Paraqitje e dobët nga Shqipëria/ Veljko Stojniç, fituesi i Rrethit të 81-të Çiklistik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2024 | 11:30

Paraqitje e dobët nga Shqipëria/ Veljko Stojniç, fituesi i Rrethit të 81-të Çiklistik

Rrethi i 81-të Çiklistik i Shqipërisë ka ulur dje zyrtarisht siparin me etapën e pestë dhe të fundit, Vlorë-Lushnjë-Fier, ndërsa ka kurorëzuar edhe kampionin e këtij edicioni.WhatsApp Image 2024-05-25 at 11.25.51

Triumfi ka shkuar për Veljko Stojniç të kombëtares serbe, i cili regjistroi kohën më të mirë totale në të pesta etapat, duke i përshkruar 696.9 kilometrat e turit në kohën e përgjithshme 17 orë, 58 minuta dhe 38 sekonda.

Veljko e bëri diferencën në etapën e katërt, Vlorë-Mali i Çikës, një malore e cila e “ndau shapin nga sheqeri”. Çiklisti serb e certifikoi suksesin në etapën e djeshme, e cila ishte një formalitet, duke parë edhe terrenin fushor të garës. Për kronikë, fituesi i etapës së pestë Vlorë-Lushnjë-Fier (118.79 km), ishte britaniku Freddie Grover i skuadrës SchilsDoltcini, i cili regjistroi kohën 2:40:36, duke triumfuar në sprintin final që pa të mbërrinin në finish në qytetin e Fierit një grup prej 32 çiklistësh. Ne fund u mbajt edhe ceremonia, me Federatën Shqiptare të Çiklizmit që nderoi më të mirët e kompeticionit. Kështu fanella e verdhë e fituesit shkoi për serbin Veljko Stojniç, i cili e meritoi suksesin. 25-vjeçari u shfaq shumë i gëzuar për këtë arritje, teksa e komentoi kështu triumfin në tokën shqiptare:

“Kam bërë garë të mirë në një kompeticion ku kishte skuadra shumë të forta. Jam shumë i kënaqur me paraqitjen në Turin e Shqipërisë dhe njëkohësisht i lumtur që ia dola të fitoj. I njihja të pesta etapat dhe isha i përgatitur për këtë tur. Dhashë gjithçka nga vetja në etapën e katërt, që ishte edhe gara më e rëndësishme. Jam vërtetë i kënaqur që ia dola të fitoj”, deklaroi Stojniç. Për sa i përket vlerësimeve të tjera individuale, një tjetër serb, Dorde Duriç, mori fanellën e jeshile si sportisti me më shumë pikë i aktivitetit. Çmimin e maloristit më të mirë (fanella me pika) e meritoi greku Nikolas Zeglis i skuadrës Ioanninon, ndërsa i riu më i mirë i Rrethit të 81- të Çiklistik u shpall holandezi Niels Reemeijer i skuadrës Wielerploeg Groot Amsterdam, i cili mori fanellën e bardhë. Për sa i përket klasifikimit ekipor, triumfi shkoi për Serbinë, e cila ishte edhe favoritja kryesore e këtij aktiviteti.

ZHGËNJIM KUQEZI – Paraqitje e dobët e Shqipërisë në Rrethit e 81-të Çiklistik, teksa kuqezinjtë s’mundën që të linin gjurmë, duke mos fituar asnjë etapë. Pozicionimin më të lartë në Kombëtaren shqiptare e shënoi Lukas Sulaj Kloppenborg, i renditur në vend të 13- të me diferencë +14:25 nga kreu. Ndërkohë, për sa i përket renditjes ekipore Shqipëria e mbylli aktivitetin në vend të shtatë mes dhjetë skuadrave, me diferencë +46:36 nga Serbia e vendit të parë. Kështu Rrethi i 81-të Çiklistik ka ulur zyrtarisht siparin, një event që dhuroi gara interesante, por edhe incidente siç ishte ai rrëzim i frikshëm tre sportistëve në aksin Kuç-Qeparo në etapën e katërt, me dy bullgarë dhe një holandez që përfunduan në spital me fraktura. Kujtojmë se prej disa vitesh ky kompeticion është pjesë e kalendarit të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI).FRTHILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"