Pejiç largon “fantazmat”, Skënderbeu prek titullin. Bizhdili: Nuk na duan në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2014 | 18:05

Pejiç largon “fantazmat”, Skënderbeu prek titullin. Bizhdili: Nuk na duan në Superiore

Skenderbeu kryesoreSKËNDERBEU-BESA 1-0
GOLI: Pejiç 53′
SKËNDERBEU: Shehi, Gvozdenoviç, Radas, Arapi, Dimo, Lilaj, Shkëmbi, Nimaga (Alikaj 47′), Tahirllari (Tomiç 66′), Ribaj (Hyseni 87′), Pejiç. Në dispozicion: Llapanji, Bici, Ademir, Sahiti. Trajner: Mirel Josa
BESA: Bejte, Jashanica, Haliti, Fejzullahu, Stafa, Dita (Sefa 72′), Muçaj, Deliallisi (Ramadanaj 34′), Berisha, Guri (Mancaku 56′), Muriqi. Në dispozicion: Lika, Perja, Bajaziti, Çelhaka. Trajner: Dorian Bubeqi (zv)
KARTONË TË VERDHË: Dimo 58′, Ribaj 84’/ Muçaj 17′ Fejzullahu 27′, 30′, Muriqi 49′
KARTON I KUQ: Fejzullahu 30′
DELEGAT: Uvil Zajmi
VËZHGUES: Sami Elezi
GJYQTARET: Kridens Meta/ E.Doda dhe R.Avdo

MINUTAT
3′ Muriqi në hyrje të zonës tenton të gjuajë, por para tij del Shehi dhe ia largon topin nga këmba.
10′ Gjuajtje-kros e Blendi Shkëmbit në zonë, del Bejte dhe grushton topin.
18′ Ribaj shmang një mbrojtës, hyn në zonë sërish nga e majta e sulmit, pason në qendër, aty Jashanica devijon topin në korne por për pak sa nuk shkakton autogol.
35′ Guri tenton një gjuajtje fluturimthi nga jashtë zonës, por jashtë.
36′ Çfarë humb Pejiç!!! Shkëmbi pason bukur në hyrje të zonës për kroatin, ky i fundit rrotullohet dhe del ballë për ballë portierit, por gjuan shumë dobët, me topin që përplaset në trupin e Bejtes.
40′ Lilaj pason për Shkëmbin, ky me të parën në zonë për Ribajn, sulmuesi shmang një mbrojtës dhe gjuan por topi ndalet nga traversa.
45+1′ Berisha ekzekuton një goditje dënimi, kroson në zonë, aty ku në rrëmujë Muçaj shënon, por arbitri anulon golin për një faull të Muriqit në sulm. Rast shumë i dyshimtë që duhet trajtuar gjerësisht në moviolë.
48′ Goditje dënimi për Besën, kros në zonë, Jashanica me kokë, pret Shehi.
52′ Goditje këndi për Skënderbeun, Shkëmbi kroson në zonë, Arapi me kokë, topi kalon ngjitur me shtyllën pingule të Bejtes.
53′ Kros në zonë, topi largohet nga mbrojtja kavajase, Dimo gjuan nga jashtë, por topi ndalet në afërsi të pikës së penalltisë nga Pejiç, ky i fundit rrotullohet dhe gjuan në portë, duke shënuar 1-0.
70′ Shkëmbi pason bukur për Ribajn, i cili gjen një korridor të lirë ne qendër të zonës, por në momentin e fundit i largohet topi nga portieri Bejte, i cili kishte dalë nga porta.
77′ Stafa shmang bukur Arapin, kroson në zonë, Sefa me kokë, por pret Shehi.
78′ Muriqi në gjysmëfushën e Skënderbeut paso bukur për Sefën, i cili në hyrje të zonës gjuan bukur por grushton mrekullisht Shehi.
81′ Ribaj hyn në zonë nga e majta, pason paksa prapa për Pejiç që ishte thuajse te pika e penalltisë, gjuan por shumë, shumë dobët duke bërë që Bejte të mos ketë problem të ndalë topin.
87′ Muriqi tenton jashtë zonës, por gjuajta e tij përfundon mbi tra.

