Partizani i frikshëm, dështon Teuta e Likës. Feston edhe trajneri Duro: Ishim superiorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2014 | 22:59

Partizani i frikshëm, dështon Teuta e Likës. Feston edhe trajneri Duro: Ishim superiorë

kryesorePARTIZANI-TEUTA 2-0
GOLAT: Raçiç 40′, Fazlliu 42′
PARTIZANI: Hoxha, Fejzullahu, Rrahmani, Vrapi, Cuculi, Batha, Nexhipi (Trashi 46′),Mazrekaj (Osmanaj 80′), Vila (Mustafa 68′), Fazlliu, Raçiç. Trajner: Sh.Duro. (Në dispozicion: Xhika, Dishliev, Daja, Vatnikaj).
TEUTA: Rivzani, R.Hoxha, E.Hoxha, Kotobelli, Krasniqi, Deliallisi (Dita 57′) Hodo, Peposhi (Korreshi 65′,) Shabani, Nika, Pepa (Magalhaes 55′). Trajner: H.Lika. (Në dispozicion: Osmani, Prençi, Hoxhallari, Magani)
KARTONË TË VERDHË: Trashi 58′ / R.Hoxha 81′
VËZHGUES: Sami Elezi
DELEGAT: Besnik Çela
GJYQTARET: R.Sadiku (Elbasan), G.Qirici (Tiranë), E.Ganxhi (Elbasan)

MINUTAT
1′ Nika provon me një goditje dënimi, pret portieri Hoxha.
6′ Goditje këndi. Mazrekaj pason për Bathën që me kokë kombinon me Fazliun, i cili po me kokë e godet topin, por jashtë kuadratit.
7′ Kundërsulm i Teutës. Shabani në pozicion ballor gjuan fort, por portieri Hoxha në pozicion e grushton topin.
11′ Pepa nga e majta lëshon një top në zonën e Partizanit, Nika gjuan lehtë dhe pret pa vështirësi portieri i të kuqve.
23′ Cuculi nga e majta e sulmit lëshon një top për Vilën, që gjuan arrin të gjuajë, por pret pa asnjë problem portieri Rizvani.
24′ Sulm i përshkallëzuar i Partizanit. Batha Pason për Vilën, i cili kombinon me Rrahmanin, i cili lëshon një krosim në zonë. Nexhipi e gjuan bukur topin e ardhur, por topi devijohet nga mbrojtësit e Teutës.
25′ Mazrekaj nga e majta fiton një duel shpejtësie me Besnik Krasniqin, hyn në zonë dhe diagonal gjuan, por topi përfundon jashtë, ndonëse pranë ishte edhe Raçiç, që mund ta devijonte.
29′ Fazliu pas një kundërsulmi të shpejtë arrin deri te porta mike, gjuan, por topi përfundon mbi traun e portës.
40′ Mazrekaj nga e majta në një goditje dënimi e dërgon topin në zonë, topi largohet fillimisht nga miqtë, por Batha me kokë e kalon topin te Raçiç, i cili falë fizikut të tij krijon hapësirë dhe gjuan me të djathtën dhe shënon, 1-0.
42′ Mazrekaj pason bukur për Raçiç, i cili në një pozicion të volitshëm për të goditur, pason për Fazliun, që arrin të mposhtë për herë të dytë portierin Rizvani dhe 2-0.
47′ Kotobelli kroson një top në zonën e të kuqve, Deliallisi e godet me kokë topin, që përfundon jashtë.
52′ Hodo lëshon një top të gjatë dhe Nika me kokë e godet, por jashtë.
53′ Mazrekaj ekzekuton një goditje dënimi pranë zonës së Teutës, por topi përfundon ngjitur me shtyllën pingule dhe jashtë.
71′ Mazrekaj jep një asist për Raçiç, i cili përballë Rizvanit gjuan lehtë.
82′ Batha nga e majta gjuan fort një goditje dënimi, por topi pritet nga Rizvani.
90′ Koreshi provon nga distanca, por topi përfundon jashtë.

