Përparim Daiu është trajneri i ri i Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2012 | 11:15

Përparim Daiu është trajneri i ri i Laçit

Përparim Daiu është trajneri i ri i Laçit. Konfirmimi dhe njëherazi zyrtarizimi në krye të pankinës bardhezi është bërë ditën e djeshme, ndërsa në aneksin sportiv në Laç kavajasi u prezantua para grupit dhe nuk ka humbur kohë. Ai ka nisur menjëherë stërvitjen. Kështu, merr fund enigma e caktimit të timonit të skuadrës bardhezi për fazën e dytë të kampionatit, e cila pas largimit të Dedes kishte mbetur zbuluar. Skuadra kurbinase, e njohur në këto edicionet e fundit si një ndër skuadrat e forta, mori një goditje të fortë gjatë fundvitit të shkuar, teksa për shkak të trazirave në Laç u penalizua nga Disiplina duke bërë që qëndrimi në elitë të vendoset në diskutim. Pikët e hequra, të cilat nuk janë pak, por gjashtë të tilla dhe ndeshjet të gjitha jashtë Laçit, e për me tepër pa praninë e tifozërisë, kanë bërë që dhe me optimisti në këtë qytet ta shohë me skepticizëm garimin në elitën e futbollit shqiptar. Sidoqoftë, numri një i presidencës bardhezi, Pashk Laska, me këtë lëvizje tregon se skuadra do të jetë e destinuar për të luftuar fort në fazën e dytë të kampionatit superior. Ishfutbollisti i Besës, Partizanit, Luftëtarit dhe kombëtares, Përparim Daiu, ka disa edicione që i ka hyrë rrugës së trajningut të skuadrave me emër jo vetëm në Kategorinë e Parë, por edhe atë Superiore. Përveç Besës, Shkumbinit e Tomorit, Daiu ka drejtuar edhe Laçin në edicionin 2007- 2008, ndërsa skuadra garonte në të Parën. Rikthimi i tij në krye të pankinës bardhezi merr më shumë vlera. Kjo për faktin se shumë nga futbollistet aktualë bëjnë pjesë te preferencat e trajnerit më të ri të kurbinasve. Ndërkohë, si asistent Daiu do të ketë një tjetër kavajas, pikërisht Bledar Sinellën.
Deklarata Trajneri i sapoemëruar i Laçit, Përparim Daiu, ka dhënë deklaratën e parë zyrtare në krye të kësaj pankine. Ajo është kufizuar në pak fjali, nëpërmjet të cilave është shprehur se është kënaqësi të rikthehet në krye të drejtimit të bardhezinjve. “Kënaqësi të kthehem për të punuar në Laç. Misioni është i qartë: të udhëheq këtë grup futbollistësh drejt rezultateve pozitive. Tashmë skuadra e ka krijuar fizionominë e saj të suksesshme në elitën e futbollit shqiptar. Kështu, mbetet të studiojmë grupin aktual dhe të presim se çfarë mund të bëjmë për të afruar ndonjë element cilësor gjatë merkatos. Pas konsultave me drejtuesit e klubit, do të programojmë edhe javët stërvitore”, – ka thënë shkurtimisht trajneri Daiu.
ARDI HASANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"