Plas në Vlorë pas humbjes, Idrizi pezullon Zeqirin: Suksese në jetë!
Plas në Vlorë, debate të ashpra mes presidentit Sinan Idrizi dhe mesfushorit Hair Zeqiri dje në mbledhjen e posthumbjes ndaj Besëlidhjes. Drejtuesit e klubit të Flamurtarit kanë bërë “kokë turku” Zeqirin, të cilit sot do t’i komunikohet masa e pezullimit pa afat nga skuadra.
“Panorama Sport” zbulon të gjithë debatin e mesfushorit me Idrizin, teksa administratori i ka treguar derën, madje duke ironizuar me shprehjen: “Suksese në jetë”. Burime të sigurta të gazetës pranë klubit vlonjat treguan dje se, gjatë fjalimit para ekipit të Idrizit, ky i fundit i është drejtuar Zeqirit duke i thënë:
“Meqë jeni një lojtar që duhet të mbani përgjegjësi për këtë situatë, më sqaro të lutem pse jemi në këtë gjendje kaq të turpshme?”. Pasi mesfushori ka dhënë argumentet e tij pse Flamurtari ka pasur luhatje, Idrizi nuk është bindur dhe ka tentuar sërish të marrë një përgjigje konkrete nga lojtari. Ky i fundit nuk ka duruar dhe ka plasur “bombën”, duke i thënë Idrizit se ka prishur ekuilibrat në ekip.
“Që në muajin dhjetor keni vepruar me dy standarde. Fryma në grup është prishur, pasi lojtarët kanë mësuar që vetëm Danilos dhe Shkodrës u keni ofruar rinovim të kontratave. Meqë jemi në këtë pikë, unë si vlonjat që jam dhe që kam kontribuar për këtë skuadër në momentet më të vështira të saj, po ju them se u bëra një muaj që kam bërë një kërkesë për rritje page dhe klubi s’ka denjuar të më kthejë përgjigje. Mos prisni që unë dhe shokët të motivohemi”, mësohet të ketë thënë Zeqiri.
Këtu debati është ndezur dhe Idrizi ka lëshuar një mori kritikash në drejtim të lojtarit. “Ti zotëri ishe nga të parët që ankoheshe kur të vononim rrogën, ndërsa tani s’jep llogari pse jeni kaq dobët. Nëse nuk të pëlqen të qëndrosh në skuadër, vazhdo! Nga ky moment po të them se nuk je më në planet e mia dhe të lutem dil jashtë! Të uroj suksese në jetë!”, u përgjigj Idrizi me një ton të lartë dhe jo pak ironik.
Të njëjtat burime i treguan gazetës se, në këtë moment, Zeqiri është përmbajtur duke mos e vijuar debatin, por ndërkohë nuk ka pranuar të largohet nga mbledhja, pavarësisht urdhrit të administratorit.
Debati i plotë
Hair Zeqiri ka qenë ndër të paktët lojtarë që ka pasur kurajën të flasë kundër menaxhimit që po i bën situatës në klub administratori aktual, Sinan Idrizi. Kjo u konfirmua në mbledhjen e djeshme, teksa “Panorama Sport” zbardh ekskluzivisht të gjithë debatin.
Idrizi: Kam thirrur këtë mbledhje pas humbjes ndaj Besëlidhjes. Na keni turpëruar me atë paraqitje dhe unë nuk e kuptoj pse kaq të pamotivuar dhe neglizhentë. Po jua bëj të qartë që tani, kush do të iki, le të ikë, është i lirë ta bëjë. Le të largohet kush nuk e ndien këtë fanellë. Mua nuk më turpëroni dot ju. Ti Zeqir, meqë gjithnjë ke folur në të tilla situata, si e shpjegon gjendjen e skuadrës?
Zeqiri: Unë mendoj se janë oshcilacione që i ndodhin çdo ekipi. Nuk gjykoj se duhet bërë dramë, pasi kemi ditur të ringrihemi edhe në raste të tjera. Është thjesht një moment jo.
Idrizi: Ore, lëri këto diplomacira, po më fol siç është për të folur. Nuk është kjo arsyeja.
Zeqiri: OK, po flas siç është për të folur. Ju zotëri keni që në dhjetor që po prishni ekuilibrat në skuadër. Çunat kanë dëgjuar që keni bërë oferta për rinovim të kontratave të Danilos (i referohet Alveshit) dhe Shkodrës. Tani kjo është çështje menaxhimi dhe unë e shoh që lojtarët e tjerë janë mërzitur, pasi mendojnë se edhe ata e meritojnë të kenë një kontratë më të mirë. Ju keni bërë diferencime dhe kjo ka ndikuar në ekip, çunat nuk janë më të motivuar si më parë.
Idrizi: A ka mundësi të flasësh për veten, nuk më tregon dot t’i mua se çfarë bëj me ekipin. Nuk ke shans të më flasësh mua në këtë mënyrë. Ti ke qenë i pari që më ke treguar gjyqin kur të vonoheshin pagat, OK!
Zeqiri: Nuk është e vërtetë, këtu shikoj një mungesë totale vlerësimi. Kam një muaj që kam bërë një kërkesë në klub për rritje të rrogës dhe ju nuk keni denjuar të më ktheni një përgjigje, qoftë edhe negative.
Idrizi: OK, po ta them tani. Nuk je më pjesë e planeve të mia, kështu që dil jashtë nga mbledhja. Të uroj suksese në jetë!
Zeqiri: Unë nuk kam pse dal nga mbledhja, nëse nuk bëj pjesë në planet e tua, atëherë ma dërgo shkresën me shkrim.
JORGIS MEMO
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"