Pa trajner, Tirana shpërthen në gola. Tris ndaj Shkumbinit pas 10 muajsh
TIRANA – SHKUMBINI 3-0
GOLAT: Morina 27′, 90′, Çota 89′
TIRANA: I.Lika, Taku, Pisha, Dushku, Ahmataj, Muçollari, Karabeci (Sina 54′), K.Duro (Limani 73′), G.Lika, Peposhi (Çota 46′), Morina. Trajner: A.Tafaji
SHKUMBINI: Kotorri, Kaçuli, Ramazani, Devolli, Pashja, E.Magani (A. Magani 70′), Mustafaj, Lluca (Sulkja 46′), Gava, Gjata (Isaj 57′), Dervishi. Trajner: G.Magani
KARTONË TË VERDHË: Dushku 41′, Pisha 63’/ Gjata 18′, Mustafaj 63′
VËZHGUES: Hiqmet Kuka (Tiranë)
DELEGAT: Ilir Shulku (Tiranë)
GJYQTARET: D.Jubica, D.Salaj, M.Qeseri (Shkodër)MINUTAT
8′ Peposhi kroson në zonë për Duron, i cili tenton me kokë, por nuk gjen dot portën.
27′ Rrëmujë në zonën mike, Peposhi kthen një top prej të cilit përfiton mrekullisht mirë Morina. Sulmuesi gjuan dhe 1-0.
29′ Peposhi i jep një top Duros, mesfushori godet në distancë, por nuk ia del.
47′ Duro kroson nga e djathta për Peposhin, i cili provon me kokë, por topi përfundon në duart e Kotorrit.
48′ Çota-Morina-Lika merren vesh mirë, shkodrani gjuan fuqishëm, por Kotorri grushton.
50′ Gava rrezikon në distancë, por topi shkon shumë mbi tra.
53′ Mustafaji gjuan fort, por I.Lika edhe në ato pak raste që u rrezikua, ishte i pakalueshëm.
69′ G.Lika merr bukur krahun, i drejtohet portës, por Kotorri neutralizon aksionin.
74′ Pasiguri në mbrojtjen vendëse. Dervishi kërkon të përfitojë, por I.Lika pret.
86′ Rast për Limanin, por topi përfundon shumë pranë portës.
88′ G.Lika nuk gjen dot kuadratin, ndonëse rasti ishte i artë.
89′ Një top i kthyer në mesfushë nga Sina, pasohet te Çota dhe ky i fundit, pasi parakalon Devollin, mashtron bukur edhe Kotorrin, 2-0.
90′ G.Lika kroson për Morinën, i cili, edhe pse në një kënd jo fort të favorshëm, e çon topin në rrjetë dhe 3-0.
Tirana merr një tjetër fitore, ndonëse vazhdon të jetë pa trajner. Pa Rubion në stol, por një ekip që të bindë me golat e tij, teksa dje në “Selman Stërmasi” mposhti me shifrat 3-0 Shkumbinin mik. U duk se me peqinasit, të cilët ishin përgatitur për të marrë minimalisht një barazim, nuk do ta kishte fort të lehtë. Mirëpo, minutat e fundit dëshmuan një ekip me shumë karakter dhe tepër sulmues. Pas golit në pjesën e parë, përpos rasteve, kryeqytetasit nuk gjenin dot rrjetën dhe kjo krijoi shqetësim. Megjithëse, kur erdhi fundi, konkretisht në të 89-ën dhe 90-ën minutë skuadra shpërtheu. Dopieta e Morinës dhe goli i Çotës u kanë dhënë një trepikësh kryesues bardhebluve. Tashmë janë të dytët, me një gol më pak se Skënderbeu. Te Tirana e thonë “troç” që ky është një sukses, që tregon hapur se vlerat e saj qëndrojnë te grupi dhe jo te pankina. Pas shumë muajsh skuadra gjen tri herë rrjetën, gjë që nuk ka ndodhur prej muajit prill. Tashmë besojnë te titulli, ndonëse rruga drejt atij trofeu është tepër e gjatë dhe me shumë pengesa. Megjithatë, para se të nisin këtë mision, klubi bardheblu ka dhënë fjalën që do të gjejë zëvendësuesin e Hulian Rubios, madje duke filluar nga dita e sotme.
