Ndeshja më e mirë, sulmi i së ardhmes të ndërtohet rreth Brojës dhe Hoxhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2024 | 20:21

Ndeshja më e mirë, sulmi i së ardhmes të ndërtohet rreth Brojës dhe Hoxhës

Nga NEPTUN BAJKOMixCollage-25-Jun-2024-08-26-AM-6815Ndeshja kundër Spanjës mendoj se ishte një nga më të mirat në të gjitha aspektet për ekipin tonë kombëtar gjatë këtij Europiani. Ky takim i kishte të gjitha, përveç fatit që na mungoi. Aspekti më pozitiv ishte që i detyroi tërësisht fuqitë e ekipeve me famë botërore, siç ishte Italia, Kroacia dhe Spanja, ta vlerësonin Shqipërinë, duke i detyruar të respektonin rritjen e ekipit tonë kombëtar në të gjitha aspektet e një futbolli modern.

Ky padyshim është një sukses i arritur me punë, me dituri dhe me një përgatitje të gjithanshme në të gjitha aspektet që kërkon loja e futbollit. Edhe në këtë takim të fundit, por që vendimtar për fatin e grupit, nuk kishte rëndësi të luaje për të fituar, pasi kjo dihej dhe është në adrenalinën e çdo lojtari, ekipi apo trajneri. Për mendimin tim, vlerësimin maksimal do ta jepja që ekipi luftoi në çdo minutë për t’ia arritur. Edhe ky aspekt është një sukses i ekipit tonë, që duhet çimentuar për të ardhmen në aktivitete të tjera të rëndësishme.

KUNDËRSHTARI DHE SI IU PËRGJIGJËM

Spanjollët aplikuan një futboll me një siguri të admirueshme. ata luajtën me qetësi dhe me bindje për të zbatuar ato detyra që ishin vendosur nga trajneri, por në të njëjtën kohë ata luajtën thjeshtë, sepse kishin aftësi të jashtëzakonshme për të ndërtuar një lojë të tillë. Spanjollët aplikuan lojën anësore me qëllim daljen në fundore, sepse një aplikim i tillë i lojës, pra arritja në fundore, jo vetëm prish rreshtimin në mbrojtje, por detyron edhe lojtarët që të vendosen dhe të veprojnë në kushte çekuilibrimi, deri aty sa kemi parë edhe autogola, pikërisht nga krijimi i vendosjeve jo të sakta të lojtarëve të mbrojtjes. Ky Europian i pasqyroi këto.

Një rëndësi të jashtëzakonshme në këto takime luajti padyshim faktori moral dhe psikologjik, i cili mesa po pasqyrohet në çdo takim, ka marrë një rëndësi të jashtëzakonshme. Ngarkesa e madhe, presioni në rritje, përgjegjësia që ndihet në çdo moment, kërkon një vëmendje dhe përgatitje speciale. Kundër Spanjës ekipi kombëtar pasqyroi vlera edhe në këtë aspekt. Pa dyshim që ka skuadra, siç ishte takimi me spanjollët, që as fati nuk të ndihmon të ndryshosh rrjedhën e lojës, sepse ekipi me anë të Brojës, Hoxhës dhe Asllanit, tregoi në 10 minutat e fundit që mund të ndryshonin çdo gjë, por fati nuk ishte me ne në këtë takim.

ME BROJËN DHE HOXHËN, SULMI I SË ARDHMES

Unë dua të veçoj disa lojtarë që u dalluan në të gjitha aspektet e ndeshjes. Së pari do të veçoja Ajetin në mbrojtje. Një lojtar i vëmendshëm që mbylli 2-3 hapësira të rrezikshme. Do të veçoja Ramadanin dhe Asllanin. Ramadani është një lojtarë që nuk bie shumë në sy, por ai është vendimtar, si në pozicionin që ka, po ashtu edhe në veprimet e skuadrës kur duam të mbrohemi dhe të sulmojmë. Është i palodhur! Ndërsa Asllani tregoi një rritje të dukshme, me një vetëbesim, me një shikim periferik të admirueshëm që pak lojtarë e kanë dhe është një forcë e rëndësishme në organizmin e lojës.

Për aq sa luajtën pa dyshim që fjalë të mira duhen thënë për Brojën dhe Hoxhën, lojtarë me të dhëna të mira, shumë të rëndësishëm për Kombëtaren, me të cilët mund të ndërtohet e ardhmja e veprimeve sulmuese në ekip. Po kështu fjalë të mira duhen thënë edhe për Strakoshën, i cili ishte i vëmendshëm, i sigurt dhe e orientonte drejt ekipin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"