Partizani mund Kukësin. Sampaio: Po pranoi se është gënjeshtar, Mazrekaj le të kthehet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2014 | 18:04

Partizani mund Kukësin. Sampaio: Po pranoi se është gënjeshtar, Mazrekaj le të kthehet

Partizani-KukesiPARTIZANI-KUKËSI  1-0
GOLI: Memelli 30’
PARTIZANI: Hoxha, Ibrahimi, G.Krasniqi, Rrahmani, Murati, B.Krasniqi (Pliska 57’), Demiri, Antanasijeviç, Dushku, Nexhipi (Saçer 73’), Memelli (Maliqi 83’) (në dispozicion: S. Hoxha, Hysenbelliu, Prençi, Dunkoviç). Trajner: Marcio Sampaio
KUKËSI: Halili, Brahja, Malota, Smajli, Hallaçi, Allmuça, Progni, Hoxha, Izuçuku (Shameti 71’), Cikalleshi, Hysa (në dispozicion: Koçi, Dikanoviç, Thorja, Uçe, Peter, Muçmata). Trajner: Sulejman Starova
KARTONË TË VERDHË: Ibrahimi (2) 26’, 79’, Dushku 40’, Memelli 59’
KARTON I KUQ: Ibrahimi 79’
VËZHGUES: Plarent Kotherja (Tiranë)
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
GJYQTARET: B. Pashaj (Tiranë), R. Çokaj (Lezhë), M. Dervishi (Shkodër)

MINUTAT
1’ Dushku merr një aksion sulmues, gjen hapësirë në zonën e kuksiane, gjuan fort, por topi përfundon jashtë.
4’ Nexhipi nga e djathta vertikalizon një top për Memellin në të majtë, i cili, pasi shmang një mbrojtës gjuan në drejtim të portës, pret portieri Halili.
9’ Allmuça provon nga distanca, topi përfundon jashtë kuadratit.
14’ Memelli kroson në zonë, por B.Krasniqi në shtyllën e dytë nuk arrin ta devijojë topin.
21’ Cikalleshi drithëron të kuqtë. Gjuan fort nga distanca, por topi kalon ngjitur mbi traversë.
24’ Dushku hedh një top në zonë, Rrahmai e devijon me këmbë, të kuqtë pretendojnë për një prekje me dorë nga miqtë, por gjyqtari Pashaj vijon lojën.
30’ Goditje dënimi për Partizanin në pozicion ballor. Memelli nga një distancë rreth 25 metra gjuan mjeshtërisht dhe mposht portierin Halili, 1-0 për të kuqtë.
40’ Allmuça nga goditja e dënimit kroson në zonën e kuqe, grushton portieri Hoxha.
41’ Cikalleshi provon me një gjuajte standarde, por sërish Alban Hoxha largon rrezikun.
45’+1’ Demiri provon të gjejë kuadratin me një gjuajte nga jashtë zone, pret Halili.
50’ B.Krasniqi gjuan nga një pozicion i prirët me portën, por topi përfundon jashtë.
55’ Nexhipi shmang dy lojtarë të Kukësit dhe nga jashtë zonës gjuan fort, por topi përfundon jashtë kuadratit.
64’ Allmuça në pozicion ballor me portën e Hoxhës godet fort, por topi përfundon mbi traversë.
67’ Progni nga goditja e dënimit kroson në zonë dhe Cikalleshi me kokë arrin të gjuajë saktë, por Hoxha edhe njëherë tjetër tregohet i saktë duke pritur.
70’ Nexhipi hyn në zonën mike, gjuan, topi përplaset te Malota, të kuqtë pretendojnë për një tjetër 11-metërsh, por loja vijon.
81’ Goditje dënimi me dy takime në zonën e Partizanit dhe Cikalleshi gjuan nga e majta, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule.
85’ Partizani del në kundërsulm me Demirin, por kapiteni shfaq shenja lodhje, duke mos pasur si duhet te Saçer, që ishte i lirë në krahun tjetër.
90’+5 Shameti merr një top në zonën e Partizanit, gjuan me kokë, pret me vështirësi portieri Hoxha.

