Pikantet nga ndeshja Flamurtari-Apolonia/ Dy trajnerët kapen me gjykimin, Frashëri tërbon Memushin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2024 | 14:59

Pikantet nga ndeshja Flamurtari-Apolonia/ Dy trajnerët kapen me gjykimin, Frashëri tërbon Memushin

Flamurtari ia del me vuajtjesh dhe penalltive të mbajë gjallë shpresat për në Superiore, duke eliminuar kështu nga gara skuadrën e Apolonisë. Në 120 minuta të luftuara dhe pa gola, ku nga minuta e 77-të vlonjatët luajtën me një lojtar më pak pas daljes me të kuqe të Frashërit, u deshën penalltitë dhe një gol i anuluar në shtesa për fierakët që të triumfonin djemtë e Memushit.

flamurtari

Edhe pse 11-metrat ishin një triller më vete, për mënyrën sesi shkuan, Flamurtari do të diskutojë Superioren me Laçin në fushën e këtyre të fundit, ditën e dielë.

– Dy presidentët, Sinan Idrizi dhe Koço Kokëdhima, takohen përzemërsisht në tribunën VIP, teksa u ulën krah njëri-tjetrit për të parë ndeshjen.

– Florian Lata tenton të vërë rregull që në fillim. Në rastin e parë të protestave u bëri menjëherë shenjë lojtarëve të ruanin qetësinë.

– Të pranishëm në stadium për të dhënë mbështetjen e tyre ishin ultrasit vlonjatë, “Flota Kuqezi”. Edhe pse të paktë në numër, patën entuziazëm gjatë sfidës. Madje, ata ishin në dy tribuna të ndara gjatë pjesës së parë. Ka qenë mesa duket një gabim, sepse në pushim u bashkuan në një vend. Ultrasit e Apolonisë ishin në tribunën qendrore.

– Edhe pse me skuadrën që financon do të përjetojë emocionet e “Final 4”, presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ishte në Elbasan për të parë nga afër këtë sfidë. Ai e ndoqi ndeshjen krah trajnerit Skënder Gega.

– Tërbohet Mërgjyshi te kartoni i verdhë i Musa, duke shfryrë ndaj gjyqtarëve. “Çfarë është ky karton i verdhë mo, ça bëni kështu”, reagoi tekniku i fierakëve. Pak minuta më pas është Lata që shkon edhe i tërheq vëmendjen.

– Edhe Memushi ankohet te Lata për një faull në dëm të skuadrës së tij. “I ikën topi mo, faull leshi”, ia behu tekniku vlonjat.

– Te Flamurtari ishin ngritur për të bërë nxehjen gjashtë lojtarë. Shkon gjyqtari i katërt dhe i bën të ditur se vetëm pesë lejohen, duke detyruar njërin prej tyre të ulej në pankinë.

– Memushin e tërbon Frashëri me kartonin e kuq. Ai shkoi deri në krahun tjetër të fushës për t’iu hakërryer, pasi la ekipin në baltë.

– Në një nga lozhat e stadiumit ishin disa pjesëtarë nga stafi i Laçit, të cilët ndoqën nga afër kundërshtarin e tyre në “play-out”.

– Eqerem Memushin e tërbon edhe Diamanti, të cilit i hyn në fushë sapo mbaron shtesa e parë dhe i kërkon llogari për një rast në fund që nuk diti ta shfrytëzonte.

– Një tifoz vlonjat i kërkon topin njërit prej djemve të vegjël dhe e puth. “Me këtë top do të shënohet gol”, ia beh ai.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"