Partizani pa shënjestër, ngec me Vlonjatët. Të kuqtë nuk pësojnë gol prej 5 ndeshjesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2014 | 21:56

Partizani pa shënjestër, ngec me Vlonjatët. Të kuqtë nuk pësojnë gol prej 5 ndeshjesh

Partizani-Flamurtari 0-0. Krasniqi markon FazlliunPARTIZANI-FLAMURTARI 0-0
PARTIZANI: Hoxha, Fejzullahu, Rrahmani, Vrapi, Cuculi, Mazrekaj (Daja 46′), Trashi, Nexhipi (Osmanaj 82′), Vila, Fazlliu, Raçiç (Vatnikaj 82′). Trajner: Sh.Duro (Në dispozicion: Xhika, Dishliev, Ibrahimi, Mustafa)
FLAMURTARI: Lika, Idrizaj, Veliu, Krasniqi, Mici, Arbëri, Lena (Kuqi 90’+2), Telushi, Vucaj (Meto 81′), Gilberto (Abilaliaj 63′), Gelashvili. Trajner: E.Gjoka (Në dispozicion: Xhelili, Sakaj, Shehaj, Metaj)
KARTONË TË VERDHË: Cuculi 23′, Trashi 27′ / Arbri 20′, Gilberto 27′, Mici 40′, Telushi 69′
VËZHGUES: Mikel Shestani (Shkodër)
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
GJYQTARET: A.Koçi, F.Lama, E.Velo (Durrës), R. Sadiku (Elbasan), A. Beqiri (Tiranë)

MINUTAT
1′ Gelashvili merr një top të gjatë në zonën e Partizanit, por gjuajtja e gjeorgjianit ndalet nga portieri Hoxha.
2’Nexhipi shërben për Fazliun që hyn në zonë me gjithë top, por nga ndërhyrja e mbrojtësve miq bie në fushë dhe kërkon penallti, gjyqtari vijon lojën.
7′ Goditje këndi për vlonjatët, Vucaj nga këndi e lëshon topin në zonë, godet Veliu me kokë pret Hoxha.
12′ Goditje dënimi për të kuqtë. Topi i gjuajtur nga Mazrekaj largohet nga Kapiteni Veliu.
21′ Raçiç provon të rrezikojë nga një goditje dënimi jashtë zonës, por topi kalon afër shtyllës pingule dhe jashtë.
30′ Telushi provon me një gjuajte të fortë nga distanca, por jashtë.
34′ Mazrekaj merr bukur krahun e majtë të sulmit të Partizanit dhe afër vijës fundore lëshon një top në zonë, ku Raçiç e godet me kokë, por topi devijohet nga mbrojtësit vlonjat.
53′ Kundërsulm i shpejtë i të kuqve. Cuculi merr krahun e majtë dhe hedh një top në zonë, por sulmuesi Raçiç nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë.
54′ Fazliu provon nga distanca me një gjuajtje tokazi, por pa rrezik për portierin Ilion Lika.
55′ Kundërpërgjigjen vlonjatët me një sulm të bukur, Gilberto gjuan bukur, pret portieri Hoxha.
57′ Fazliu nga e majta shërben për Vilën që falë ndërhyrjes së shpejtë të portierit Lika, nuk arrin të gjuajë si duhet topin.
70′ Topi i kthyer nga mbrojtja kuqezi pas goditjes nga këndi shkon te Cuculi që gjuan fort, por pret portieri Lika.
71′ Sulm i rrjedhshëm i të kuqve. Fazliu kombinon me Cuculin, ky shërben për Nexhipin në të djathtë, gjuan, por Lika bën mrekullinë dhe largon topin.
76′ Goditje dënimi. Topi i gjuajtur nga Nexhipi shkon te Vila që e godet me kokë, por përfundon jashtë kuadratit.
85’Cuculi merr përsipër të gjuajë një goditje standarde. Ai shërben për Fejzullahun në të djathtë që hyn në zonë, lëshon topin drejt portës së Flamurtarit, por asnjë nga lojtarët e pranishëm nuk arrin të bëjë devijim final duke humbur një rast të pastër shënimi.
90′ Vatnikaj gjuan nga jashtë zone, por topi përfundon jashtë.