Pjesa e parë Në fushë u hodh një Tiranë e cunguar, kjo për shkak të dëmtimeve, por edhe problemeve me kartonët. Që në minutat e para bardheblutë nuk po gjenin dot veten, në një kohë që Shkumbini u mundua që t’ia vështirësonte punën, sidomos në mbrojtje. Raste të shumta, të ndërmarra përgjithësisht nga Duro dhe Peposhi, por goli nuk vinte. Mirëpo, falë një rrëmuje të krijuar në zonën mike, kryeqytetasit përfituan. Peposhi kthen një top, prej të cilit përfiton mrekullisht mirë Morina. Sulmuesi, i ndodhur shumë pranë portës, gjuan dhe 1- 0. Minutat kalojnë dhe ekipi i drejtuar aktualisht nga Tafaji duket qartë se po vuante dhe ishte i kontraktuar. Peqinasit rrezikojnë rrallë dhe në ato pak raste nga distanca, pasi e kishin të vështirë që të çanin mbrojtjen e kryeqytetasve. Megjithatë, pjesa e parë dërgon Tiranën më të qetë në dhomat e zhveshjes dhe Shkumbinin me nerva të shtendosura.
Pjesa e dytë Pjesa e dytë nis me të njëjtin ritëm si e para, por me lëvizje në formacion. Vendin e Peposhit e zë Çota, i cili i dha tjetër frymëmarrje skuadrës, ndonëse i dëmtuar. Ky fraksion në fundin e tij rezervoi shumë emocione, por edhe nerva loje. Teksa në minutën e 63, Pisha përplaset me Mustafajin, pas një goditjeje që i shkaktoi peqinasi. Megjithatë, gjithçka mbeti në fushë dhe loja vijoi normalisht. Tirana shtoi presionin, teksa G.Lika, Çota, por edhe Limani tentuan radhazi që t’i dyfishonin shifrat, por ky dukej si mision i pamundur. Duhet të vinte e 89-ta minutë që sulmi bardheblu të gjente veten. Gjithçka nis me Mirel Çotën, i cili realizon një gol të mrekullueshëm. Një top i kthyer në mesfushë nga Sina, pasohet te sulmuesi, dhe ky i fundit pasi parakalon jo me pak vështirësi Devollin, mashtron bukur Kotorrin, gjuan dhe topi përfundon në portë, 2-0.
MË I MIRI
Sulmi ishte reparti më frytdhënës për Tiranën. Çota dhe Morina bindën, duke bërë atë që kërkohej prej kohësh: të shënonin në të njëjtën ndeshje. Që të dy sulmuesit bënë një paraqitje të mirë, ndonëse sulmuesi librazhdas vinte nga një dëmtim në sy. Por, nuk mund të hidhet poshtë as merita e mbrojtjes, e cila bëri që Shkumbini në ato pak raste të tentonte nga distanca.MË PAK AKTIVI
Kjo humbje dhe tre golat e pësuar erdhën si pasojë e disa gabimeve foshnjarake nga krahët e mbrojtjes, por edhe mesfushës. Arvist Gjata zhgënjeu përballë ishekipit, ndërsa ai që e kritikoi më shumë ishte pikërisht trajneri Magani. Pas nuk mbetet as Lluca, i cili, në 45 minutat e para që u aktivizua në fushë, ishte hije e vetvetes, ndaj edhe u zëvendësua.
Tafaji jep sinjale për stolin
Ka marrë drejtimin e Tiranës deri në emërimin e trajnerit të ri, megjithatë Alban Tafaji e thotë hapur se nëse i kërkohet që të vazhdojë në këtë rol, nuk do të refuzonte kurrsesi. Ka provuar zyrën, po edhe pankinën, por nga deklarata e djeshme u kuptua qartë se këtë të dytën e ka më shumë për zemër. “I kam provuar të dyja, por trajningu të dhuron emocione. S’është hera e parë që drejtoj ekipin, por nëse më ofrohet të qëndroj do ta mirëprisja”, – këto ishin fjalët e Tafajit, drejtor teknik i Tiranës, i cili së fundmi po drejton ekipin. Edhe pse i kënaqur nga pikët e plota, nuk i kursen kritikat në drejtim. “Më duhet të them se nga loja jam shumë i pakënaqur, pasi lojtarët nuk treguan asgjë nga forma e tyre në fushë. Po të shohim rezultatin e ndeshjes, ai u arrit vetëm në fund dhe kjo nuk na jep garanci, pasi kundërshtari mund të kishte reaguar e të na ndëshkonte. Sulmi po bind, dhe këto janë sinjale pozitive. Lojtarët e mi i kanë pasur këmbët shumë të rënda, mezi lëviznin në fushë. Ndoshta e kanë nga përgatitja fizike e këtyre ditëve, sepse unë vetëm një javë kam që ndodhem në krye të ekipit. Sidoqoftë, në ditët në vijim do të dalë edhe shkaku. Në këtë sfidë ishim të kushtëzuar edhe nga mungesat, por në ndeshjet në vijim skuadra do të jetë e plotë”.
