Opinion nga Neptun Bajko/ Manaj ishte i jashtëzakonshëm, kjo Kombëtare s’ka lider! Cilët ishin lojtarët që detyruan Modriçin të gabonte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2024 | 23:01

Opinion nga Neptun Bajko/ Manaj ishte i jashtëzakonshëm, kjo Kombëtare s’ka lider! Cilët ishin lojtarët që detyruan Modriçin të gabonte

Nga NEPTUN BAJKOMixCollage-20-Jun-2024-08-31-AM-3582Ky takim shumë i rëndësishëm nxori në pah disa vlera, të cilat ekipi kombëtar duhet t’i ketë bazë të ecurisë së mëtejshme. Dëshira për fitore, dhënia në maksimum e energjive dhe një përgatitje mjaft e mirë nga pikëpamja taktike, në ndryshim nga ndeshja kundër Italisë. Dua të theksoj se karakteri vlen më shumë sesa talenti. Këtë thënie që unë e përdor shpesh në momente të caktuara, e ka thënë akademiku i shquar Rexhep Qosja.

Në këtë aspekt, do të ndaloj dhe do të pasqyroj këtë vlerë dhe dinjitetin që i dha tifozëve shqiptarë kjo ndeshje. Një krenari që vetëm futbolli ta jep. Kur për këtë lojë jep gjithçka, të bën gjithmonë të paparashikueshëm. Ekipi bëri aq sa mundi, madje edhe më shumë sesa kaq. Futbollistët tanë bënë aq sa janë stërvitur, kanë mësuar dhe përparuar në klubet ku luajnë, por këtë e bënë me kujdes, me forcë, me personalitet dhe dëshirë për të sakrifikuar dhe për të dhënë gjithçka, shpesh herë edhe mbi veten për ekipin kombëtar. Kjo gjë, padyshim që i ka entuziazmuar së tepërmi tifozët tanë dhe të gjithë ata që e duan Kombëtaren në çdo cep të botës.

Kjo ndeshje i kishte të gjitha në këtë aspekt. Në tërësinë e vetë, ndeshja i realizoi pritshmëritë e sportdashësve. Ajo që mua më ra në sy në drejtim të vendosjes së ekipit, ishte që në këtë takim, në kundërshtim nga ai kundër Italisë, skuadra luajti në bllok, por gjithmonë në një distancë 30 metra nga zona e rreptësisë.

Pra, ishte një vendosje shumë e mirë, u aplikua me kujdes, gjë që detyroi Kroacinë të luante dhe të shfrytëzonte vetëm krosimet nga anësorja, por pa dalë në fundore. Pra, ia lehtësoi mbrojtjes sonë këtë mënyrë loje, që në fund të fundit nuk dha rezultat për kroatët. Futbolli dihet që është lojë e episodeve dhe në këtë takim ato ndoqën njëra-tjetrën. Por janë disa episode që mund të vendosnin dhe fatin e takimit, sikurse rasti i Gjasulës. Një rastësi e tillë ndodh në futboll, por ishte i njëjti lojtar, Gjasula, që me një inat të brendshëm, me një dëshirë të jashtëzakonshme për të shlyer sadopak atë incident me autogolin, u bë protagonist, i dha barazimin Shqipërisë dhe një vlerë të jashtëzakonshme kësaj ndeshjeje.

LOJTARËT E STOLIT

Një tjetër vlerë e këtij takimi ishte shfrytëzimi i lojtarëve të stolit, që padyshim nëse kanë jetuar me lojën, e kanë ndjekur me vëmendje nga aty ku qëndronin, kanë parë ku janë të mirat dhe të metat e saj dhe kur futen në fushë, ata e ngrenë nivelin e ekipit dhe japin rezultat pozitiv. Unë mendoj që në këtë aspekt lojtarët e stolit, qoftë Gjasula, Daku apo Hoxha, i cili i dha një impuls të jashtëzakonshëm ekipit në ato momente të vështira.

Futja e tyre në lojë ishte shumë pozitive, por gjithsesi unë mendoj se ndërrimet u bënë me pak vonesë. Ata mund të ishin aktivizuar më parë dhe mund të ndryshonte komplet loja. Në ndryshim nga ndeshja me Italinë, ekipi këtë herë mbuloi mjaft mirë si në zonë, ashtu edhe në markim personal, duke detyruar edhe Modriçin, të bënte gabime elementare nga presioni që i bënte lojtari ynë, sa ai kapte topin, duke mos e lejuar atij të krijonte gjerësinë dhe vertikalizimin e topit në drejtim të sulmuesve.

Kjo ishte një meritë e madhe e Ramadanit, Laçit dhe Asllanit. Ky i fundit më ka pëlqyer shumë, sepse u tregua agresiv, i vendosur dhe me një dëshirë të madhe, në ndryshim nga ndeshjet e tjera.

NDRYSHIMET NË FORMACION

Deri diku mendoja dy-tri ndryshime që mund të bëheshin. Më befasoi aktivizimi i Manajt në formacion, por gjithashtu i Laçit. Të them të drejtën, unë nuk i prisja, sepse mendoja që nga minuta e parë do të fillonte Broja në sulm dhe më pas trajneri mund të bënte ndonjë ndryshim gjatë lojës. Manaj dhe Laçi për mua ishin befasi. Vendimi i Silvinjos ishte shumë i drejtë, sepse Manaj e ka luajtur rolin në mënyrë të jashtëzakonshme.

