Partizani bie te gjermani i 3-të. Lodhja dhe ngarkesa, si justifikim për humbjen 4-0
PARTIZANI – H.KIEL 0-4
GOLAT: Brajtkrojc 20’, Haider 44’, Shid 62’, Toksëz 67’
PARTIZANI: S. Hoxha, B. Krasniqi, G. Krasniqi, Ibrahimi, Musta, Demiri, Mazrekaj, Dunkoviç, Malo, Saban, Ciani (U aktivizuan: Pliska, Maliqi,Saçer, Dushku, Bordon, Gjonikaj, Rrahmani, Prençi,Lala, Hysenbelliu). Trajner: H. Lika
HOLSTEIN KIEL: Riedmyler, Herman (Kelbel 70’), Gebers (Urban 70’), Vahl (Hartman 46’), Veter (Shulze 46’), Braitkrojc (Arndt 70’), Vendelbo (Myler 65’), Daneberg (Toksëz 65’), Eritalo (Zidshlag 46’), Kacior (Sikora 46), Haider (Shid 46’). Trajner: K. Neitzel
Miqësorja e katërt në minifazën përgatitore në Antalia ka rezultuar e dhimbshme për Partizanin, pasi dje të kuqtë janë mundur 4-0 nga gjermanët e Ligës së Tretë, Holstein Kiel. 24 orë pas barazimit heroik me Karlsruhen e Bundesligës 2, “demat” tregohen të pafuqishëm ndaj gjermanëve, duke u dorëzuar pa kushte. Trajnerit Hasan Lika edhe kjo miqësore i ka shërbyer për të provuar nga minuta e parë një formacion eksperimental, duke i vendosur disa lojtarë në role që nuk i kemi parë në pjesën e parë. Primare ishte vëzhgimi nga afër i sulmuesit Amik Ciani. Takimi i djeshëm ka pasur vetëm një tablo, ku Holstein Kiel ka dominuar ndaj të kuqve. Në minutën e 20-të Brajtkrojc zhbllokon rezultatin, duke shënuar golin e parë të ndeshjes. Edhe pas golit, kryeqytetasit nuk kanë fuqi reagimi, ndërsa një minutë nga fundi i pjesës së parë Haider dyfishon. 2-0 mbyllen 45 minutat e para. Në pjesën e dytë të dy trajnerët bëjnë ndryshime të shumta në formacion, por në ndryshim nga një ditë më parë, kur zëvendësimet ndikuan për mirë tek të kuqtë, dje rifreskimet nuk e ndryshuan rrjedhën e ndeshjes, vetëm sa u thellua humbja. Në minutën e 62-të Shid shënon golin e tretë, ndërsa pesë minuta më vonë Toksëz me një gjuajtje nga rreth 25 metra shënon golin e katërt për Holstein Kiel. Përpos golave të pësuar, kroati Saçer, i cili në pjesën e dytë hyri në vend të Mazrekajt, u ndëshkua me karton të kuq. Në këtë miqësore dukej qartë mungesa e freskisë te Partizani, ku në dallim nga ndeshja me Karlsruhen, dje të kuqtë nuk dhuruan asgjë. Peripecitë – Për miqësoren e djeshme ka pasur paqartësi sa i përket orarit. Kompania, e cila merret me organizimin e këtyre miqësoreve, nuk e kishte llogaritur mirë fillimin. Kështu që ndeshja ka filluar në orën 14:00, sipas orës në Shqipëri, pra rreth 30 minuta para orarit të planifikuar. Partizanit i është dashur të udhëtojë për 45 minuta me autobus nga hoteli deri te stadiumi i miqësores.
Justifikimi – Miqësorja e djeshme me Holstein Kiel ka qenë e katërta për të kuqtë në 9 ditët e tyre të qëndrimit në Antalia, ku tre prej kundërshtarëve ishin gjermanë. Në dallim nga tri të mëparshmet, dje Partizani nuk dhuroi asgjë në fushë. Pas ndeshjes stafi nuk ka dashur të merret shumë me këtë humbje, duke qenë se kanë ndikuar disa faktorë në zhgënjimin e djeshëm. Për drejtuesit e Partizanit në testin e djeshëm me Holstein Kiel ka ndikuar lodhja dhe mbingarkesa që kanë marrë gjatë përgatitjeve në Antalia. Një ditë më parë të kuqtë patën një angazhim maksimal ndaj Karlsruhes, përballë së cilës barazuan 2-2, kurse ndaj gjermanëve të ligës së tretë ka ndikuar lodhja e një dite më parë. Gjithashtu, edhe grupi nuk ka qenë i plotë, pasi ka lojtarë me probleme shëndetësore, ndërkohë që të huajt nuk e kanë gjetur ende harmonizimin e duhur me ekipin. Pra, humbja e djeshme thuhet se nuk ka lidhje me atë që ka kryer Partizani në Antalia, ndaj kërkohet që nga ky takim të nxirren mësime për të ardhmen.
Ciani nuk ka gjendje, s’shtyn as 30 minuta
Sulmuesi Amik Ciani, i mbërritur së fundmi te Partizani në Antalia, ka debutuar dje me fanellën e kuqe. Mirëpo në paraqitjen e tij të parë është vënë re që francezi nuk është në parametrat e duhur fizikë. Trajneri Lika e ka aktivizuar atë që nga minuta e parë, por është detyruar ta zëvendësojë më herët nga sa ishte menduar. Francezi ka treguar se nuk ka gjendjen e duhur fizike, për rrjedhojë pa mbushur as gjysmë ore në fushë është zëvendësuar nga boshnjaku Pliska. Gjithsesi, stafi nuk ka dalë me ndonjë qëndrim për francezin, i cili ashtu si kroatët mbetet në provë dhe pret një përgjigje nga drejtuesit e Partizanit.
Sot mund të përcaktohet fati i të huajve
Në katër miqësore që ka zhvilluar Partizani në Antalia, pikësynim kryesor ka qenë vëzhgimi i futbollistëve të huaj të ardhur për provë. Aktualisht aty ndodhen tre kroatë, Saban, Saçer dhe Dunkoviç, si dhe francezi Ciani që po provohen. Trajneri Lika pas ndeshjes me Karlsruhen u shpreh se e kanë krijuar idenë e përgjithshme për të huajt, megjithatë nuk do të nxitohen në vendimmarrje. Duke ditur që sot skuadra do të jetë pushim, me shumë mundësi stafi teknik mund të marrë një vendim përfundimtar për fatin e futbollistëve të huaj, në mënyrë që në ditët në vijim të përqendrohen te grupi që do të vijojë pjesën e mbetur të sezonit.
ILIR CARA