Partizani mendon dhe për ekipin tjetër, të kuqtë “gërrmojnë” për dy emra në Kategorinë e Dytë
Lojtarë jo vetëm për Partizanin e Ilir Dajës, por edhe për ekipin B që do të militojë në Kategorinë e Parë në sezonin 2020-2021. Klubi i kuq ka nisur merkaton dhe po mendon që të bëjë gati një grup lojtarësh, të cilët jo vetëm mund t’i shërbejnë më së miri ekipit B, por të jenë në dispozicion të Dajës edhe për skuadrën e parë. “Panorama Sport” mëson se drejtuesit i kanë hedhur sytë edhe nga elementët premtues në ekipet e Kategorisë së Parë dhe të Dytë.
Mjaftuan dy ndeshje që Partizani B zhvilloi në fazën “play off” ndaj Gramshit dhe Devollit, që të pikaseshin dy lojtarë shumë premtues. Bëhet fjalë për mesfushorin e krahut të Devollit, Klejdi Rapo, si dhe sulmuesin e Gramshit, Klaus Zani.
I pari ishte më i miri në fushë për skuadrën e tij gjatë ndeshjes me Partizan B, duke bërë lëmsh mbrojtësit e kuq sa herë kishte topin në këmbë. Shpejtësia e tij dhe karakteristikat që ka mund t’u bëjnë punë të dyja ekipeve të Partizanit, prandaj dhe mësohet se me lojtarin është arritur në parim akordi për t’u veshur i kuq. Rapo është 26 vjeç dhe këtë sezon ka shkëlqyer në Kategorinë e Parë. Ai ka dalë nga akademia e Skënderbeut, ndërsa ka luajtur edhe për Pogradecin.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për 21- vjeçarin nga Gramshi, Zani. Cilësitë e tij u kanë pëlqyer drejtuesve të kuq, që menjëherë janë futur në bisedime me të riun dhe shumë shpejt ai do të jetë në dispozicion të Partizanit B, që drejtohet nga Dritan Mehmeti. Ai mund të përdoret edhe nga skuadra U-21, që do të krijohet për herë të parë këtë sezon, duke qenë se FSHF-ja do të organizojë kampionatin.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"