Një lojtar që i dha një ndihmesë të madhe ekipit në veprimet sulmuese, duke qenë i vetëm dhe ai në zonën e kundërshtarit. Ai mbronte shumë mirë topin, nuk i lejonte mbrojtësit të dilnin në veprime sulmuese. Pra, ishte një zgjedhje e drejtë, ashtu si fuqizimi i mesfushës me Laçin, që është një lojtar vertikal. I tillë ishte dhe realizimi i golit me kokë prej tij dhe pasimi shumë i mirë i Asanit. Pastaj, me paraqitjen që Arbër Hoxha bëri, i hapi rrugë vetes.

Me aftësitë që tregoi, me mënyrën e lojës dhe sigurinë në veprimet tepër teknike dhe të shpejta, sidomos kur i drejtohej portës, konfirmoi se është një lojtar që do të ketë vlera shumë të mëdha për ekipin kombëtar në atë rol. Nuk diskutohet që është i ri, por që tani i hapi rrugë vetes të kërkoj më tepër.

MUNGESA E NJË LIDERI

Në këtë ndeshje rrezikuam të përmbyseshim si Italia dhe kjo ka disa arsye. Së pari, Kombëtarja nuk ka një lider të vërtetë, që jo vetëm me lojën e tij të jetë i tillë, por me reagimet, këshillimet, zgjimin e lojtarëve që bien në gjumë në momente të caktuara, duhet ta bëjë këtë rol shumë më mirë. E dyta është ndërhyrja nga stoli e trajnerëve dhe e stafit.

Pra, në një kohë kur shikon që ekipi po kalon këtë lloj krize, ata duhet të mendojnë diçka. Kemi parë edhe në ndeshje të tjera që shpesh herë lojtarë që ulen, bëjnë sikur vriten, që e vonojnë lojën! Këto janë truke për të ulur ritmin e kundërshtarit dhe qetësuar ekipin. Ndoshta, në këtë aspekt përvoja i mungon ende skuadrës.

ASANI QË MBRON DHE TALENTET

Nëse flasim për ndonjë lojtar që mund të më ketë zhgënjyer, nuk do të them gjë, sepse do të luhet dhe një ndeshje e fundit, kështu që nuk dua të ndikoj edhe për aspektin psikologjik. Sa i takon se cilët lojtarë më pëlqyen, së pari me Kroacinë ishte Manaj. Detyrën dhe rolin e tij e kreu në mënyrë të përsosur. Një lojtar me karakter dhe shumë trim, që nuk jepej para asnjërit prej kundërshtarëve, duke i vënë të gjithë ata në vështirësi me mbulimin e tij. Asani gjithashtu më pëlqeu, sepse përveç pasimit për gol te Laçi, më kënaqi në aspektin mbrojtës, që është e rrezikshme, sepse edhe ai mori 2-3 faulle rreth zonës.

Më ka pëlqyer në mënyrën se si ai mundohej të bënte aspektin mbrojtës, duke harxhuar shumë energji. Më pas, Gjimshiti, më pëlqeu në lojën e ajrit. Skuadra u tregua racionale dhe e zvogëloi rrezikshmërinë. Dhe mbi të gjithë, që nuk e di se ku do të arrijë ai lojtar, është Mitaj. Një lojtar kaq i ri, me një personalitet, mençuri, siguri dhe gjakftohtësi, me të cilën të vret.

Mitaj është një lojtar i jashtëzakonshëm. Do Zoti nuk dëmtohet ndonjëherë! Kemi disa talente që nuk duhen humbur dhe Broja është njëri prej tyre. Në këtë kuptim, edhe Broja ta kuptojë që duhet karakter, luftë dhe thjeshtësi. Broja ka filluar ta bëj këtë. Mua më ka pëlqyer, sepse po luan thjesht, po luan për ekipin. Nuk e di pse trajneri nuk e aktivizoi kundër Kroacisë, por gjithsesi mesa duket ka pasur probleme fizike.

SHANSET ME SPANJËN

Unë mendoj që ekipi duhet të tregojë vazhdimësi dhe kjo në kuptimin që pas ndeshjes me Kroacinë, i gjithë opinioni do t’i kërkojë që të luajë mirë. Të tregohet një skuadër me dinjitet dhe që ka vlera. Përballë do të jetë Spanja dhe lojën e tyre deri diku e njohin, e studiuan dhe e kanë parasysh. Se si do të jetë kundërvënia, unë këtë nuk mund ta them dot, sepse këtë e di Silvinjo.

Por, duhen dalluar karakteristikat e çdo ekipi dhe duhet njohur mirë. Me Italinë treguan mungesë profesionalizmi në aspektin e njohjes, duke menduar që i njohim, por nuk i njihnim mirë fare. Po kjo gjë duhet menduar edhe për Spanjën. Është tjetër stil loje e spanjollëve, tjetër e italianëve dhe tjetër e kroatëve. Këta të fundit deri diku na i lehtësonin ne gjërat, sepse luanin një futboll me shumë stacione, me qarkullim të topit dhe asnjëherë nuk kishin befasi.

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"