Partizani ka fituar 1- 0 përballjen me Kukësin, e cila u zhvillua në “Qemal Stafa” dhe u vendos nga goli mjeshtëror i Migen Memellit. Takimi shfaqi një interesim të konsiderueshëm në shkallët e stadiumit, pasi të dy ekipet synonin fitoren e objektivave respektive. Trepikëshi i buzëqeshi Partizanit, i cili tani ka mundësi të marrë pak frymë në vendin e tretë. Të kuqtë me këtë sukses kalojnë presionin që u solli humbja në Durrës dhe janë në rrugën e duhur për në Europë. Ndërsa ëndrra kuksiane për titullin kampion thuajse është shuar dje, pasi me fitoren e Skënderbeut diferenca me vendin e parë ka shkuar në tetë pikë. Ndërpritet ecuria e 7 fitoreve radhazi. Gjithsesi, trajneri Starova pohoi në fund se objektivat e Kukësit mbeten vendi i dytë dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë.
Pjesa e parë Në krahasim me transfertën e Durrësit trajneri Sampaio kishte bërë disa modifikime në formacion, duke kthyer mbrojtjen në modulin e mëparshëm. Antanasisjeviç kthehet në qendër, ndërsa Dushku u aktivizua në të majtë të mesfushës. Trajneri Starova nuk pati në dispozicion sulmuesin Boja, i cili ishte i dëmtuar. Takimi nis me një inkursion të Partizanit me anë të Dushkut, por pa rezultat. Më pas është radha e Memellit për të testuar portierin Halili. Goditja e parë e kuksianëve vjen në minutën e 9- të, kur Allmuça provon nga distanca. Për minuta të tëra loja përqendrohet në mesfushë, duke munguar aksionet drejt portave. Në minutën e 21-të Cikalleshi me një goditje fluturimthi godet në drejtim të portës së Partizanit, por topi shkon pak centimetra mbi traun e portës. Në minutën e 24-t të kuqtë pretendojnë për një penallti, pasi sipas tyre devijimi i topit nga Rrahmani u ndal nga dora e një mbrojtësi kuksian, por gjyqtari Pashaj vijon lojën. Krahët e mesfushës së të dy ekipeve nuk funksionojnë si duhet dhe në disa raste trajnerët i ndërrojnë pozicionet e lojtarëve. Në minutën e 30-të akordohet një goditje dënimi në pozicion ballor për Partizanin. Memelli nga një distancë rreth 25 metra gjuan mjeshtërisht dhe mposht portierin Halili, 1-0 për të kuqtë. Pas golit, kuksianët zgjohen, por nuk arrijnë të ndryshojnë balancat dhe pjesa e parë mbyllet 1-0.
Pjesa e dytë Në 45-minutëshin e dytë Kukësi hidhet në sulm, por Partizani është i kujdesshëm në prapavijë, duke ndalur inkursionet e miqve. Në këtë pjesë Partizani kërkon të mbrojë avantazhin dhe me kundërsulm të vërë në rrezik portën kuksiane. Të dyja skuadrat kanë mundësi shënimi, por finalizimet lënë për të dëshiruar, pasi pjesa më e madhe e topave përfundojnë jashtë. Në minutën e 79-të Ibrahimi, që kishte dalë jashtë fushës për të marrë ndihmën mjekësore, bën një gabim foshnjarak, duke hyrë në lojë pa lejen e gjyqtarit dhe ndëshkohet me karton të verdhë, që është i dyti për të, duke e lënë ekipin me 10 vetë. Me këtë inferioritet të kuqtë mbyllen më shumë në mbrojtje, por me anë të kundërsulmit patën mundësi dyfishimi, megjithëse vendosi lodhja dhe pasiguria e lojtarëve. Gjithçka mbyllet 1-0 për të kuqtë.

MË I MIRI
Migen Memelli ishte përcaktues në fitoren e djeshme të Partizanit. Sulmuesi, përveç golit të bukur, ishte i kudondodhur, si në fazën mbrojtëse dhe sulmuese. Paraqitje të mirë bënë edhe mbrojtësit, katërshja me në krye portierin Alban Hoxha nuk u dha asnjë shans miqve nga Kukësi. Ndryshe nga javët e fundit mbrojtësit e kuq kishin sigurinë, por edhe aktivizimi para tyre i mesfushorit Antanasijeviç ishte një armë më shumë për të mos u ndëshkuar.

