Plani i merkatos së verës, Apolonia s’heq dorë nga afrimi i “adoloshentëve” të huaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2024 | 16:01

Plani i merkatos së verës, Apolonia s’heq dorë nga afrimi i “adoloshentëve” të huaj

Apolonia është një ndër skuadrat e Kategorisë se Parë, që nuk po bën asnjë lëvizje në merkato. Pas largimeve të lojtarëve që u përfundoi kontrata, fierakët nuk e kanë bërë “sefte” sa u përket afrimeve. 

Apolonia grumbull 9

Ndonëse drejtuesit kanë piketuar disa lojtarët të mundshëm për t’i afruar, ende nuk ka asgjë konkrete. Fakti që pjesën më të madhe të lojtarëve klubi i ka nën kontratë, ka bërë që ta marrin me qetësi formimin e skuadrës së edicionit të ri. Nëse i mbajnë, baza do të jetë ajo e lojtarëve me të cilët mbyllën sezonin e shkuar. Largimet nga ky grup mund të ndodhin vetëm nëse do të vijnë oferta bindëse në aspektin financiar. Janë pesë lojtarët, të cilët konsiderohen si më të kërkuarit në merkato dhe bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Serjan Repaj, mesfushorin Mateo Shanaj dhe sulmuesit Maksuti, Trifoni dhe Umejiego. Krahas këtyre është edhe mesfushori Abjel Bejzade, që ra në sy sezonin e shkuar.

Edhe pse aktualisht po mungojnë zyrtarizimet në merkato, në kampin fierak e kanë të qartë se ndërtimi i një skuadre pretendente kërkon patjetër ndërhyrje. Së fundmi, kanë dalë në skenë pistat e lojtarëve të huaj, të cilët shihen si një mundësi shumë e mirë për të përforcuar ndjeshëm ekipin gjatë merkatos së verës. Burime të gazetës pranë klubit, pohojnë se po marrin në shqyrtim CV-të e disa futbollistëve që luajnë jashtë vendit dhe të vendosin se cilëve mund t’u bëjnë ofertë.

Pritet që në Fier të vijnë një numër i konsiderueshëm lojtarësh të huaj dhe bëhet fjalë për të rinj të perspektivës, që mund të aktivizohen jo vetëm me ekipin e parë, por edhe me U-19 dhe U-21, ku mund të promovohen e më pas të shiten. Largimi i shpejtë i dy të huajve nga Kenia në përfundim të këtij edicioni nuk i ka stepur aspak për të gjetur sërish futbollistë të tjerë nga jashtë vendit. Tregu shqiptar me sa duket nuk ofron shumë alternativa të favorshme për fierakët.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"