Pas humbjes me Apoloninë, Partizani i trajnerit Shpëtim Duro nuk di të ndalet, ku mbrëmë të kuqtë kanë mposhtur 2-0 Teutën e trajnerit Hasan Lika, e cila konsiderohet thuajse e dështuar me këto rezultate që ka grumbulluar në pesë javët e para. Tri fitore radhazi, me Skënderbeun, Kukësin dhe Teutën, bëjnë të mundur që “demat” e kuq të kapin kreun e klasifikimit, me 10 pikë. Dështon Hasan Lika në përballjen me të shkuarën e tij. Nëse ka ekzistuar ndonjë ndjenjë hakmarrjeje në kokën e ish-trajnerit të dorëhequr nga të kuqtë sezonin e shkuar, pas humbjes 1- 0 në derbin me Tiranën, gjithçka është fashitur shpejt duke parë këmbënguljen e skuadrës së Duros. Veç të tjerash, trajneri i “demave” ka fituar në këtë rast edhe duelin “brenda familjes”, ndaj Hasan Likës, dy trajnerë të shkollës së kuqe. “Demat” arkivojnë tri pikët e radhës dhe shkojnë në derbin e madh të kryeqytetit me Tiranën më të karikuar e të motivuar se kurrë. Steven Raçiç, i cili konsiderohet si “basti” i fituar i trajnerit Duro, po profilizohet tashmë si një lider në sulmin e të kuqve, sepse ndaj Teutës ka realizuar golin e tretë në këtë kampionat, duke zhbllokuar edhe rezultatin në minutën e 40-të, si dhe pasimin e golit të dytë për Fazliun, i cili arrin të shënojë golin e parë si i kuq. Partizani i 270 minutave të fundit ka ardhur në rritje porsa u përket pikëve të fituara, lojës, golave të shënuar dhe mbajtjen të paprekur të portës së mbrojtur nga Alban Hoxha. Ndërsa Teuta e trajnerit Lika, ndonëse u mundua të befasonte në kryeqytet, është përballur me një humbje. Durrsakët kanë treguar shumë luhatje në këtë kampionat, pasi janë mundur brenda nga Vllaznia dhe pas fitores me Elbasanin, kanë arritur të marrin 1 pikë në dy ndeshje. Pra, kjo Teutë për momentin konsiderohet e dështuar në krahasim me skuadrën e sezoneve të fundit, që i bënte një nisje ndryshe kampionatit.
Pjesa e parë Trajneri Duro me Bunjamin Shabanin të pamundur aktivizon Astrit Fazliun nga minuta e parë, i cili së bashku me Raçiç dhe Vilën përbënë forcën goditëse të Partizanit. Edhe Lika u prezantua me një Teutë që kishte ardhur për pikë, ku sulmi iu besua dyshes Pepa-Nika, të cilët krijojnë shumë, por nuk finalizojnë. Takimi nis vrullshëm për Teutën, ku Nika mund të shënojë që në minutën e parë. Në minutën e 7-të, miqtë sërish kanë një mundësi me Shabanin, por gjuajtja e lojtarit të Teutës ndalet nga portieri Hoxha. Më pas Partizani zgjohet dhe mesfushori Batha, një nga më të mirët në fushë, shkatërronte çdo iniciativë të durrsakëve. Pas minutës së 20-të, të kuqtë rrezikojnë në disa raste falë topave që vijnë nga krahët e mesfushës, si dhe nga goditjet standarde. Pas minutës së 30-të bie ritmi i Teutës që kishte fituar terren në mesfushë. Në minutën e 40-të Steven Raçiç sërish vërteton se është njeriu i sukseseve te Partizani. Mazrekaj nga e majta në një goditje dënimi e dërgon topin në zonë, topi largohet fillimisht nga miqtë, por Batha me kokë e kalon topin te Raçiç, i cili falë fizikut të tij krijon hapësirë dhe gjuan me të djathtën dhe shënon, 1-0. Pas dy minutash vjen edhe goli i dytë. Mazrekaj pason bukur për Raçiç, i cili në një pozicion të volitshëm për të goditur, pason për Fazliun që arrin të mposhtë për herë të dytë portierin Rizvani dhe 2-0. Ky gol u kontestua nga durrsakët, pasi Fazliu ishte në pozicion të parregullt. Pjesa e parë mbyllet 2-0.
Pjesa e dytë Trajneri Duro sërish e nis me zëvendësim, pasi duke parë që kapiteni Nexhipi nuk ishte në kondicionin e duhur, vendosi të aktivizojë Trashin. Në këtë pjesë të dytë gjithçka shkoi sipas dirigjimit të kryeqytetasve, të cilët me qetësi arritën të administronin fitoren e pjesës së parë. Përpos ndryshimeve të bëra, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Në minutën e 63-të ka një moment të diskutueshëm, pasi Teuta pretendon për një penallti të padhënë, pas ndërhyrjes së Vrapit ndaj Magalahes. Për Partizanin në këtë pjesë vlen debutimi i 22-vjeçarit, Liridon Osmani.

