Entonio Pashaj: Do të rikthehem te Tirana, trajneri Rubio më ka dhënë OK

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2012 | 10:40

Entonio Pashaj: Do të rikthehem te Tirana, trajneri Rubio më ka dhënë OK

Entonio Pashaj mund të rikthehet te Tirana. Mbrojtësi, i cili sezonin e fundit e mbylli në Krujë, me shumë gjasa mund të jetë pjesë e bardhebluve për sezonin e ri. Ka qenë vetë trajneri Hulian Rubio, ai që i ka kërkuar të jetë pjesë e kryeqytetasve. Këtë fakt e konfirmon vetë lojtari. I kontaktuar nga gazeta, futbollisti që deri në verën e vitit 2012 ka qenë pjesë e 24 herë kampionëve të vendit, rrëfen bisedën që ka pasur me Rubion. “Kam pasur kontakte me trajnerin Hulian Rubio. Madje jam takuar tri herë me të para se ai të nisej drejt Spanjës. Më kërkoi që të rikthehem te Tirana për sezonin e ri dhe sigurisht që kjo më josh, pasi kam luajtur për atë fanellë. Më shprehu se situata ka ndryshuar dhe se nuk ka më probleme financiare dhe normalisht kjo është një pikë që bardheblutë e kanë vuajtur shumë. Ndër të tjera më tha se, përveç kohës kur isha te Tirana, ai më ka ndjekur edhe kur luaja me krutanët. Pra, mesa duket Rubio ka krijuar një farë simpatie për mua si lojtar. Megjithatë, përpos takimeve që zhvillova me të, nuk mund të flas për zyrtarizime. Kjo është më shumë se e qartë, pasi dihet që spanjolli për momentin ndodhet me pushime dhe ende nuk është sqaruar e ardhmja e tij, nëse do të kthehet në Shqipëri apo jo. Me klubin bardheblu nuk kam folur, thjesht me trajnerin. Te Tirana ka miq dhe sigurisht që do të doja të luaja sërish, por jo gjithçka është në dorën time”, – me këto fjalë e ka nisur deklaratën mbrojtësi, duke na treguar atë çka ka diskutuar me trajnerin spanjoll të kryeqytetasve.
Ofertat Veç Rubios duket se Shkëlqim Muça i Flamurtarit është i joshur nga Entonio Pashaji. Kujtojmë që, pak ditë më parë, në kampin vlonjat është lakuar edhe emri i këtij futbollit për mbrojtjen e kuqezinjve. Fakti që trajneri tiranas i njeh shumë mirë cilësitë e këtij lojtari, kërkon që ta afrojë në Vlorë për sezonin e ri futbollistik. I pyetur për këtë pistë, vetë mbrojtësi nuk i mohon këto zëra, përkundrazi e pranon hapur se ka pasur kontakte me këtë klub gjatë ditëve të fundit. “Po, kam pasur kontakte me stafin teknik të vlonjatëve, të cilët më kanë bërë edhe një ofertë. Megjithatë, për momentin edhe në këtë drejtim nuk ka asgjë konkrete. Kështu, gjithçka mbetet për t’u parë”, – tha në përfundim Pashaji.

Shumë emra, por asgjë konkrete
Çështja e trajnerit po kthehet në një rebus te bardheblutë, ndonëse pritet që shumë shpejt të marrë zgjidhje. Emra ka plot, siç është ai i Mirel Josës, Rudi Vatës, kroatit Zoran Vuliç dhe italianit Agostineli, mirëpo në klub këmbëngulin për Rubion. Trajneri ka pasur një kontakt së fundmi me klubin, por jo për rinovimin. Dëshira nga ana e spanjollit për t’u rikthyer në kryeqytet ekziston dhe kjo kuptohet nga ulja e kërkesave të tij financiare. Por, tashmë gjithçka mbetet në duart e drejtuesve bardheblu. Një tjetër problem jo i vogël është merkatoja. Skuadra ka nevojë imediate për ndërhyrje ku, përpos grupit ekzistues, duhet të afrohen shumë të tjerë. Nga mbrojtja deri te sulmi ka nevojë për afrime, kjo për të rritur konkurrencën, që në sezonin që lamë pas as që u ndie si fenomen.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"