Pagoi me vonesë borxhin ndaj Toni Pezos, FIFA i heq 3 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2016 | 13:22

Pagoi me vonesë borxhin ndaj Toni Pezos, FIFA i heq 3 pikë

Një histori e paralajmëruar, por që nga dje i ka kushtuar zbritjen e tri pikëve Flamurtarit. Zyrtarisht, FIFA ka penalizuar klubin vlonjat me -3 pikë nga klasifikimi i Kategorisë Superiore prej gjyqit të humbur me ish-mesfushorin Toni Pezo.

lojtaret e flamurtarit duke festuar Më 21 dhjetor të vitit të kaluar, institucioni më i lartë i futbollit botëror kishte dërguar një shkresë, teksa Flamurtari vihej në dijeni për shtatë ditë kohë për pagesën ndaj kroatit Pezo.

Drejtuesit e Flamurtarit kanë zgjedhur pikërisht ditën e fundit (28 dhjetor) të afatit për të shlyer borxhin prej 17.500 eurosh. Mirëpo, FIFA nuk e ka njohur këtë pagesë dhe ka ekzekutuar vendimin, duke njoftuar fillimisht FSHF-në dhe më pas klubin.

Gjithçka është bërë dje zyrtare, por “Panorama Sport” zbulon se në institucionin e futbollit shqiptar shkresa ka ardhur të premten, ndërsa klubi vlonjat është njoftuar vetëm të shtunën për vendimin. Kësisoj, pas tre paralajmërimeve nga FIFA për borxhin 17.500 euro, klubi penalizohet.

Pas këtij vendimi, nga vendi i shtatë me 16 pikë, Flamurtari zbret në vendin e tetë me 13 pikë. Po kaq pikë ka edhe Bylisi i vendit të nëntë, por vlonjatët pozicionohen më lart, pasi në duelet direkte me Bylisin janë superiorë (1 fitore dhe 1 barazim).

Njoftimi – Dje, në faqen zyrtare të klubit vlonjat në rrjetin social “Facebook”, në lidhje me vendimin e FIFA-s, citohej: “Me njoftim të datës 16 janar 2016, shkresë nr.210 të ardhur nga FSHF, në zbatim të vendimit të FIFA-s lidhur me çështjen e lojtarit Toni Pezo kundër Flamurtarit, FSHF është e detyruar të ekzekutojë këtë vendim, duke i hequr Flamurtarit 3 (tre) pikë nga renditja për sezonin 2015- 2016.

Megjithëse borxhi i vjetër i akumuluar për vitet 2010- 2012 prej 17.500 eurosh për Toni Pezon, në kohën kur Flamurtari administrohej nga bashkia Vlorë, është marrë përsipër dhe është ekzekutuar pagesa më 28 dhjetor 2015 nga administrata aktuale, vendimi i FIFA-së është i formës së prerë. Vazhdojmë të vuajmë pasojat e këtij keqmenaxhimi”.

Ultimatumet – Flamurtari ka te “dera” të tjera dosje kërcënuese prej borxheve. Më të rrezikshmet janë ato të ishmbrojtësit Bllazho Rajoviç dhe ish-sulmuesit Aleksandër Bajevski.

Të dy kanë fituar gjyqet në FIFA, teksa klubi i detyrohet 18.200 euro malazezit Rajoviç, ndërsa një shumë prej 47.800 eurosh duhet paguar për llogari të maqedonasit Bajevski, ndaj të cilit nuk është respektuar kontrata në sezonin 2010- 2011. Kësisoj, kuqezinjtë rrezikojnë sërish të penalizohen nëse klubi nuk përshpejton procedurat për pagesat e kë- tyre dy ish-lojtarëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"