Skënderbeu fiton minimalisht ndaj Besës, duke bërë një hap të sigurt drejt titullit kampion, ku natyrisht në ndihmë i ka ardhur edhe humbja e Kukësit në kryeqytet me Partizanin. Shënon sërish Pejiç, i cili vijon të kryesojë listën e golashënuesve, teksa Besa merr goditjen e radhës, por mbetet ende me shpresa për mbijetesë. Përtej, këtyre konfirmimeve që dha 90 minutëshi i djeshëm, duhet thënë se në Korçë u luajt një ndeshje më shumë se burrërore, me një Skënderbe që nuk po del ende në lojën e tij më të mirë, kjo edhe për shkak të dëmtimeve të shumta që e kanë kushtëzuar këtë skuadër, si dhe me një Besë heroike që tentoi deri në fund barazimin, edhe pse me një lojtar më pak në fushë që nga minuta e 30-të.
Ndeshja – Vendësit humbin Muzakën në nxehje, një tjetër goditje kjo për Josën, i cili provon kartën “Tahirllari”. Nga ana tjetër, Besa zbret në fushë pa sulmuesin e saj Fatjon sefa dhe natyrisht edhe pa trajnerin Artan Mërgjyshi, i cili ishte i pezulluar për këtë ndeshje. Takimi nis me verdhëzinjtë që tentojnë të “bezdisin” Shehin dhe këtë e bëjnë me Muriqin. Por, gjithsesi “padronë” të fushës janë vendësit, të cilët mundohen të qarkullojnë sa më shumë topin, duke tentuar më pas vertikalizimin drejt dyshes Pejiç- Ribaj. Tahirllari dhe Nimaga shkëmbejnë shpeshherë krahët në mesfushë për të krijuar sa më shumë probleme për miqtë, por rastet e rrezikshme mungojnë. Madje 30 minutat e para do mbahen mend vetëm për dy të verdhat e merituara deri diku nga Fejzullahu, i cili në minutën e 30-të e la Besën me një lojtar më pak. Goditje për miqtë, ndërkohë që vendësit tani besojnë edhe më shumë, duke bërë presion të vazhdueshëm në gjysmëfushë. Vjen minuta e 36-të dhe Pejiç ka rastin më të pastër për të shënuar, por kroati edhe pse del ballë për ballë portierit, nuk arrin të shënojë. Katër minuta më vonë është traversa që ndal Ribajn, teksa dëshpërimi në fytyrën e sulmuesit është jo vetëm i drejtë por edhe goxha i lexueshëm. Ndërkohë, edhe pse me një lojtar më pak, Besa shikon nga porta e Shehit dhe në minutën e parë shtesë shënon një gol, por që anulohet për faull në zonë.
Goli – Edhe pjesa e dytë është fotokopje e së parës: në fillim rrezikojnë miqtë dhe më pas janë vendësit që vihen në komandë. Minuta e 52-të, Shkëmbi kroson në zonë, aty ku Arapi me kokë nuk arrin ta dërgojë në rrjetë. Por goli nuk do vonojë, pasi një minutë më vonë gjuajtja e Dimos nga jashtë do ndalet nga Pejiç, në zonë dhe ky i fundit pasi rrotullohet, gjuan në portë duke shënuar. Qetësohen disi te bankina e vendësve, teksa me të drejtë ka shqetësime te miqtë. Sakaq, Besa nis të shikojë më shumë nga porta e Shehit dhe në një moment në minutën e 61-të, Berisha mund të kishte balancuar forcat në fushë, nëse arbitri do të kishte parë mirë një goditje të Dimos ndaj kosovarit. Për mbrojtësin do të ishte kartoni i dytë i verdhë. Gjithsesi, zëvendës/ trajneri Bubeqi bën zëvendësimet, duke luajtur me një skuadër totalisht sulmuese. Nuk përfiton sakaq Skënderbeu nga kjo situatë për të mbyllur takimin, teksa Ribaj e Pejiç shpërdorojnë pafund. Në minutën e 78-të është Sefa që ka një rast të pastër shënimi, por gjuajtja e tij nga jashtë zonës, grushtohet mrekullisht nga Shehi. Ndërsa tri minuta më vonë Pejiç ka mundësinë e “vulosjes” së rezultatit, por thuajse te pika e penalltisë gabon sërish. Gjithsesi, kjo nuk ndryshon rrjedhën e lojës, edhe për faktin se Besa nuk arrin më që të rrezikojë si duhet portën e kundërshtarit.

MË I MIRI
Shehi dhe Shkëmbi për Skënderbeun, si dhe Berisha për Besën shihen si lojtarët më të mirë në fushën e lojës. Portieri i korçarëve zgjidhi disa raste të vështira te porta e tij, teksa Shkëmbi tregoi edhe një herë gjithë klasin në organizimin e lojës së vendësve. Kosovari Berisha ishte ndër më të lëvizshmit dhe një nga ata që nuk u dorëzua deri në fund. Mungon në listën e më të mirëve Pejiç (edhe pse shënoi golin e vetëm), pasi humbi raste shumë të pastra shënimi.

