PIKANTET/ Silvinjo kërkon alegri në stërvitje, lojtarët nuk kuptohen në gjuhën shqipe
Trajneri Silvinjo zgjodhi “Elbasan Arenën” për të bërë një test brenda grupit përpara sfidës që Shqipëria do të luajnë me Moldavinë mbrëmjen e së shtunës.
ATMOSFERA – Elseid Hysaj, Jasir Asani dhe Sokol Cikalleshi, ishin ndër të parët që zbritën në fushë dhe nisën të kryenin zhonglime me topin. Ishin Hysaj me Hasanin që përpiqeshin me njëritjetrin të mbanin topin me këmbë në ajër, me Cikalleshin që bënte rolin e vëzhguesit dhe nuk ndërhynte. Më pas, mbrojtësi i Lacios shkoi te një grup tjetër lojtarësh dhe po luanin me zhonglime, deri kur erdhi trajneri për t’i mbledhur që të nisnin stërvitjen. Silvinjo mblodhi skuadrën në mesin e fushës, duke kërkuar që t’i bashkohen edhe katër portierët. Sakaq, para se të shpërndante ekipin për të nisur stërvitjen, tekniku kërkoi nga skuadra sa më shumë alegri, duke ua vënë në dukje të gjithëve.
“Dua alegri djema”, ia behu braziliani, i cili e sheh si shumë të rëndësishme atmosferën në skuadër. Sakaq, tekniku duket se ka ende disa dilema sa i përket portës, sepse pa me vëmendje stërvitjen e tyre nën drejtimin e Bozhiqit. Skuadra zhvilloi kësisoj një ndeshje të shkurtër për 45 minuta, në mënyrë që trajneri të shihte futbollistët në rolet që kishte menduar ai për sfidën e kësaj fundjave, teksa tashmë ka nisur punën për të finalizuar sa më mirë rreshtimin që ka në mendje.
JO VETËM SHQIP – Shumë prej lojtarëve të Kombëtares janë rritur jashtë vendit dhe madje kanë vështirësi për të folur në gjuhën shqipe. Kjo gjë u vu re edhe te katër lojtarët e Shpresave të afruar vetëm për këtë seancë stërvitore. Bëhet fjalë për Arda Kurtulan, Medon Berisha, Adi Dajko dhe Elmando Gjini. Futbollistët po luanin mes tyre gjatë kohës që ekipi po priste Silvinjon dhe lojtarët merreshin vesh në gjuhën angleze, duke mos e përdorur shqipen midis tyre.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"