Pikantet e Teuta-Tirana/ Presidenti Halili në cep të tribunës, tifozë të veçantë në Durrës (FOTO)
Tirana arriti të kalonte në finalen e Kupës së Shqipërisë, pasi barazoi me Teutën 0-0 në Durrës. Falë fitores 3-0 në ndeshjen e parë, bardheblutë e kishin më të lehtë të menaxhonin rezultatin. Në ndeshjen e luajtur në “Niko Dovana” kishte edhe disa momente pikante.
– Disa turistë nga vendet nordike, që kishin ardhur për të vizituar Durrësin, përfituan për të parë nga afër një ndeshje të kampionatit shqiptar. Shkuan pranë sportelit dhe prenë biletat për në tribunën qendrore.
– Martini kërkon mendimin e ndihmësve të tij në një moment të lojës, ndoshta për të qartësuar ndonjë ide, duke parë se Teuta nuk po gjente dot të çara në mbrojtjen bardheblu.
-Presidenti i bardhebluve, Refik Halili, nuk ishte në krahë të homologut të tij Edmond Hasanbelli, por në një cep të tribunës kryesore ku qëndroi gjatë gjithë ndeshjes.
-Gjatë pjesës së parë, portieri i Tiranës, Visar Bekaj, ka pakënaqësi nga të tijtë: “O çuna, o çuna po rrini vigjilentë në lojë mos lëshoni”, dëgjohet gardiani.
-Xhovani Kolela ishte i pranishëm në sfidën Teuta – Tirana në “Niko Dovana” në kuadër të Kupës së Shqipërisë. Partizani i tij do të përballet javën e ardhshme me bardheblutë në derbin vendimtar për çështjen e titullit dhe Kolela ka nisur të analizojë rivalin kryesor.
-Trajneri Martini duke parë që ndeshja nuk po zhbllokohej vendosi të zëvendësojë disa lojtarë kryesorë, duke e pasur mendjen te Vllaznia.
-Atmosferë e vakët në Durrës. Shumë pak tifozë me përjashtim të tifo-grupit “Djemtë e detit”që ndezën disi atmosferën.
-Në fund të takimit, ekipi i Tiranës u mblodh i gjithi në fushëpër një foto, por siç u pa, ishte një festim i brishtë, pasi humbja në kampionat djeg ende te bardheblutë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"