Endri Vrapi i bashkohet Partizanit: Dikur më larguan brazilianët, rikthehem për revansh
Me ardhjen e mes fushorit nigerian Sulaimon Adenkule, i cili ende nuk është prezantuar nga klubi, trajneri Shpëtim Duro do të deklaronte se merkatoja e Partizanit është e mbyllur. Por dje të kuqtë kanë prezantuar mbrojtësin Endri Vrapi, për të cilin “Panorama Sport” paralajmëroi prej ditësh se do të ishte pjesë e “demave”. Kështu që me Vrapin merkato duhet quajtur e mbyllur, por zyrtare mund të konsiderohet vetëm atëherë kur të publikohet lista përfundimtare e lojtarëve të federuar në FSHF. Ish-lojtari i ekipit kombëtar është prezantuar dje në ambientet e klubit pa praninë e mediave dhe afrimi i tij është bërë i njohur përmes një njoftimi të zyrës për shtyp. Lojtari ka dalë nga radhët e Partizanit, kështu që ai e konsideron rikthim në familje. Ndonëse afrimi i tij është kontestuar nga tifozët, mbrojtësi ka besim se me kontributin e tij do t’i bëjë për vete, pasi kudo ku ka luajtur i është përkushtuar fanellës.
Endri, e keni nisur futbollin te Partizani dhe jeni veshur sërish i kuq. Mos ka të bëjë me fillimin dhe mbarimin e karrierës?
Jo, nuk është tamam kështu, pasi është herët për të menduar për të lënë futbollin e luajtur. Vërtet si futbollist kam dal nga radhët e Partizanit, që asokohe drejtohej nga presidenti Albert Xhani. Presidenti e mbushi me brazilianë dhe ne futbollistët vendës u detyruam të shtegtonim. Gjithsesi, jam i lumtur që u ktheva te klubi që më krijoi si futbollist.
Cila ishte arsyeja dhe shtysa që u veshët sërish i kuq?
Duke qenë familjar dhe me fëmijë është mirë që të jesh pranë familjes. Kështu që shtysë për afrimin tim te Partizani është familja dhe oferta e kënaqshme e klubit, e cila përputhej me kushtet e mija. Afrimi te Partizani ishte edhe me miratimin e presidentit të Besës, Nexhat Bizhdili, pasi prej ditësh isha pjesë e klubit kavajas. Kështu që familja ishte primare në këtë zgjedhje.
Afrimi juaj është kontestuar nga tifozëria e kuqe, si do e komentoni këtë gjë?
Personalisht nuk kam asgjë me tifozët e Partizanit, madje shumë prej tyre janë miqtë e mi më të mirë. Tifozi është adrenalina për çdo futbollist. Kudo që kam luajtur, jam treguar profesionist, duke iu përkushtuar fanellës që kam mbajtur veshur. Tifozëve të Partizanit u premtoj vetëm përkushtim për fanellën dhe kontribut maksimal në realizimin e objektivave që ka klubi.
Keni fituar titullin me Elbasanin dhe Skënderbeun. Mendoni se këtë gjë mund ta shijoni edhe si pjesë e Partizanit?
Ëndrra e çdo futbollisti është që kudo që luan të fitojë titullin kampion, kështu që këtë do e dëshiroja edhe këtë sezon. Sezoni është i gjatë dhe, ndonëse ekipi ka marrë një pikë në dy ndeshje, çdo gjë është e rikuperueshme dhe shpresoj që në fund gjërat të shkojnë sipas objektivave të klubit.
Në sezonin e fundit derbin e luajtët si bardheblu, në fund të shtatorit është takimi i radhës. Si i kuq do të dëshironit revansh në fushë?
Është herët për të folur për këtë gjë sepse, para se të shkojmë atje, duhet të kalojmë tri sfida të forta. Patjetër që kur t’i vijë radha do të flasim edhe për derbin.
Para 2 javësh e mohuan, tani e prezantuan
Më 16 gusht “Panorama Sport” njoftoi se Endri Vrapi ishte pranë Partizanit, por klubi në mënyrë rrufe e përgënjeshtroi lajmin me motivacionin se nuk kishte kontakt mes palëve. Mirëpo dje klubi e ka prezantuar mbrojtësin pa praninë e mediave dhe, me anë të një njoftimi për shtyp, konfirmon afrimin e tij tek të kuqtë. Ja njoftimi: “Klubi zyrtarizon sot (dje) arritjen e marrëveshjes me Endri Vrapin. Mbrojtësi me eksperiencë ka firmosur kontratën njëvjeçare me të kuqtë me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon. Vrapi do të mbajë të veshur fanellën me numër 44 dhe do t’i bashkohet skuadrës të martën, kur do të nisin dhe përgatitjet për takimin e rëndësishëm të javës së tretë ndaj Skënderbeut”.
ILIR CARA