MË PAK AKTIVI
Mesfusha e Kukësit nuk ishte në ditën e saj më të mirë dhe kryesisht kritika pati shumë nga tifozët, por edhe nga tribuna VIP për Izuçukun dhe Prognin. Gjithsesi, trajneri Starova zëvendësoi vetëm nigerianin, që ishte edhe ndërrimi i vetëm për miqtë. Në këtë takim skuadra verilindore ishte shumë e zbehtë në veprime dhe lojtarët gabuan herë pas here në pasimin e topit. Ibrahimi me gabimin e tij mund ta ndëshkonte Partizanin.

Sampaio dhe TomorriSampaio: Mazrekaj kthehet, po pranoi se është gënjeshtar
Mentor Mazrekaj ka ndjekur dje fitoren e Partizanit nga tribuna së bashku me babanë e tij dhe vëllain që kishin udhëtuar nga Prishtina. Më herët, mësohet se familja Mazrekaj ka pasur një takim edhe me presidentin e Partizanit Gaz Demi. Ata i kanë kërkuar ndjesë trajnerit për sjelljen e futbollistit. Pritet që të ketë një ulje tonesh dhe lojtari t’i bashkohet ekipit. Por trajneri Sampaio pas ndeshjes me Kukësin pohoi se e ka të vështirë, por jo të pamundur që ta pranojë kosovarin sërish në ekip. Gjithsesi, që kjo të ndodhë, trajneri i të kuqve pret një ndjesë publike nga lojtari për ato që ka thënë. Gjithashtu, portugezi ka folur edhe për suksesin e djeshëm, por i çuditshëm ishte fakti që për herë të parë ka pohuar se me këtë ekip mund të luftohej edhe për titull.
Në tribunë sot (dje) ishte edhe miku juaj Mentor Mezrekaj. A do ta pranoni atë në stërvitjen e parë të fillimjavës?
Nuk e kam parë në stadium. Për mua do të jetë shumë e vështirë që ta pranoj në ekip Mazrekajn. Nuk mund të them e pamundur, pasi nuk i di kushtet e kontratës që ai ka me klubin. Gjithsesi, detyra ime është të menaxhoj gjërat që më kërkojnë drejtuesit në të mirë të klubit, por nëse Mazrekaj kërkon që të vijë në skuadrën ku unë drejtoj, ai së pari duhet të dalë në konferencë për shtyp dhe të pranojë se është një gënjeshtar.
Morët një fitore pasi kaluat një jave problematike?
Kur njerëzit nuk besojnë te ky ekip, apo kur ka kritika ndaj ndonjë personi, zakonisht në skuadrat e forta të gjithë bëhen bashkë. Kështu, ne kemi qenë të gjithë të bashkuar dhe të përqendruar për të arritur objektivin tonë. Ajo çfarë ndodhi javën e shkuar solli një marrëdhënie shumë të mirë në ekip dhe kjo gjë u pa në fushë, ndaj Kukësit. Grupi kërkonte të jepte një tjetër imazh nga ndeshja e fundit.
Duket se kur jeni në presion, ekipi shprehet mirë në fushë…
Besoj se nuk kemi qenë nën presion, por së pari dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur me mesazhe dhe realisht nuk e prisja këtë mbështetje nga tifozët. Së dyti, presidenti ka qenë afër meje, kështu që edhe fitorja është për atë. Ai është personi i parë që beson tek unë dhe më ka ndihmuar shumë këtë javë. E treta, por që mund të ishte e para, kjo fitore shkon për lojtarët dhe grupin.
Disa thonë se Sampaio është trajner, ndërsa të tjerë jo. Pas kësaj ndeshje keni ndonjë përgjigje rreth kualifikimit tuaj?
Kësaj pyetjeje, që ka të bëjë me dyshimin rreth të qenit apo jo trajner, do t’i përgjigjem në momentin e duhur, jo tani. Njerëzit mund të mendojnë dhe të thonë çfarë të duan, por në futboll përgjigja vjen nëse duhet. Ju e shikoni se jam trajner dhe këtu para jush si i tillë jam. Më pëlqen kur njerëzit flasin për trajnerin, se largojnë presionin ndaj ekipit.