MË I MIRI
Sulmuesi serb, Steven Raçiç, edhe ndaj Teutës, ishte njeriu i suksesit të Partizanit, ku në minutën 40-të shënoi golin e parë dhe dy minuta më vonë dha asistin e golit të dytë. Raçiç duhet konsideruar personi që i ka dhuruar 10 pikë Partizanit të trajnerit Duro. Në formë të shkëlqyer ka qenë dje edhe mesfushori Batha, i cili ishte i kudondodhur duke shkatërruar sulmet e durrsakëve. Mbrojtja dhe sulmi i të kuqve vijojnë të shkëlqejnë në tri javët e fundit.

MË PAK AKTIVI
Te Teuta çaloi finalizimi i sulmeve, ku përpos insistimeve të Nikës, Pepa mbeti në hije duke mos dhënë asgjë në fushë. Pa dyshim faj ka edhe mbrojtja durrsake, pasi në kuadrin e dy minutave arrin të marrë dy gola duke mos neutralizuar sulmuesit e kuq. Te Partizani po shikohet një Nderim Nexhipi jo në formën e tij, gjë e cila solli edhe zëvendësimin me fillimin e pjesës së dytë. Gjithashtu edhe Vila nuk dha atë çfarë pritej në këtë sfidë ndaj ish-skuadrës së tij.

DuroFeston Duro: Ishim superiorë
Trajneri Shpëtim Duro ndihet shumë i kënaqur me ekipin e tij që ndaj Teutës mori suksesin e tretë radhazi. Për trajnerin e Partizanit, humbja me Apoloninë mbetet një nga pengjet e tij, por mbase kjo disfatë bëri që ekipi të motivohet dhe të marrë 9 pikë radhazi dhe të kapë kreun.
Pas dy fitoreve me dy ekipet pretendente, Partizani ka fituar sërish edhe ndaj Teutës…
Kemi qenë superiorë ndaj durrsakëve, sidomos në pjesën e parë, ku arritëm të shënonim dy gola. Normalisht në pjesën e parë Teuta na vuri në vështirësi në disa momente, por më pas e kuptuam lojën e kundërshtarit dhe reaguam shpejt. Shënuam dhe më pas kemi kontrolluar pjesën më të madhe të lojës. Në pjesën e dytë kemi administruar lojën me mjaft qetësi. Tashmë duhet të vazhdojmë seritë pozitive.
Jeni i kënaqur nga ekipi, apo ka vend për përmirësim?
Skuadra është e re dhe normalisht në çdo ndeshje shikoni lojtarë të rinj. E rëndësishme është që ne të fitojmë dhe gradualisht do të jemi plotësisht të konsoliduar. Pas ndeshjes së Fierit e kemi përmirësuar shumë skuadrën në aspektin mbrojtës dhe në tri ndeshje nuk jemi penalizuar me asnjë gol. Nga ana tjetër, kemi shënuar. Këto janë tregues pozitivë për ekipin.
Situata e Vilës duket e paqartë. Ka probleme fizike apo psikologjike?
Vila është një lojtar polivalent dhe nuk është lojtar që luan nga e majta apo nga e djathta. Vila ka probleme më shumë psikologjike. E njëjta situatë është edhe me Nexhipin. Gjithsesi ai ka dhënë kontribut për ekipin dhe shpresojmë që të japë sërish. Unë jam i kënaqur nga të gjithë dhe ekipi ka shumë lojtarë që mund të realizojnë rotacionin, sipas ndeshjeve të veçanta dhe brenda lojës. Kam futbollistë dhe shumë alternativa. Ju patë sot (dje) debutimin e Osmanit që është një lojtar i talentuar. Akoma më shumë jam i bindur për dy sulmuesit Raçiç dhe Fazliun. Isha i bindur që Fazliu do të shënonte. E njoh shumë mirë lojtarin dhe e aktivizova në qendër të sulmit pranë Raçiç.
A jeni gati për derbin?
Normalisht, ajo është ndeshja e radhës dhe ne jemi gati. Por patjetër që nuk e ka atë pritshmërinë e duhur për shkak të mungesës së tifozëve. Me mungesën e tifozëve çdo gjë do të duket e zbrazur dhe aspak e këndshme për një lojë të këtyre përmasave.

