Pesë lojtarë të Laçit me Kombëtaret, Bejzade më në fund i ka të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2023 | 13:23

Pesë lojtarë të Laçit me Kombëtaret, Bejzade më në fund i ka të gjithë

Laçi pret Teutën të premten për javën e tretë të kampionatit, me ndeshjen që do të nisë në orën 16:00. bejzade

Skuadra e Skerdi Bejzades do të kërkojë tri pikët e para për këtë kampionat, teksa vjen pas barazimit 3-3 në start ndaj Erzenit dhe humbjes 1-0 kundër Partizanit. Në këtë periudhë 10-ditore të ndërprerjes së kampionatit, kurbinasit zhvilluan edhe një ndeshje miqësore ndaj Vorës, që përfundoi 1-1. Meraku më i madh i trajnerit Skerdi Bejzade ka qenë për faktin se grupin nuk e ka pasur asnjëherë të plotë. Pesë lojtarë të kurbinasve kanë qenë të grumbulluar me Kombëtaret, respektivisht me U-21 dhe U-19. Bëhet fjalë për futbollistë si Ajdi Dajko, Stiven Bibo, Agan Mjaki, Arlind Kurti dhe Ledjo Tresa.

Dy të parët ishin në fushë në suksesin historik të Shqipërisë U-21 ndaj Rumanisë. Në fitoren 3-2 me përmbysje të kuqezinjve, qendërmbrojtësi Dajko ishte 90 minuta në fushë, ndërsa në fund të lojës u aktivizua edhe mesfushori Bibo. Nga ana tjetër, Mjaki nuk u aktivizua, por gjithsesi ai u preferua nga trajneri Bushi në ndeshjen e parë të Shpresave në transfertë ndaj Armenisë, ku luajti në 30 minutat e fundit.

Ndërsa mbrojtësi Kurti dhe mesfushori me tipare sulmuese, Tresa, u angazhuan në dy miqësore brenda tri ditëve që Kombëtarja U-19 luajti kundër Azerbajxhanit. Të dy kanë qenë titullarë për kuqezinjtë e drejtuar nga Ervin Bulku. Ndërkohë, vetëm dje trajneri Bejzade i ka pasur në dispozicion të grumbulluarit me Kombëtaren dhe me vetëm dy seanca të mbetura para ndeshjes, do të përgatisë anti-Teutën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"