Pension i posaçëm për legjendën e Dinamos, Ilir Përnaska

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2017 | 19:58

Pension i posaçëm për legjendën e Dinamos, Ilir Përnaska

Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme t’i japë një pension të posaçëm shtetëror ish-sulmuesit të Dinamos dhe Kombëtares, Ilir Përnaska.

Ilir Pernaska Dinamo

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi:

  1. Dhënien e pensionit të posaçëm shtetëror z. Ilir Përnaska, në masën e katërfishit të pensionit social.
  2. Vendimi nr.923, datë 21.12.2016, i Këshillit të Ministrave, ‘Për dhënie shtesë pensioni të posaçëm shtetëror z. Ilir Përnaska’, revokohet.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Vendimi Ilir Pernaska pension

Karriera e një legjende

I lindur më 7 maj 1951 në Tiranë, Ilir Përnaska ishte pjesë e Dinamos së madhe që dominoi futbollin shqiptar në vitet 1971 – 1981. Qysh prej debutimit me dy gola në ekipin e parë në moshën 16-vjeçare, ai u shndërrua në një nga shënuesit më të mirë në historinë e futbollit shqiptar.

Përnaska realizoi 136 herë me fanellën blu nga viti 1967 deri më 1981, kur u tërhoq nga futbolli në moshën 30-vjeçare. Është gjashtë herë rresht fitues i “Këpucës së Artë” në vitet 1972 – 1976. Ai veshi edhe fanellën e Kombëtares 15 herë në vitet 1971 – 1981, duke shënuar pesë gola.

Ilir Pernaska - Bamir Topi

Përveçse pesë herë kampion kombëtar dhe tri herë fitues i Kupës së Shqipërisë, Ilir Përnaska është nderuar edhe me titujt “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Mjeshtër i Madh” dhe “Urdhrin Naim Frashëri”.

Prej vitit 1992, ish-sulmuesi jeton në Askoli të Italisë me bashkëshorten dhe dy vajzat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"