“Paris 2024″/ Mundja ruse bojkoton Olimpiadën, rriten shanset e Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2024 | 11:20

“Paris 2024″/ Mundja ruse bojkoton Olimpiadën, rriten shanset e Shqipërisë

Federata Ruse e Mundjes ka njoftuar se sportistët e autorizuar për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike (si neutralë) e kanë refuzuar unanimisht konkurrimin në “Paris 2024”, duke e quajtur evenimentin më madhor sportiv “parodi”.

2024-03-08-Paris

“Ne nuk e pranojmë parimin josportiv të përzgjedhjes në të cilin IOC u mbështet në krijimin e listës së saj të sportistëve të autorizuar dhe qëllimi i të cilit është të minojë unitetin e ekipit tonë”, thuhet në deklaratën e federatës.

“Mundësit rusë ishin në gjendje të merrnin 16 nga 18 kualifikimet e mundshme olimpike në kushtet e kërcënimeve të sanksioneve dhe kufizimeve të pabaza”, vijon komunikata e rusëve. Nga lista e mundësve rusë të autorizuar për të marrë pjesë në Olimpiadë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka përzgjedhur vetëm 10 sportistë, duke lënë jashtë disa emra të mëdhenj si kampioni i dyfishtë olimpik, Abdulrashid Sadulaev apo kampioni i dyfishtë i botës Zaur Uguev. “Bota e bashkuar e mundjes ka humbur shansin e fundit për të parë një garë mes më të fortëve në Olimpiadë”, shkruhet në komunikatën e Federatës Ruse së Mundjes, e cila për këtë çështje ka organizuar një takim me mundësit dhe trajnerët e tyre, duke bërë të ditur se heqja dorë nga pjesëmarrja në “Paris 2024” është vendosur në unanimitet të plotë. “Këto nuk janë Lojëra Olimpike, por një kompeticion parodi. Një diktaturë e pajustifikueshme nga IOC solli që ky organizim të vendoset nga ata edhe në përzgjedhjen e sportistëve. Kjo është e tepërt”, është shprehur presidenti i Federatës Ruse të Mundjes, Mikhail Mamiashvili për gjencinë ruse të lajmeve.

RRITEN KUOTAT E SHQIPËRISË – Në Lojërat Olimpike “Paris 2024” do të marrë pjesë edhe Shqipëria, e cila do të garojë me tetë sportistë. Kombëtarja kuqezi është në kërkim të medaljes së parë olimpike në historinë e saj, ndërsa pritshmëritë më të larta vijnë pikërisht nga sporti i mundjes. Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev dhe afrimi më i fundit, Chermen Valiev, e kanë siguruar kualifikimin me normë për në olimpiadë falë performancës së lartë sportive, së bashku me atleten Luiza Gega. Për ironi të fatit, janë pikërisht tre mundësit rusë, tashmë të natyralizuar me pasaporta shqiptare, ata që kuotohen më shumë për zonën e medaljeve. Bëhet fjalë për sportistë të një niveli shumë të lartë, me tituj kampionë bote dhe Europe me Shqipërinë. Ndërsa me vendimin e fundit të Rusisë për të mos çuar mundës në Lojërat Olimpike, rriten edhe më shumë shanset për kampionët tanë, të cilët gjithsesi edhe me prezencën e bashkëkombësve të tyre rusë, sërish ishin pretendentë për të fituar medalje.GFHO

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"