Partizani dhe Flamurtari vinin në përballjen e djeshme si bashkëkryesues me 11 pikë, por edhe në përfundim të sfidës së djeshme të dy ekipet nuk arritën të ndahen dot, pasi gjithçka përfundoi në barazim 0-0. Ndeshja e djeshme pati dy tablo, ku në pjesën e parë ishin vlonjatët ata që e menaxhuan më mirë lojën, ndërsa në pjesën e dytë Partizani merr frenat, por shpërdoron disa raste shënimi. Pika duket se i ka kënaqur të dy trajnerët në përfundim të ndeshjes, pasi, sipas tyre, u ndeshën dy skuadra pretendente, rivale të njëra-tjetrës dhe të dy kampet kanë bërë afrime cilësore në merkaton e verës. Takimi u zhvillua në një atmosferë festive, pasi të pranishëm në stadiumin “Qemal Stafa” ishin mbi 5 mijë vetë. Por rezultati nuk e përligji interesimin. Faktikisht ishte një ndeshje e skemave taktike, ku lojtarët mundoheshin që të zbatonin sa më mirë detyrat në mesfushë duke bllokuar njëra-tjetrën. Partizani vijon ta mbajë të paprekur portën në pesë ndeshjet e fundit.
Pjesa e parë – Flamurtari e nisi më mirë ndeshjen dhe që në minutën e parë ka një mundësi me Gelashvilin. Pastaj, një minutë më vonë, të kuqtë pretendojnë për një penallti, ku Fazliu pengohet brenda zonës. Me kalimin e minutave duket qartë se vlonjatët janë më të rrjedhshëm në qarkullimin e topit, ndërsa Partizani i beson pasit të gjatë dhe goditjeve standarde. Të dy trajnerët patën mungesa në këtë takim, ku Duro nuk kishte në dispozicion mesfushorët Batha dhe Shabani, ndërsa Ernest Gjoka nuk kishte shërbimet e Muzakës, Douglas dhe Gilman Likës. Mazrekaj nuk e kishte freskinë e ndeshjeve të tjera dhe për këtë arsye në pjesën e parë çaloi edhe loja e të kuqve në të majtë. Rrezikshmëria kryesore në portat e Hoxhës dhe Likës vijnë nga goditjet standarde, ku mungojnë aksionet e rrjedhshme nga të dy kampet. Në dallim nda sfidat e tjera, Emiljano Vila lëvizi shumë duke i dhënë gjallëri lojës së të kuqve, por Flamurtari ka vendosur “digën” që në mesfushë. Ajo që i bëri superior vlonjatët ndaj “demave” në pjesën e parë ishte qarkullimi i topit. Loja në disa raste ishte e ashpër, ku nuk munguan edhe ndërhyrjet e ashpra, që në disa raste u falën edhe nga gjyqtari Koçi.
Pjesa e dytë – Trajneri Shpëtim Duro e nisi takimin me një zëvendësim, ku në vend të Mazrekajt, aktivizohet Daja. Me hyrjen e Dajës në fushë, të kuqtë ndryshojnë rreshtim, ku ish-dinamoviti pozicionohet në qendër, Fazliu spostohet në të majtë, ndërsa Nexhipi rreshtohet pas sulmuesit Raçiç. Të kuqtë janë më kërkues se vlonjatët në këtë pjesë dhe gradualisht e zhvendosin lojën në gjysmëfushën e Flamurtarit. Në minutën e 53-të, pasimi i ardhur nga Cuculi nuk devijohet si duhet nga Raçiç. Në minutën e 56- të, Gilberto godet tokazi, por pret Hoxha. Pas dëmtimit të Gilbertos, Gjoka lëshon në fushë Abilaliajn, por nuk dha asgjë. Në minutën e 70-të, Cuculi gjuan fort, duke detyruar portierin Lika të grushtojë me vështirësi. Një minutë më vonë të kuqtë kryejnë një aksion perfekt, por goditjes së Nexhipit i thotë jo “gardiani” Lika. Në minutat e fundit, trajneri Duro freskon sulmin, Vatnikaj dhe Osmanaj hynë në vend të Raçiç dhe Nexhipit. Ndërsa Gjoka aktivizon Agim Metën në vend të Vucajt. Në minutën e 85-të të kuqtë humbasin një mundësi të pastër shënimi. I gjithë takimi mbyllet në barazim 0-0 dhe Partizani dhe Flamurtari mbetën të pandarë tashmë në kuotën e 12 pikëve.

MË I MIRI
Në një takim që rëndësi i kushtohet taktikës dhe që përfundon në barazim 0-0, është e vështirë të spikasësh të dalluar. Gjithsesi, mbrojtja e Partizanit edhe dje e kreu shumë mirë detyrën, duke e mbajtur të paprekur portën. Mesfushori Emiljano Vila dje ka bërë një paraqitje pozitive duke prekur çdo sektor të fushës, por pa mundur të shënojë. Te Flamurtari spikati portieri Ilion Lika që me disa ndërhyrje në pjesën e dytë, u bë shpëtimtari i portës vlonjate.

MË PAK AKTIVI
Te Partizani, lojtari që nuk kishte ngjashmëri me paraqitjen e javëve të shkuara ishte Mentor Mazrekaj. Kosovari vinte pas një jave jo të mirë, ku nuk ishte përgatitur njëlloj me grupin, pasi kishte kaluar edhe një lëndim. Ndërsa te Flamurtari braziliani Gilberto la shumë për të dëshiruar me paraqitjen e tij, madje për këtë u ankua edhe te stafi me pretekstin se nuk shërbehej nga shokët.

Dashamirës kinezë mësyjnë tribunën VIP
Takimi i djeshëm mes Partizanit dhe Flamurtarit ngjalli interes, gjë e cila u pa edhe në tribunën VIP, e cila ishte e mbipopulluar. Ajo që ra në sy ishte një prani e madhe e disa kinezëve, ku bënin pjesë meshkuj dhe ferma. Rreth prezencës së tyre të djeshme në stadium u tha se ata janë miq të drejtuesve dhe dashamirës të futbollit. Por më herët ka pasur edhe zëra se biznesmenë kinezë që operojnë në disa vepra të mëdha në Shqipëri, mund të investojnë edhe për Partizanin. Kështu që prania e djeshme e këtij delegacioni kinez në stadium është marrë si ogur i mirë për afrimin e donatorëve të rinj te të kuqtë e kryeqytetit. Mbetet për t’u parë sesi do të rrjedhin ngjarjet në vazhdimësi, kur dihet se në shtatë javë kampionat, Partizani ka luajtur pa logo sponsori në uniformë.
ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"