Trajneri Një nga çështjet më të nxehta te Tirana në këtë periudhë është edhe trajneri i ri. Pas largimit të spanjollit Hulian Rubio, drejtuesit kryeqytetas nuk kanë arritur ta gjejnë ende zëvendësuesin e tij. Aktualisht janë duke u shqyrtuar disa emra, të cilët mund të ulen në pankinën e Tiranës, skuadër e cila sezonin e ardhshëm objektiv kryesor ka fitimin e titullit kampion. “Janë duke u diskutuar disa emra, por deri në këto momente nuk kemi vendosur akoma. Emri i trajnerit do të bëhet publik javën e ardhshme dhe alternativat janë ato të përmendura në media. Lonçareviç është një ndër emrat e diskutuar. Ai e njeh mirë ambientin bardheblu, pasi e ka drejtuar edhe më parë këtë skuadër. Plus që në këto momente një trajneri i tillë nevojitet shumë. Në rast se marrim një trajner, i cili nuk e njeh ambientin, atëherë ai nuk do të ketë asnjë përgjegjësi për rezultatet që skuadra do të marrë në katër ndeshjet pasardhëse dhe do të justifikohet duke thënë se nuk e njihte grupin”, -përfundoi Tafaji.
Magani, i irrituar me ekipin: Sulmuesit janë në krizë
Është parë i xhindosur në përfundim të ndeshjes, dhe këtë e ka shprehur edhe për mediat. Flasim për trajnerin Gugash Magani, i cili ka mbetur i pakënaqur nga loja në kompleks. Ai është i vetëdijshëm se të të mposhtë Tirana nuk është turp, por jo ashtu si ndodhi. Një humbje të tillë nuk e pat menduar kurrë, ndaj shpreson që ekipi të reflektojë dhe në vazhdim të luajë futboll në fushë. Sulmi e ka shqetësuar më shumë se çdo repart tjetër. Madje shpjegon se po të mos kishin qendrën e mbrojtjes të fortë, do të kishin pësuar shumë më shumë. “Mendoj që një skuadër e një niveli superior nuk duhet të degradohet në këtë farë feje në fushë dhe të pësojë tre gola. Po të mos kishim qendrën e mbrojtjes të fortë, do ishim ndëshkuar edhe më. Kishim mundësi të barazonim, pas 1-0. Por në vazhdim do mundohemi që të mos jemi thjesht një ekip fushe, por të bindim. Nuk është turp të të mposht Tirana. Nuk mund të them që jam i kënaqur, madje jam i zhgënjyer. Sa u përket të rinjve, duhet të kenë të qartë se fanella fitohet, nuk dhurohet. Ata duhet të marrin shembull nga lojtarët me eksperiencë, të cilët japin shpirtin në fushë. Me gjithë ngërçin ekonomik që po vuan skuadra jonë, kur një futbollist hyn në fushë nuk duhet të mendojë për problemet, por të luajë. Ne nuk po dalim dot te goli. Në dy javët e zhvilluara nuk kemi shënuar ende. Sulmi dhe gjithë ofensiva është në krizë”, – tha duke përfunduar Magani, i cili e ka marrë pak muaj më parë drejtimin e skuadrës bardhekaltër.
Paolo Tramexani ndjek bardheblutë në stadium
Është lakuar si një nga emrat e mundshëm që mund të marrë drejtimin e Tiranës, mirëpo ende nuk ka pasur asnjë lëvizje konkrete. Flasim për zëvendësin e De Biazit, Paolo Tramexani, i cili ka qenë i pranishëm në stadium për të parë Tiranën. Vizita e tij mund të jetë kortezie, ose diçka më tepër. Por një gjë është e qartë, se ndeshja e Kombëtares është në prag, ndaj kjo mund të konsiderohet edhe si një detyrë. Në fakt, burime pranë drejtuesve bëjnë me dije se me të nuk kanë ndonjë tratativë konkrete. Thjesht ai është një ndër emrat e lakuar për stolin.
“U riktheva, kjo dopietë për të gjithë skeptikët”
Ka realizuar një dygolësh me shumë vlera, dhe për këtë është më shumë se i lumtur. Ndihet i ringjallur, teksa pas një shkëputjeje gjen sërish rrjetën. Pas kësaj dopiete, ai premton shumë gola të tjerë. I pyetur nga “Panorama Sport”, ai shprehet: “Jam i lumtur, pasi ky dygolësh erdhi atëherë kur e doja. Mendoj se ky do të jetë vetëm fillimi për mua. Mirëpo veç golave, jam i lumtur që fituam dhe tashmë jemi kryesues, bashkë me Skënderbeun. Mendoj se ky trepikësh ishte për të gjithë skeptikët, për ata që menduan se Tirana thyhet pa trajner. Po ja që ne dëshmuam se dimë të triumfojmë bindshëm edhe pa një trajner, madje kishim kohë pa fituar me tre gola të pastër. Mendoj se rezultatet flasin vetë. Gjithsesi, ky është vetëm fillimi, pasi ndeshjet në vazhdim janë tepër të vështira”, – përfundon sulmuesi.
