Partizani fton Bogdanin: Është nder të vish te ne. Lika: Lojtarëve po u mësojmë derbin
Erjon Bogdani është një ëndërr e vjetër e tifozëve të Partizanit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, një ndër lojtarët kuqezi më të suksesshëm në futbollin perëndimor, momentalisht është pa skuadër. Menjëherë pas deklaratave të tij në mediat italiane se mund të tërhiqet nga futbolli dhe se mund të nisë profesionin e vëzhguesit të talenteve, apo si drejtor në sektorët e të rinjve të FSHF-së, kanë nisur të qarkullojë në rrjetet sociale ideja se Partizani ka bërë sërish një tentativë për t’i vënë në dukje lojtarit se e ka derën të hapur te klubi kryeqytetas.
Reagimi Gazeta u interesua nëse vërtet ka pasur kontakte së fundmi mes drejtuesve dhe rekordmenit të përfaqësueses shqiptare, por reagimi i klubit ka qenë sa burokratik, po aq edhe i qartë. “Qëndrimi ynë i përhershëm kundrejt Bogdanit është i njëjti: ai e ka derën të hapur te Partizani. Madje, është një nder për Partizanin që një lojtar me potencialin, sjelljen dhe imazhin e tij të mund të bëhet pjesë e klubit”, – tha për “Panorama Sport” drejtori i klubit të kuq, Eduard Prodani. Ai nuk deshi të komentonte më tej për kontaktet që ka pasur në të kaluarën mes klubit të kuq dhe qendërsulmuesit, apo për ndonjë bisedë që mund të jetë bërë formalisht orët e fundit.
Situata Partizani vuan në sulm, çka është pranuar edhe nga vetë drejtuesit. Erjon Bogdani, nga ana tjetër, ka 36 vite mbi supe, por gjithsesi, në një kampionat si ky i yni, një si ai do të bënte diferencën në çdo moment. Bomberi kuqezi është pa skuadër dhe, sipas rregullores ndërkombëtare, një futbollist i përfaqësueses së një vendi që është pa kontratë, mund t’i bashkohet një skuadre në çdo moment, edhe pasi të ketë përfunduar afati zyrtar i merkatos. Mundësitë teknike janë dhe dëshira e Partizanit është e madhe, por tani gjithçka varet nga futbollisti. I pyetur rreth një muaj më parë për interesimin e Partizanit, Bogdani pat deklaruar prerazi se nuk kishte ndër mend të kthehej në Shqipëri. Asokohe u përgjigj kështu, sepse ishte në negociata me Sienën dhe Leçen. Tani këto pista duket se janë shuar krejtësisht, por gjithsesi lojtari mbetet shumë i lidhur me Italinë, pasi atje ka ndërtuar familjen. Rikthimi te “demat” duket i komplikuar, por një gjë është e sigurt: Partizani ia ka lënë derën të hapur…
Nisma “Bogdani, rikthehu mes nesh!”
“Marrim iniciativën të nisim një fushatë të madhe, duke i bërë thirrje edhe klubit tonë ‘FK PARTIZANI’ dhe drejtuesve të na bashkohen në këtë nismë të veçantë dhe kuptimplote. Gjithashtu edhe çdo tifozi, të japë kontributin e tij duke u bashkuar dhe e bërë edhe më mediatike, edhe më të fortë këtë lloj fushate. Si një benjamin i tifozerisë, si një krenari për të gjithë tifozët e Partizanit dhe jo vetëm, si golashënuesin me të mirë në historinë e Kombëtares i dalë nga akademia e Partizanit, që ndër vite ka sjellë të tillë lojtarë dhe të tillë legjenda. E ftojmë Bogdanin të rikthehet aty ku e nisi dhe të mbyllë karrierën e tij të suksesshme duke dhënë një kontribut të fundit për ekipin që e formoi si futbollist. Nuk ka më mirë se sa ta mbyllësh aty ku e nise dhe aty ku të duan më shumë. Eja djalosh që, ashtu siç e nisëm karrierën tënde së bashku, ti në fushë e ne nëpër shkallët e stadiumit, ta mbyllim po së bashku! Ti je i joni, ne jemi këtu të gjithë së bashku dhe të thërrasim: KTHEHU, NE PO TË PRESIM…”
Lika i sinqertë: Lojtarëve po u mësojmë historinë e derbit
Situata në kampin e kuq një javë para derbit është mjaft e mirë, ndërsa stafi po punon që më 12 tetor gjërat të shkojnë siç duhet dhe gjithçka të konkretizohet me fitore. Trajneri Hasan Lika, në një prononcim për “Panorama Sport”, pohon se derbi ka veçorinë e tij dhe si i tillë mbetet i paparashikueshëm. Njëkohësisht po punohet edhe me detaje që nuk kanë lidhje me taktikën, për vetë faktin se organika nuk e ka idenë se çfarë do të thotë derbi. Trajneri pohon se lojtarëve po u mësohet edhe historia, pasi ata duhen të jenë në dijeni të çdo rrethane që prodhon kjo kryendeshje. Duke ditur se luhet një ditë pas ndeshjes së Kombëtares Shqipëri-Zvicër, trajneri shpreson që terreni të mos bëhet pengesë. “Skuadra ka treguar një ecuri të kënaqshme në këto javë dhe vijmë pas një fitoreje me mjaft vlera ndaj Kukësit. Situata para derbit është pozitive, por dihet që në ndeshje të tilla hyjnë në lojë shumë faktorë, duke e bërë të paparashikueshëm. Gjithsesi, ne po përgatitemi që ta kalojmë me sukses këtë ndeshje, pasi ka vlera të shumëfishta për Partizanin. Ky takim është disi ndryshe nga herët e tjera, pasi pjesa dërrmuese e futbollistëve e ka për herë të parë këtë derbi historik të kryeqytetit. Duke pasur lojtarë, që nuk e kanë provuar më parë shijen e kësaj sfide, prej kohësh kemi filluar punën me ekipin edhe në aspektin historik. Po u mësojmë atyre gjithçka që ka të bëjë me të kaluarën e lavdishme të klubit, si dhe me peshën e rëndësinë që përmban vetë derbi Partizani-Tirana. Shpresoj që vërshëllima e parë e këtij takimi të na gjejë të kompletuar në çdo detaj dhe në fund ta konkretizojmë me sukses. Luajmë një ditë pas ndeshjes së Kombëtares, por jemi të kushtëzuar për ta zhvilluar në këtë situatë, sepse na duheshin dy lojtarët tanë që grumbullohen nga Shpresa (Prençi dhe Rrahmani). Shpresoj që terreni të jetë në kushte të përshtatshme dhe të mos ndikojë në cilësinë e lojës”, – u shpreh trajneri Hasan Lika. Erjon Bogdani – Trajneri Lika pohoi se nuk është në dijeni të iniciativës, por një lojtar dhe person si Erjon Bogdani do të ishte i mirëpritur jo vetëm klubi që e nxori, Partizani, por çdo ekip tjetër. “Nuk jam në dijeni të këtij fakti, por natyrshëm Erjon Bogdani është i yni, ka dalë nga bankat e shkollës sonë. Dihen vlerat e Bogdanit si futbollist me Kombëtaren, por edhe me klubet italiane. Prandaj, ai është i mirëpritur te Partizani jo vetëm si ‘ish’ e futbollist me vlera, por edhe si njeri. Do të ishte diçka e bukur nëse do të realizohej ky bashkim”, – përfundoi trajneri Hasan Lika.
ILIR CARA