Paralajmërimi i legjendës Rivaldo: Niko Uilliams nuk i mjafton Barçës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2024 | 14:47

Paralajmërimi i legjendës Rivaldo: Niko Uilliams nuk i mjafton Barçës

Reali i Madridit i ka dhënë një tjetër goditje të fortë Barcelonës në fushën e merkatos. Pak ditë më parë klubi i drejtuar nga Florentino Perez ka prezantuar në një ceremoni madhështore sulmuesin Kilië Mbape.

jamal uilliams

Ndërkohë që Barça mund të mburret me Lamine Jamal dhe atë çfarë dhuroi ai në “Euro 2024” me Spanjën, prezantimi i Mbapesë natyrisht që ka pasur efektin e vet edhe në Barcelonë. Në kundërpërgjigje të lëvizjes së Perezit, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ka thurur një plan për të firmosur me yllin tjetër të kombëtares spanjolle, Niko Uilliams.

Laporta e di fare mirë se për ta afruar lojtarin e Bilbaos duhet të paguajë 58 milionë euro në arkat e këtij klubi, që është dhe klauzola e largimit të tij. Tifozët katalanas janë gati ta presin krahëhapur Niko Uilliamsin, por një legjendë e klubit si Rivaldo ka paralajmëruar se as mbërritja e tij nuk mund të ndihmojë Barcelonën në përpjekjet e saj për të rivalizuar me Realin e Madridit.

“Unë e kam thënë se Niko Uilliams është një lojtar i shkëlqyer dhe që përshtatet fare mirë me filozofinë e Barcelonës. Do të isha shumë i kënaqur ta shihja atë me fanellën e Barcelonës. Por nga ana tjetër mendoj se Niko Uilliams nuk i mjafton Barcelonës për të rivalizuar Realin e Madridit. Barcelonës i duhen të tjera gjëra për të ngushtuar diferencën me Madridin”, deklaroi Rivaldo.

Ndërkaq, nga ana tjetër mediat spanjolle kanë bërë me dije se klubi katalanas po shpreson të sigurojë një tjetër hua, prej 100 milionë eurosh që do t’i jepnin mundësinë të paguante klauzolën e Niko Uilliamsit me Atletik Bilbaon dhe transferimin e tij te katalanasit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"