Po përgatitet që në mars, Ançeloti: Flini të qetë, do ja gjej një vend Mbapesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2024 | 18:48

Po përgatitet që në mars, Ançeloti: Flini të qetë, do ja gjej një vend Mbapesë

Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti e ka ditur prej kohësh se që nga vera e 2024-ës do të kishte nën urdhrat e tij edhe yllin e kombëtares franceze, Kilië Mbape. Për këtë, italiani ka hartuar një plan prej muajsh për të integruar sulmuesin në njëmbëdhjetëshen titullare të Realit të Madridit.

anceloti mbape

Trajneri italian u informua në mars nga drejtuesit e klubit të bardhë për të planifikuar sezonin 2024-2025 me sulmuesin francez në përbërje dhe skuadra tashmë po i hyn punës, duke pritur që ish-lojtari i PSG-së t’i bashkohet skuadrës në fillim të gushtit. Karleto, natyrisht, nuk donte të jepte ende të dhëna për rolin që do të zërë futbollisti i tij i ri, i cili u nderua me një prezantim galaktik të martën e kaluar në një “Santiago Bernabeu” të mbushur deri në buzë për ta mirëpritur.

Trajneri i Realit mori pjesë të shtunën në festivalin italian të filmit “Giffoni Film Festival” ku ka folur për sportin në një konferencë me të rinjtë. Ai foli shkurtimisht edhe për Kilië Mbapenë.

“Pozicioni i tij? Do ta vendosim diku, do t’i gjej një vend”, komentoi ai me shaka nga zyra e tij në qytetin sportiv të Realit në Valdebebas. Ançeloti komentoi edhe qëndrimet politike të Mbapesë kundër të djathtës ekstreme në zgjedhjet që u mbajtën në Francë. “Secili prej nesh ka mendimet e veta që mund t’i shprehim, ka liri mendimi. Nuk është keq të shprehni mendimin tuaj”, tha ai.

Ançeloti u pyet edhe për karrierën dhe planet për të ardhmen ku deklaroi se për momentin nuk mendon të marrë drejtimin e një ekipi kombëtar. “Nuk e di kur do të tërhiqem. Ndoshta kur Madridi të lodhet me mua, do të duhet të mendoj se çfarë të bëj. Të tërhiqem? Nuk e di, nga njëra anë do të doja të shpenzoja më shumë kohë me familjen time, udhëtime, por nëse kam akoma entuziazëm, jam i sigurt se do të gjej një shtysë për të vazhduar”, shtoi italiani, i cili foli edhe për Bellingam.

“Bellingam ka qenë një surprizë, por merita është në gjenetikën e tij. Edhe pse vetëm 21 vjeç ai ka treguar karakter dhe pasion të madh dhe gjithashtu ka në favor të tij gjenetikën. Ai është kampion për shkak të gjenetikës së tij, stërvitjet padyshim i ndihmojnë, por mbi të gjitha ka të bëjë me gjenetikën”, shpjegoi Ançeloti.

Në ndërhyrjen e tij online, Ançeloti ka folur dhe për “Euro 2024” që u mbyll me triumfin e Spanjës. “Ishte një Europian jo shumë intensiv. Shumë skuadra mbërritën të lodhura, sepse sapo kishin përfunduar garat. Austria dhe Zvicra vrapuan më shumë, por Spanja fitoi me meritë, sepse ata luajtën si ekip, duke ditur të përfitonin nga kaq shumë talente të rinj përkrah kampionëve të vjetër”, theksoi Ançeloti.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"