Plas te Vllaznia, kapiteni Shtubina nuk del në stërvitje
Kapiteni Ndriçim Shtubina prej dy ditësh nuk është paraqitur në stërvitje dhe burime pranë tij kanë bërë me dije se arsyeja lidhet me disa pretendime financiare që ka pasur lojtari karshi klubit. Bëhet fjalë për rrogën e muajit maj, të cilën futbollistët ende nuk e kanë marrë.
Por më shumë sesa për këtë rrogë, një reagim i tillë i kapitenit ka ardhur edhe duke parë ndoshta pasigurinë për të ardhmen. Mirëpo vetë kapiteni ka bërë të ditur se një veprim i tillë nga ana e tij nuk është i lidhur me shkaqet financiare. I pyetur për këtë çështje, ai ka deklaruar:
“Nuk ka të bëjë aspak me rrogën e muajit maj, pasi e dimë se shlyerja të bëhet. Unë në vitin 2013 i kam falur Vllaznisë 4 paga e s’kishte se si të ikja prej stërvitjes një pagë, kjo është një gjë, e cila nuk ka kuptim. Nuk ka lidhje me aspektin financiar. Unë kam pasur disa probleme me drejtuesit e klubit, të cilat mund të them se shumë shpejt do të marrin zgjidhje.
Janë disa probleme që do t’i mësoni më vonë, por unë do të respektoj edhe vendimin që kemi marrë me drejtuesit e klubit për të heshtur në këtë drejtim. Unë besoj se shumë shpejt do të gjej gjuhën e përbashkët dhe do të kthehem në stërvitje”, ka thënë kapiteni.
KLUBI – Ndërkohë, drejtuesit e Vllaznisë duken të angazhuar për t’u dhënë një përgjigje të gjithë problemeve aktuale që kanë futbollistë dhe stafi teknik sepse një garanci të tillë e kanë marrë në takimin që kanë zhvilluar para pak ditësh me kryebashkiaken Ademi.
Ata nuk preferojnë që të prononcohen në këto momente, duke zgjedhur që të heshtin. Edhe pse rasti Shtubina është bërë publik, nuk ka pasur asnjë reagim.
Një heshtje, e cila i është kërkuar të zbatohet edhe nga lojtarët. Madje, këtyre të fundit u është thënë që të jenë të kujdesshëm edhe me postimet e tyre në rrjetet sociale.
Në një situatë të tillë, të gjithë janë në pritje të lëvizjeve që do të bëjë klubi gjatë kësaj periudhe. Ditët e fundit, në ekip u afrua një mbrojtës malazez, por nuk bindi stafin drejtues dhe u largua.
Admir Uruçi
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"