij drafti, atëherë barcaletat financiare të klubeve (më përjashtim të fare pak prej tyre) do të vijojnë të prodhojnë: debite të trashëguara, rrezik moslicencimi, likuiditet konstant të munguar dhe aspak korrektësi fiskale në raport me shtetin. Europiani i radhës për futbollin mbetet dhe duhet të jetë vetëm kalimi në Qeveri i Ligjit për Sponsorizimin, e më tej në Kuvend për dekretim. Vetëm FSHF-ja me autoritetin e saj në lidership mund ta nxisë këtë proces dhe njëherësh mund të heqë nga vetja siklete financiare, duke parë një sistem më të shëndoshë të klubeve të saj! Dikur ky pushtet lobues shtyu disa muaj kampionatin (për këtë dhe shumë arsye të tjera), ndërsa tashmë që kampionati është afruar me disa javë në start, na lipset të shtyjmë procesin unik të Ligjit të Sponsorizimit!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"