Memelli gol ndaj KukesitMemelli: Do shënoj sërish, rinovimin e mendoj pas pushimeve
Sulmuesi Migen Memelli, me golin e tij i dha Partizanit fitoren ndaj Kukësit dhe tani të kuqtë ndihen më të sigurt në realizimin e objektivave. 33-vjeçari ka besim se në fund Partizani do të jetë në Europë. Golin ia dedikon familjes që përfaqëson fanellën e kuqe.
Migen një tjetër gol dhe një tjetër fitore që i jep Partizanit. Si ndiheni?
Në radhë të parë dua të falënderoj të gjithë shokët e skuadrës që bënë një ndeshje të madhe në të gjithë kuptimin e futbollit. Në fushë kemi pasur grintë, ego, kemi luajtur si një skuadër potente dhe kemi marrë një fitore të shkëlqyer. Shënova një gol për merita personale, por që i dedikohet këtyre njerëzve që unë përfaqësoj, klubit, tifozëve dhe lojtarëve.
Çfarë ndryshoi te Partizani brenda javës, pasi në ndeshjen e shkuar ndaj Teutës zhvilluat një lojë të dobët?
Ndeshjet ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra, siç ndryshojnë edhe ekipet, pasi luhet me taktika të ndryshme ndaj kundërshtarëve të ndryshëm. Në Durrës bëmë shumë gabime dhe e kam thënë që Teuta e meritoi fitoren. Sot (dje) ka qenë një tablo tjetër dhe kemi luajtur ndaj një kundërshtari shumë të fortë me lojtarë cilësorë, por që për asnjë moment nuk e kemi ndjerë veten inferiorë dhe në një farë mënyre kemi luajtur si kampionë.
Partizani po shkon drejt realizimit të objektivave, por ju personalisht do t’i realizoni ato?
Do të mungoj ndeshjen e ardhshme ndaj Teutës, për shkak kartonësh dhe në tri ndeshjet e mbetura do të bëj maksimumin për skuadrën, ndërsa për objektivin personal janë katër gola dhe do të jetë e vështirë, por besoj se do t’ia arrij. Sipas statistikave, jam nga ata që kam shënuar më shumë në pjesën e dytë.
Do të rinovonit me Partizanin, nëse kjo do të ishte ndeshja e fundit e kampionatit?
Është ende herët për të folur për një gjë të tillë. Janë edhe katër ndeshje dhe momentalisht mendoj vetëm për skuadrën. Dua të kaloj pushime të bukura dhe pas këtyre do të mendoj për të ardhmen time.

prodani_fshf_me_strukture_te_r“Kukësi është Partizani B, mos mërziten”
Duke ditur se në radhët e Kukësit mbizotërojnë lojtarë dhe staf teknik e mjekësor që kanë të kaluar me Partizanin, në përfundim të ndeshjes drejtori i përgjithshëm, Eduard Prodani, lëshon një batutë në adresë të kuksianëve. “E kam thënë edhe më parë se Kukësi është Partizani B. Kjo është në kuptimin e mirë dhe nuk ka lidhje me Partizanin B, që luan në Kategorinë e Dytë. Pa dyshim kur ka shumë pjesëtarë të një familjeje, fiton ai që mban fanellën. Fanellën e kuqe e kemi ne dhe fituam, skanë pse mërziten”, – u shpreh i entuziazmuar Prodani pas ndeshjes. Duke parë këtë gëzim të drejtorit të kuq, vëzhguesi Kotherja i lëshon një batutë atij: “Tani që fitove të erdhi goja, se para ndeshjes po dridheshe”.

Starova analize teorike me Kukesin“Duam të ruajmë vendin e dytë dhe të fitojmë kupën”
Trajneri i Kukësit, Sulejman Strava, ka pranuar se ndaj Partizanit të gjithë gabuan dhe ekipi i tij nuk ishte i aftë të bënte pasimin final. Starova hoqi aludimet se Kukësi synonte titullin pas luhatjeve të Skënderbeut, pasi vendi i dytë dhe kupa mbeten objektivat e tyre. “Nuk mund të them se nuk ka pasur eufori, edhe pse ne u munduam që ta shmangnim atë me mediat, sidomos për titullin kampion, pavarësisht se çfarë synonim ne në të vërtetë. Rruga për të arritur te titulli ishin fitoret me radhë, duke nisur nga kjo e sotmja me Partizanin. Normalisht që duhet të përmendim edhe anët pozitive të Partizanit. Duke analizuar ndeshjen, mund të them se mundësitë ishin shumë herë më të mëdha bazuar në atë që ne dhamë në fushën e blertë. Pjesa e parë erdhi pikërisht ashtu siç donim ne, pasi Partizani luajti më hapur dhe kishim mundësi të realizonim. Nga ana psikologjike lojtarët tanë ishin më mirë se Partizani, duke qenë se ne kërkonim të shkonim më lart, ndërsa kundërshtari kërkonte të shkëputej nga ndjekësit. Situata në pjesën e parë na u dha, por ne gabuam në pasimin e fundit dhe kemi humbur disa raste të pastra për të shënuar. Duke qenë se Partizani shënoi nga goditje standarde, në pjesën e dyte ekipi im e kuptoi që ata do të mbroheshin. Edhe pse provuam me të gjitha mënyrat për të realizuar, nuk ia arritëm”,- u shpreh trajneri Starova.
Objektivi – “Ne objektivat i kemi pasur të qarta dhe ai finali ka qenë të luftonim për të dy trofetë, si në Kupë ashtu edhe në kampionat. Në javët e fundit treguam se mund të luftonim edhe për titull, megjithatë jemi në Kupën e Shqipërisë dhe me mbështetjen e presidentit duhet ta fitojmë këtë trofe, që të mund të mbrojmë edhe vendin e dytë”, përfundon Starova.

