Plan special te Interi për sezonin pa fund. Mbledhje dhe verë deri në mesnatë, ja si punon trajneri që fle vetëm në klub

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2024 | 23:57

Plan special te Interi për sezonin pa fund. Mbledhje dhe verë deri në mesnatë, ja si punon trajneri që fle vetëm në klub

Monitorimi është pothuajse oruellian. Në fund të fundit, bëhet fjalë për akronime: nga viti 1984 deri në “Rating of Perceived Exertion”. Në shqip, vlerësimi i përpjekjes fizike të perceptuar. Trajnerët e Interit dinë gjithçka për të gjithë, dhe përpjekja për të qenë dinak nuk bën dobi: ata do ta zbulojnë gjithsesi.

inter

Zikaltrit po kryejnë një përgatitje ndryshe nga ajo e viteve të fundit. Falë një sezoni që do t’i shohë të zënë me ndeshje edhe pas fundit të kampionatit. Formati i ri i Kupës së Botës për Klube, i planifikuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të nisë më 15 qershor dhe do të zgjasë një muaj. Ndryshe nga vitet e tjera do të luhet në verë. Nëse Interi do të arrinte fundin e të gjitha turneve, do të zhvillonte 69 ndeshje. Megjithatë, minimumi i garantuar është 51. Shumë. Pra, përgatitja e sezonit do të menaxhohet në një mënyrë të paprovuar më parë.

VENDIMET- “RPE” është një mënyrë për të gjurmuar përpjekjet e secilit lojtar. Kuptoni se kush e menaxhon më mirë lodhjen dhe kush e vuan pak më shumë, duke u përshtatur kështu me përsëritjet e ushtrimeve apo vrapimeve. Për të qenë të qartë: vlerësimi i përpjekjes së perceptuar matet në një shkallë që varion nga 0 në 10. Ndërsa rritet ngarkesa, niveli i lodhjes rritet. Dhjetë është maksimumi. Në mes ka një sërë vlerash mbi të cilat është mirë të merren vendimet. Lojtarët monitorohen në bazë të kësaj dhe më pas menaxhohen në përputhje me rrethanat. Lojtarëve të impenjuar me kombëtaret iu dha një program i plotë ushtrimesh për t’u rikthyer në bazë në formë të pranueshme.

MË NË FORMË – Testet e këtyre ditëve të para të takimit i kanë dhënë disa verdikte: ndër më të mirët kanë qenë Hoakin Korrea, i destinuar të largohet gjithsesi nga Interi, i riu Mehdi Taremi dhe i zakonshmi Henrikh Mkhitaryan. Armeni ndër të tjera ka kapërcyer i pari portat e qendrës sportive të Interit. Ai u shfaq në grumbullim me entuziazmin dhe sytë e egër të dikujt që do të përballet me sezonin e tij të njëzetë si profesionist. Ai fle në qendrën sportive bashkë me Inzagin, stafin dhe shumicën e lojtarëve. Në janar do të jetë 36-vjeç, por në planin fizik kryeson grupin sikur të ishte ende 25. Për pozicionin do të garojë me Zielinskin, një tjetër që nuk e njeh stolin.

RITUAL — Një tjetër kapitull i rëndësishëm. Përgatitja do të prekë kryesisht rezervat. Gjatë vitit, stafi i Inzaghit, me Fabio Ripert dhe Klaudio Spiçarielo, do të fokusohet gjithashtu tek ata që luajnë më pak për të ulur ngarkesën e titullarëve dhe për të mbajtur të gjithë në formë. Për momentin programi fokusohet në dy seanca të dyfishta dhe një seancë shkarkimi. Para se të sfidojë Xhenoan në debutimin në Serinë A, Inter do të zhvillojë miqësoret me Las Palmas, Piza, Al-Itihad dhe Çelsi.

Testi i fundit i planifikuar për në Londër më 11 gusht. Inzagi dhe stafi i tij mblidhen në “Appiano” dhe planifikojnë stërvitjen deri vonë në mbrëmje. Rreth mesnatës ata janë ende ulur në një tryezë, duke folur për modelet dhe përsëritjet. Ka një lidhje të ngushtë me disa prej tyre që ka zgjatur që nga tërheqja e parë në Rivizondoli me të rinjtë e Lacios, në vitin 2010. Në ato ditë kishte një ritual: mbarimi i një shishe verë të kuqe para gjumit. Besëtytni. Koha i ka thinjur flokët, por nuk ia ka prekur zakonet.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"