Gol “i çmendur”, Çota: Ky është vetëm fillimi
Luajti vetëm 45 minuta, e kjo si rrjedhojë e dëmtimit që pësoi në Berat. Mirëpo edhe pse me tetë të qepura në vetull, ai sërish u aktivizua dhe shënoi. Dhe nuk realizoi ndonjë gol dosido, por një gol të mrekullueshëm. I pyetur nga gazeta, lojtari është shprehur i lumtur për këtë gol dhe shpreson që të mos jetë i fundit. “Ndihem në formë edhe pas dëmtimit dhe ajo që më lumturon më shumë është që skuadra fitoi bindshëm dhe, pa dyshim, që shënova. Ishte një gol që as vetë s’e besova që do realizohej. Përfitova siç duhet nga një gabim i miqve dhe më pas parakalova një mbrojtës e portierin. Ajo që mua më bind është që sulmi funksionon. Si unë edhe Morina shënuam dhe ky është tregues pozitiv për të ardhmen, duke qenë se Tirana ka vuajtur në këtë drejtim”, – nënvizoi sulmuesi, i cili dje shënoi golin e parë të sezonit.
Disfata, nervozizëm jo vetëm në fushën e lojës
Gjithçka nisi me një përplasje mes Pishës dhe Mustafajit, mirëpo kjo u mbyll aty për aty. Megjithëse duket se humbja e pësuar me shifrat e thella 3-0, u shoqërua në dhomat e zhveshjes të ekipit bardhekaltër me tension. Kritika të ashpra të trajnerit Gugash Magani ndaj futbollistëve të tij, ndonëse nga ajo që u pa ai u kap në mënyrë të veçantë me Gjatën. U duk qartë që kjo disfatë e ka lëkundur ambientin e Shkumbinit, që ishin përgatitur hapur për të marrë minimalisht një pikë. Gjë që nuk ndodhi, madje u thyen bindshëm. Madje, ajo që habiti ishte që pjesëtarë të stafit teknik, pasi trajneri mbylli deklaratën me median, pyetën se mos ndoshta Magani ka dhënë dorëheqje. Kjo pyetje e drejtpërdrejtë e stafit teknik peqinas reflektoi qartazi se tekniku nuk i ka kursyer nervat ndaj të tijve pas ndeshjes.
Lonçareviç i mban pezull: E zgjidhim brenda javës
Tirana vazhdon të jetë pa trajner, madje ende nuk dihet se kush do ta zërë këtë post të mbetur vakant. Administratori Salih Tagani, i cili ishte i lumtur pas fitores, u shpreh se çështja e pankinës do të zgjidhet brenda javës. “Nëse Lonçareviç nuk vjen për të folur, do detyrohemi të shkojmë në Kroaci. Megjithatë uroj të vijë vetë ai”, – tha kreu i klubit për kroatin. Më tej, ai shpjegon se për trajnerin e ri nuk do të ketë probleme kontraktuale, pasi edhe me Rubion nuk ishte e tillë. “Me kontratën e trajnerit të ri nuk do të kemi probleme, dhe kjo është e qartë, pasi nuk kemi vendosur ndonjë klauzolë të pamundur. Edhe me Rubion ishte pikërisht çështja e titullit që na krijoi shkëputjen. Por duket qartë se në Vlorë shkoi edhe për paratë”. I pyetur në fund për prezencën e Paolo Tramexanit në tribunë dhe faktin që ata folën për disa minuta, Tagani nuk dha ndonjë përgjigje të drejtpërdrejtë. Shprehimisht tha: “Nuk e di, ndoshta ka ardhur të shohë ndonjë lojtar. Këtë nuk e ka të ndaluar”.
Bardheblutë, 10 muaj pa shënuar 3 gola në kampionat
Tirana fitonte, por jo me shumë gola. Është e çuditshme të mendosh që bardheblutë arrijnë të shënojnë tre gola në kampionat pas plot 10 muajsh. Hera e fundit që kryeqytetasit realizuan kaq gola në Superiore, ka ndodhur më 23 tetor të vitit 2011, kur mundën me rezultatin 3-2 Bylisin. Në ndeshjet e tjera, ekipi që drejtohej nga Rubio, nuk ka mundur të shënojë dot më shumë se dy gola për takim. Ndërkohë, në Kupën e Shqipërisë, Tirana arriti të bënte tre gola në ndeshjen kundër Flamurtarit, të datës 4 prill 2012, pikërisht me fitoren 3-0 në Vlorë. Duket se largimi i teknikut spanjoll u ka dhënë më shumë lirshmëri dhe guxim në repartin e avancuar bardhebluve, edhe pse për hir të vërtetës, Shkumbini ishte në një formë të dobët në ndeshjen e djeshme.
ADELA MERKO