Fazlliu dhe Osmanaj prezantohen te PartizaniFazlliu: Goli im i parë shkon për tifozët e Partizanit
Astrit Fazliu ka shënuar dje golin e parë me të kuqtë dhe për kosovarin ky është vetëm fillimi. Golin Fazliu ua ka dedikuar tifozëve të kuq që i mbështetën gjatë gjithë ndeshjes, por i shikon si mungesë në derbi, i cili do të luhet pa praninë e tifozëve. “Trajneri Duro gjithnjë ka pasur besim tek unë dhe jam munduar që t’ia kthej me të mira edhe te Shkëndija. Pas dy fitoreve me Skënderbeun dhe Kukësin na priste një tjetër ndeshje e vështirë dhe falë angazhimit të plotë të ekipit, arritëm të fitonim edhe ndaj Teutës. Përpos angazhimit të ekipit, edhe tifozët na përkrahën gjatë gjithë takimit kështu që arritëm të merrnim një fitore shumë të rëndësishme. Çdo fillim ka vështirësitë e veta, por këtu kam gjetur një ambient shumë të mirë, pasi me disa lojtarë kam luajtur te Shkëndija dhe te Prishtina. Po familjarizohem mirë me grupin dhe në vazhdim do të jem më i fortë. Meqenëse ky është goli i parë që shënoj me fanellën e Partizanit, atë dua t’ua dedikoj tifozëve të ekipit, të cilët gjatë gjithë ndeshjes nuk reshtën së më mbështeturi. Ky është vetëm goli im i parë me Partizanin, pasi në vijimësi pres të shënoj sa më shumë”, u shpreh Fazliu.
Derbi – Sulmuesi kishte dëshirë që derbi të luhej me tifozë, por duke qenë përballë këtij fakti, ai kërkon fitoren ndaj bardhebluve. “E kam pritur shumë që derbi me Tiranën të jetë me tifozë, pasi atmosfera do të ishte shumë e mirë, gjë që do të ndikonte edhe në cilësinë e lojës. Nuk kemi çfarë të bëjmë, duhet pranuar situata dhe ne si Partizan duhet të motivohemi shumë dhe ta fitojmë këtë derbi”, përfundoi Astrit Fazliu.

Lika ikën nga stadiumi, refuzon të flasë
Trajneri i Teutës, Hasan Lika, e ka përjetuar keq humbjen e djeshme 2-0 ndaj Partizanit. Ai është larguar menjëherë nga stadiumi pas përfundimit të takimit duke mos pranuar të flasë. Tekniku është parë shumë i mërzitur pas kësaj disfate, në një kohë që ka parë skuadrën e tij në fushë të mundet lehtësisht nga të kuqtë. Pas largimit të djeshëm, Lika rrezikon që të gjobitet nga komisionet disiplinore pranë FSHF-së për shkak se nuk ka dhënë prononcim pas ndeshjes. Çdo trajner e ka të detyrueshme që të flasë për mediat pas çdo sfide, në një kohë që Lika nuk e ka zbatuar rregullin në takimin e djeshëm. Lika rrezikon edhe postin e tij te Teuta.

“Nuk luhet derbi pa tifozë”
Pas kësaj fitoreje të pastër me Teutën, në javën pasardhëse, të kuqtë e trajnerit Duro i pret derbi me Tiranën, ku bardheblutë janë organizatorë. Për shkak të dënimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës, derbi i radhës do të luhet pa tifozë. Kjo gjë nuk u pëlqen as tifozëve të kuq, gjë të cilën ata e kanë demonstruar edhe gjatë ndeshjes së djeshme. “Ultras Guerrils” në disa raste ka bërë thirrje që nuk luhet derbi i kryeqytetit pa praninë e tifozëve në stadium. Përpos kësaj thirrjeje, në fund ata i kanë kërkuar ekipit me anë të brohoritjeve që ta fitojnë derbin edhe për ata, pasi e kanë të pamundur që t’i mbështesin. Tifozët e kuq janë përgatitur prej kohësh për këtë derbi, por puna e tyre nuk mund të shikohet, pasi takimi do të luhet pa praninë e spektatorëve.

Goli i dyshimtë dhe pretendime për penallti
Gjykimi i Remzi Sadikut nuk ishte në nivelin e duhur, pasi në takimin Partizani-Teuta pati disa momente të diskutueshme. Në minutën e 19-të, Nika brenda zonës bie në fushë, pas ndërhyrjes së Vrapit, gjyqtari vijon lojën, ndonëse miqtë pretendojnë për penallti. Nga përsëritjet televizive rezultoi se goli i dytë i të kuqve ishte në pozicion jo të rregullt, pasi pasimi i Raçiç e gjeti më të avancuar Fazliun. Në minutën e 63- të ka një dyluftim mes Magalhaes dhe Vrapit. Mbrojtësi i të kuqve, me zgjatjen e këmbës, largon topin, por sulmuesi gjatë kontaktit bie në zonë, por gjyqtari vijon lojën, pasi Vrapi më parë kishte larguar topin. Gjithashtu në dy raste gjyqtari Sadiku ndërpreu lojën, pasi tifozëritë respektive ofendonin njëra-tjetrën.
ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"