Partizani i Europës, “i arnuar” / Baza e ekipit mbetet e vjetshmja, sulmi është reparti më me shumë “rrëmujë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2024 | 18:46

Partizani i Europës, “i arnuar” / Baza e ekipit mbetet e vjetshmja, sulmi është reparti më me shumë “rrëmujë”

Partizani prej disa ditësh vijon me in tensitet të lartë përgatitjet për dy ndeshjet kundër maltezëve të Marsakslok në Ligën e Konferencës. Të kuqtë deri më tani janë përfshirë nga plot tetë largime. Skuka, Mikuliç, Sota, Atanaskoski, Vila, Zekolli, Birçaj dhe Mensah kanë lënë Partizanin. Disa prej tyre u larguan pas përfundimit të kontratave dhe të tjerë u ndanë përmes një marrëveshjeje me klubin për ndërprerjen e kontratës. Largimet e padëshiruara dhe ndoshta edhe surprizë mund të konsiderohen ato të Sotës dhe Atanaskoskit, që ishin titullarë fiks.

partizani

SKUADËR JO E PLOTË- Sa u përket afrimeve, siç edhe është raportuar në ditët e mëparshme, Partizani ka arritur të mbyllë me sukses operacionet e transferimit të Vangjel Zguros nga Struga dhe Rodrigo Pilotos nga Atletik d’Eskaldes. Ardhja e Zguros mbulon vendin e lënë bosh nga Atanaskoski, ndërsa Piloto, nuk zëvendëson njeri, por shton konkurrencën në sulm. Nga ana tjetër shkakton edhe mbipopullim në këtë repart. Nëse për qendërsulmues Shehi ka zgjedhje me shumicë, ndryshe ndodh me anët ë ofensivës, ku të vetmit lojtarë të deklaruar janë Tedi Cara dhe Oresti Rifa, i cili është afruar vetëm së fundmi në fazën përgatitore për shkak të mungesës së lojtarëve në krahun e djathtë të sulmit. Trajneri Shehi dihet tashmë që e mbështet lojën te lojtarët e krahut. Mjafton të përmendim kapërcimet që kanë bërë në karrierë “uingera” si Et’hemi (Kukësi), Abazaj (Kukësi), Xhixha (Tirana) apo edhe Hasani (Tirana) së fundmi. Aktualisht trajneri nuk e ka një pikë mbështetjeje në lojën ofensive dhe pritet që edhe në Europë të “arnojë” sërish.

FORMACIONI “EUROPIAN”- Sa i përket 11-shes, baza pritet të jetë sërish me lojtarët e sezonit të shkuar, nisur edhe nga fakti se afrimet janë vetëm dy. Në mbrojtje do t’i jepet besim fillimisht të riut Buxhelaj dhe nëse bind, do të luajë vazhdimisht titullar. Në qendër pritet të luajnë Sembene dhe Bytyçi, me Prekën gjithnjë gati për të rrëmbyer një vend. Mesfusha nuk ndryshon, ndërsa në sulm Taipi do të luajë sërish “uinger” i djathtë me ndonjë prej të rinjtë si alternativë. Në qendër mungon Bintsuka dhe Mba duket favorit përballë të tjerëve. Cara nuk ka konkurrencë nga e majta.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"