MË PAK AKTIVI
Fejzullahu dhe Guri te Besa, si dhe Tahirllari te Skënderbeu stonuan me lojën e tyre. I pari është përgjegjës për dy gabimet e bëra në pjesën e parë, që detyruan Besën të luajë me një lojtar më pak. Ndërsa sulmuesi nuk ishte në një ditë të mirë, duke qenë se nuk shfrytëzoi si duhet ato pak raste që iu dhanë, duke mos mbajtur dot peshën e repartit ofensiv. Nën nivelin e kërkuar edhe Tahirllari te vendësit, i cili nuk shfrytëzoi rastin që iu dha duke luajtur si titullar.

Josa ndjek ndeshjen me vemendjeJosa: Vuajtëm, duhej të kishim vulosur rezultatin
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, ka kritikuar lojtarët e tij, pavarësisht fitores së djeshme me Besën. sipas Josës, Skënderbeu duhej të kishte mbyllur shumë më shpejt ndeshjen, për më tepër që kavajasit mbetën me një lojtar më pak. “Duhej ta kishim mbyllur më përpara lojën, sidomos kur Besa mbeti me një lojtar më pak. Bëmë shumë gabime, si në organizimin e lojës por edhe në pasimin e fundit. Gjithsesi, mendoj se na duhej kjo fitore, pas atyre rezultateve negative të javëve të fundit. Titulli? Kampionati nuk ka përfunduar akoma, pavarësisht se Kukësi ka humbuar sot (dje) ndaj Partizanit. Janë edhe 4 javë kampionat, pra 12 pikë në dispozicion, ndaj nuk është thënë edhe fjala e fundit. Mund të them se kemi pasur shumë probleme edhe për shkak të dëmtimeve, të cilat vijuan edhe sot me Nimagën, por gjithsesi përveç Bicit, të tjetër nuk më shqetësojnë shumë, pasi janë duke u rikuperuar.

Pejic del nga tuneli“I lumtur më shumë për fitoren sesa për golin”
Sulmuesi i Skënderbeut, Pero Pejiç, i dha edhe fitoren skuadrës me golin e vetëm që shënoi. “Ishte një javë shumë e mirë për ne. Tani me fitoren e Partizanit kundër Kukësit dhe pas fitores sonë kundër Besës kemi arritur që të çojmë në 8 pikë diferencën nga vendi i dytë dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme. Arritëm të fitonim 1-0 kundër Besës dhe mendoj se ishte një fitore shumë e rëndësishme, sidomos në aspektin psikologjik. Vinim pas katër humbjeve dhe fitorja për ne kishte qenë një detyrim në këtë sfidë. Më vjen më shumë mirë që i dhashë fitoren ekipit sesa për faktin se shënova edhe një gol më shumë në listën e golashënuesve. Për mua është e rëndësishme që skuadra të fitojë dhe ne të vijojmë kështu deri në fund. Për mua tashmë loja mbaroi dhe i gëzohem fitores”, ka pohuar Pejiç.

Bizhdili“Skenar i turpshëm, nuk na duan në Superiore”
Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, i pranishëm në stadiumin e Korçës, ka akuzuar federatën dhe arbitrat edhe për humbjen e djeshme ndaj Skënderbeut. “Nuk kam çfarë t’ju them unë për këtë takim. Ne luajtëm mirë, e panë të gjithë se bëmë një lojë të mirë, fitoren e di federata pse nuk na e jep neve. Shënuam një gol të rregullt dhe na u anulua, na u dha edhe një karton i kuq kundër. Ishte një gjykim skandaloz nga ana e arbitrave. Nuk e di nëse do të shpëtojmë, ndoshta do të vendoset në ndeshjen e fundit”, – pohoi Bizhdili. Në një linjë me të ka qenë edhe trajneri Artan Mërgjyshi, i cili dje ka qenë në tribunë, për shkak të pezullimit që mori nga ndeshja e javës së shkuar me Laçin. Për trajnerin po luhet një skenar i turpshëm në kurriz të Besës. “Edhe nëse ankohemi gjithmonë, e dimë që bien në vesh të shurdhët. Të gjithë e panë se çfarë katranosi gjyqtari në këtë ndeshje, ashtu sikundër e dimë se çfarë katranosi në ndeshjen me Laçin apo edhe në disa ndeshje të tjera. Megjithatë, ky është verdikti i futbollit jo të luajtur, por i atyre që nuk e duan Besën në Superiore. Nuk është puna vetëm këtu. Janë interesa më të mëdha që luhen. Po bëhet një skenar shumë i turpshëm kundër nesh, me një karton të kuq të akorduar kot dhe me një gol të rregullt të anuluar. Të gjitha këto, pa llogaritur ndeshjen me Laçin. Nuk dua të flas më tepër, pasi të gjitha këto nuk kanë më vlerë tani. Unë jam i kënaqur me ekipin, jo vetëm në ndeshjen e sotme (dje), por edhe në përgjithësi. Kemi luajtur mirë dhe s’e meritojmë të biem nga kategoria. Këtë e treguam edhe sot (dje) kundër kampionit në fuqi, duke pasur edhe shanset tona për të shënuar. Shanset janë akoma teorikisht për të shpëtuar nga rënia, por me këtë skenar të turpshëm ma merr mendja se nuk do të kemi mundësi të qëndrojmë. Ne po bëjmë maksimumin në çdo ndeshje, por në këtë situatë ndikon edhe gjendja psikologjike, ajo që e bën më të vështirë këtë situatë”, – ka pohuar Mërgjyshi.

