Pikantet nga stërvitja e Partizanit për BATE-n/ Zekiç kërkon qetësi absolute, djemtë e Telushit kopjojnë të atin
Partizani kreu ditën e djeshme stërvitjen e radhës në kuadër të përgatitjeve të fundit për ndeshjen me BATE Borisovin në turin e parë të Champions League në “Air Albania”. Tashmë trajneri Zekiç ka nisur analizimin e hollësishëm të kundërshtarit dhe vendosjen e skuadrës në situata konkrete, sipas analizës që i ka bërë kundërshtarit, duke përfshirë edhe ndeshjen e fundit ndaj Shaktar Soligorsk.
*Eros Grezda zbarkon i pari në fushë. Sulmuesi merr direkt topin në këmbë dhe luan me të. Më pas futet në tunel për t’u përgatitur.
*Pas Grezdës në fushë zbarkon edhe Murataj, që bën një nxehje të lehtë me topin në këmbë. Mesfushorin e pasojnë Buxhelaj dhe Qirko. Pas tyre zbarkojnë të gjithë në fushë, bashkë me afrimin e ri, Gjelbrim Taipi.
*Atanaskoski merr një tapet të vogël dhe bën një streçing i vetëm. Pjesa tjetër nuk i ndahen topit.
*Pasi lojtarët dalin të gjithë në fushë dhe bëhen gati për stërvitje, trajneri Zekiç i thërret të hyjnë sërish brenda. Kroati vendos t’i bëjë një mbledhje ekipit, ku përveç porosive të tij, analizon edhe ndeshjen e djeshme të BATE Borisovit.
*Djali i madh i Telushit duket se premisat më të mëdha i ka që të ndjekë hapat e babait. Ai lëviz plot energji në fushë dhe ka një goditje mjaft cilësore, edhe pse topi nuk i përshtatet madhësisë sa tij trupore. Të njëjtat veprime përpiqet t’i bëjë edhe djali i vogël.
*Pas mbi gjysmë ore mbledhje e analizë, skuadra del nga tuneli dhe bëhet gati për stërvitjen. Seanca nis me një vrapim të lehtë rreth fushës.
*Trajneri Zekiç do qetësi absolute gjatë seancës. Ai i kërkon stafit të mos lejojë asnjë tifoz në tribunën kryesore.
*Në stërvitje mbizotëron një qetësi absolute. Asnjë prej lojtarëve, të paktën në pjesën e parë, nuk flet asnjë fjalë.
DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"