“Play out”/ Trajneri Bubeqi: Ndeshje e paparashikueshme, Besa i mposht gjirokastritët me qetësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2024 | 20:08

“Play out”/ Trajneri Bubeqi: Ndeshje e paparashikueshme, Besa i mposht gjirokastritët me qetësi

Kjo nuk është hera e parë në 10 vitet e fundit, që Besa përjeton “ethet” e “play out”-it. Në 2015-ën, kavajasit do të luanin ndeshjen shtesë ndaj Cërrikut, të cilën e udhëhoqën 2-0, por për shkak të veprimeve antisportive të kundërshtarëve takimi u ndërpre.

TRAJNERI I BESES, DORJAN BUBEQI

Kjo bëri që Besa ta fitonte atë sfidë në tavolinë, 3-0. Përballja me Luftëtarin do të jetë prova e dytë për kavajasit. Në prag të kësaj përballje, që do të luhet të enjten në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, trajneri Dorjan Bubeqi vlerëson vështirësinë e kësaj finaleje mbijetese. Besa do të jetë e plotë ndaj gjirokastritëve, gjë që i krijon luksin stafit teknik  që të përzgjedhë titullarët.

Besa ka vijuar seancat stërvitore në orarin e zhvillimit të sfidës dhe në skuadër mbizotëron optimizmi. Për trajnerin Bubeqi, një ndeshje e vetme është e paparashikueshme dhe mund të ndodhë gjithçka. Sipas trajnerit kavajas, qetësia, grinta, besimi janë ato çfarë vlejnë në ndeshje të tilla. “E ndoqa Luftëtarin ndaj Shkumbinit dhe pashë se kanë një ekip të fortë, gjë të cilën e vërtetoi edhe fitorja e pastër. Një Luftëtar me grintë, por edhe lojtarë cilësor. Këtë kam folur gjatë gjithë kësaj jave me lojtarët, duke u kërkuar që të japin shpirtin në fushë. Do të ishte e rëndë për Besën, që pas gati 100 vitesh të binte në Kategorinë e Dytë. Do të ishte edhe një formë autokritike për këtë sezon që ishte larg pritshmërive të të gjithë kavajasve”, u shpreh fillimisht trajneri.

Bubeqi, si njohës prefekt i Kategorisë së Parë, ka besim të plotë se të besuarit e tij, përtej vlerësimit të Luftëtarit, mund dhe do t’ia dalin që të paktën këtë sezon të dështuar të mos e mbyllin me më të keqen. “E citova dhe më lart, se në një ndeshje të vetme mund të ndodhë gjithçka. Për këtë, ne do futemi në lojë me qetësinë e sigurinë që ekipi ka. Do të jemi të durueshëm, të qetë, do të luftojmë në çdo cep të fushës për të fituar duelet dhe krahas kujdesit në prapavijë është rasti të mos shpërdorojmë gola të sigurt, që fatkeqësisht kemi bërë në disa takime. Ndaj Luftëtarit nuk lejohet të falësh raste e gola, pasi mund të na kushtojnë shtrenjtë”, përfundoi Bubeqi.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"