Pikëpyteje për pankinën. Nëse nuk vazhdon trajneri Bledar Devolli, Kukësi mund t’i besojë ndihmësit të tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2024 | 23:32

Pikëpyteje për pankinën. Nëse nuk vazhdon trajneri Bledar Devolli, Kukësi mund t’i besojë ndihmësit të tij

Kukësi, praktikisht, është pa trajner. Me mbylljen e edicionit të kaluar, kur verilindorët ranë nga kategoria pas 12 vitesh, si edhe humbën finalen e Kupës përballë Egnatias, përfundoi edhe kontrata e Bledar Devollit.

kernaja kukesi

Aktualisht gjirokastriti vijon të mbetet kandidati më potencial për t’i drejtuar kuksianët në Kategorinë e Parë, por ende nuk ka pasur një takim mes palëve për të sqaruar situatën dhe nëse do ta vazhdojnë ose jo bashkëpunimin. Tekniku e mori skuadrën në një situatë të vështirë, por gjithsesi objektiv kishte mbijetesën, dhe nëse ajo do të ndodhte rinovimi do të ishte një formalitet. Tani që ditët po shtyhen, gjasat janë që palët të mos rinovojnë më dhe të ndajnë rrugët. Gjithsesi, nga asnjëra palë nuk ka një konfirmim se çfarë do të bëjnë me të ardhmen.

KËRNAJA – SA i përket trajnerit të ri, ditët e fundit ka dalë në skenë edhe emri i Oltion Kërnajës, si një kandidat potencial për të marrë “frenat” e ekipit të parë. 35-vjeçari iu bashkua bluve sezonin e kaluar si trajner i U-21 dhe më pas si ndihmës i Hallaçit, Nicës, Çelës dhe së fundmi Devollit. Praktikisht, ai e njeh mirë ambientin në Kukës dhe për më tepër ka një eksperiencë jo të vogël me skuadrat në kategoritë inferiore, ku edhe ka arritur rezultate. Më herët, ai ka trajnuar ekipin e Valbonës, Tërbunit dhe Luzi 2008. Burimet pohojnë, se në Kukës janë duke e menduar për t’i dhënë besimin, gjithnjë nëse nuk do të vijohet bashkëpunimi me Devollin. Gjithsesi, mbetet për t’u parë zhvillimet që do të jenë në ditët në vijim, pasi në tryezë mund të dalin edhe emra të tjerë që të marrin drejtimin e Kukësit.

MERKATO – Nga ana tjetër, mësohet se drejtuesit janë duke lëvizur edhe në merkato, me piketimin e emrave që mund t’i bashkohen skuadrës këtë edicion. Burimet pohojnë, se po shohin për futbollistë që kanë spikatur në Kategorinë e Parë dhe me eksperiencë, pa harruar as fokusin te të rinjtë. Një politikë që është ndjekur edhe këtë sezon që lamë pas në Superiore. Kuptohet që aktualisht gjithçka është në fazën e bisedimeve mes drejtuesve të klubit që merren me merkaton, pasi për të parë lëvizjet që do të bëhen, duhet kohë më e gjatë, sepse edhe Kategoria e Parë fillon më vonë.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"