“Pengu më i madh që nuk dolëm në Superiore”, Frashëri “i shkel syrin” Flamurtarit për rinovimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2024 | 17:46

“Pengu më i madh që nuk dolëm në Superiore”, Frashëri “i shkel syrin” Flamurtarit për rinovimin

Erlis Frashëri “i shkel syrin” Flamurtarit. 36-vjeçari nuk është aspak pishman që në janar la Skënderbeun, ku ishte edhe kapiten, për t’u transferuar në Vlorë, ku me sa duket dëshiron të vazhdojë. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, korçari thotë se e ka peng që nuk u ngjit në elitë me kuqezinjtë dhe vazhdon të mos e besojë këtë dështim.

erlis frasheri flamurtari

Frashëri zbulon bisedën me Idrizin, ndërsa gjasat janë që këtë javë të vendoset gjithçka edhe për të ardhmen. Është i bindur se sezoni 2024-2025 do të jetë i Flamurtarit.

Frashëri çfarë ndodhi, pse Flamurtari nuk u ngjit këtë vit në elitë?

Mendoj se ne bëmë gjithçka që Flamurtari të ngjitej në Superiore. Ky qytet dhe ky klub e meriton të jetë ndër ekipet më të mira të futbollit shqiptar. Fatkeqësisht këtë gjë nuk e arritëm dot këtë sezon. Unë besoj te edicioni që vjen. Mendoj se është viti i Flamurtarit për t’u ngjitur në elitë.

E kishit menduar se do të dështonit?

Nuk e kisha menduar asnjëherë që do të dështonim. Ne kishim një skuadër me shumë kualitet dhe me shumë cilësi. Ndaj, nuk e kisha menduar asnjëherë dështimin. Ne kishim një skuadër shumë të mirë dhe të denjë për të konkurruar. Lojtarët tanë ishin profesionistë, por ndodhi ajo që ne nuk e prisnim. Nuk kemi çfarë të bëjmë.

Çfarë duhet të bëjë Flamurtari për të arritur objektivin në vijim?

Presidenti Sinan Idrizi po përpiqet të bëjë më të mirën për Flamurtarin. Sipas informacioneve që unë kam, ai do të marrë këtë sezon lojtarë me cilësi të lartë për ta ngritur Flamurtarin aty ku i takon. Edhe për sezonin e ri do të kemi një skuadër kompakte, që do të ndërtohet për të kapur Superioren.

Keni folur me administratorin Idrizi për të ardhmen?

Kam folur pak kur kemi mbaruar sezonin. Këtë javë besoj se do të vendoset gjithçka.

Cili është pengu juaj më i madh nga Flamurtari?

Pengu më i madh është që nuk dolëm në Superiore. Ne e meritonim që sot të ishim ndër ekipet më të mira në Shqipëri.

Si jeni ndier në Vlorë?

Jam ndier shumë mirë në Vlorë. Më kanë pritur mirë, si presidenti Idrizi dhe djali i tij, Ensari. Jam përkrahur dhe jam ndjerë shumë mirë edhe nga drejtori, trajnerët dhe të gjithë djemtë e skuadrës.

Mendoni se ia vlejti ta linit Skënderbeun, ku ishit kapiten, për Flamurtarin?

Flamurtarin e zgjodha me zemër edhe pse isha kapiteni i Skënderbeut. Nuk jam aspak “pishman”.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"