Berisha BernardBernard Berisha: Fajtorë arbitrat, por edhe ne!
Sulmuesi i Besës, Bernard Berisha, ka fajësuar ekipin, por edhe arbitrat për gjendjen në të cilën ndodhet skuadra. “Bëmë një ndeshje të mirë, por arbitri prishi gjithçka me dashje vetëm për të na rrëzuar nga kategoria. Mendoj se edhe ne jemi fajtorë për këtë gjë, pasi kemi humbur shumë pikë në fushën tonë. Në ndeshjen ndaj Laçit u pa plotësisht se neve nuk na duan në Superiore. Mirëpo, ne jemi këtu, do të luajmë shanset tona deri në fund të sezonit dhe shpresojmë të qëndrojmë, pavarësisht se duan të na rrëzojnë. Problemi me tifozët e Korçës është i mbartur prej sezonit të kaluar dhe jam acaruar me ta, pasi nuk më respektojnë ashtu si duhet. Nuk e kuptoj pse të gjitha ato kontestime karshi meje, ndoshta ndikon edhe fakti që unë mundohem të jap më të mirën, çka nuk u pëlqen tifozëve kundërshtarë kur dikush nga ekipi tjetër lufton shumë në fushë”, – tha Berisha.

“Goli që na u anulua, i rregullt”
Zëvendëstrajneri i Besës, Dorian Bubeqi, theksoi se goli që iu anulua kavajasve ishte i rregullt. “Mua nuk më pëlqen shumë të bëj polemika, por e kam parë disa herë atë moment dhe them se goli ishte i rregullt. Nëse arbitri nuk do të gabonte, të paktën në atë rast, mendoj se ndeshja mund të kishte marrë një tjetër rrjedhë. Gjykoj se Besa bëri një ndeshje shumë të mirë, por ashtu si në takimin ndaj Laçit e pësojmë për shkak të arbitrave. Të vjen keq, pasi kjo skuadër me potencialin që ka nuk duhet të bjerë nga Superiorja. Ne do të bëjmë të pamundurën deri në fund”, – u shpreh Bubeqi.

Gabohet me Dimon, goli i parregullt
Skënderbeu-Besa nuk u ka shpëtuar rasteve për moviolë. Së pari është minuta e 30- të, kur Fejzullahu, pasi tenton të largojë një top, ngre këmbën në lartësinë e kokës së kundërshtarit dhe për arbitrin është karton i verdhë, i dyti për këtë lojtar dhe Besa mbetet me 10 futbollistë. Brenda rregullores vendimi i arbitrit. Ndërsa në minutën e 45-të, Besa shënon me Muçajn, por goli anulohet me të drejtë nga arbitri për një faull të Muriqit në sulm. Në këtë rast kanë protestuar kavajasit, madje edhe në përfundim të takimit, por pamjet filmike treguan se arbitri ka vepruar drejt. Ndërkohë ka gabuar arbitri në minutën e 61-të, kur i jep Dimos kartonin e dytë të verdhë për një ndërhyrje ndaj Berishës direkt në kërci. Arbitri jo vetëm që nuk jep karton ndaj mbrojtësit të Skënderbeut (do të ishte kartoni i dytë dhe automatikisht i kuqi), por nuk jep as goditje dënimi për Besën.
LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"