Mesfushori takon Demin dhe rikthehet
Mentor Mazrekaj është pajtuar me skuadrën e Partizanit. E gjithë kjo ka ndodhur pas një mbledhjeje të mbajtur mes lojtarit dhe të dy presidentëve, atij të Partizanit (Gaz Demi) dhe të Prishtinës (Remzi Ejupi). Mesfushori i ka kërkuar familjarisht falje presidentit dhe palët e pranishme kanë gjetur akordin e pajtimit. Pritet që këtë javë Mazrekaj ta bëjë edhe publikisht faljen ndaj stafit dhe ekipit. Lajmin e bën të ditur një i afërm i futbollistit për mediat kosovare: “Mazrekaj është kthyer te Partizani. Ka ndodhur një takim para ndeshjes Partizani-Kukësi, midis presidentit të Partizanit, Gaz Demi, me atë të Prishtinës, Remzi Ejupi, ku ishte i pranishëm edhe Mentori. Aty u vendos që Mazrekaj të kthehet në Partizan dhe të vazhdojë punën”.

Të kuqtë fitojnë në fushë, miqtë në tribuna
Takimin e djeshëm e kanë ndjekur rreth 5 mijë tifozë. Por ajo që ra në sy dje në “Qemal Stafa” ishte fakti se tifozët kuksianë qenë më të shumtë se të kuqtë. Mbështetësit e kuq ishin disi të ndarë dje, pasi disa prej tyre kishin udhëtuar në Durrës për të mbështetur ekipin e volejbollit. Gjithsesi, atmosfera ishte festive, por nuk munguan edhe rastet ku disa tifozë të Kukësit hodhën sende në fushë. Në pushim të ndeshjes ata kanë hedhur një celular në drejtim të Memellit, por pa shënjestër. E bukura ishte kur celulari iu kthye të zotit pa asnjë problem nga ana e policisë. Ndërsa në minutën e 75-të tifozët miq hodhën shishe plastike në drejtim të anësorit Çokaj.

“Pikante”
– Tribuna VIP dje ishte tejmbushur, ku përveç personaliteteve të sportit, të pranishëm ishin edhe disa politikanë. Presidenti Demi, pavarësisht se ishte në stadium para ndeshjes, nuk e pa ndeshjen në stadium. Ndërsa presidenca kuksiane ishte e plotë, vendin e Demit e kishte zënë ish-presidenti Lulëzim Sallaku.
– Nga tribuna VIP nuk kanë munguar thirrjet e miqve në adresë të trajnerit, ku i kërkonin që të hiqte disa lojtarë të mesfushës.
– Në minutën e 82-të gjyqtari Pashaj, në vend që të ndante lojtarët, shkoi e u përplas me kroatin Saçer, duke e rrëzuar në tokë.
– Në një moment të pjesës së dytë pati disa të lënduar në fushë dhe kur po largoheshin stafi mjekësor i Kukësit nuk përton që të ndihmojë Memellin e Partizanit, i cili kishte një shqetësim të lehtë në kofshë.
– Memelli, që ka plotësuar numrin tre të kartonë të verdhë, dhe Ibrahimi që u ndëshkua me të kuqe, do t’i mungojnë Partizanit ndaj Kastriotit.
– Takimin e ka ndjekur nga tribuna edhe mesfushori Mentor Mazrekaj, i cili ka qenë i shoqëruar nga babai dhe vëllai i tij.
ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"