“Po punohet për skuadrën e re dhe privatizimin”. Konfirmohet Magani, kryebashkiakja tregon synimin e Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2024 | 12:15

“Po punohet për skuadrën e re dhe privatizimin”. Konfirmohet Magani, kryebashkiakja tregon synimin e Lushnjës

Lushnja do ta nisë sezonin e ri pa ndryshime në “kullën” drejtuese, por objektivi pritet të jetë ndryshe, në mënyrë që të përligjet edhe interesimi i madh i sportdashësve lushnjarë.

SEFA MAGANI

Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, njëherësh presidente e “KF Lushnja 1930”, sh.a, në një intervistë enkas për “Panorama Sport” rikonfirmoi trajnerin peqinas, Gugash Magani, në krye të pankinës verdhejeshile. 59-vjeçari do të jetë edhe për një sezon trajner i Lushnjës. Ende nuk ka një datë zyrtare për fillimin e përgatitjeve, pasi është duke u punuar për ekipin, që do të përfaqësojë Lushnjën në edicionin 2024-2025 në Kategorinë e Parë.

Zonja presidente, si do të jetë Lushnja e edicionit të ri futbollistik, ku sërish do të militojë në Kategorinë e Parë?

Skuadra vazhdon pushimet, por bordi drejtues i klubit ka hartuar një plan organizimi për sezonin e ri e futbollistik.

A keni caktuar një datë zyrtare, për fillimin e përgatitjeve dhe kur do të urdhëroni daljen e ekipit në fushë?

Nuk kemi një datë fikse për sa i përket fillimit të fazës përgatitore, pasi po punojmë për ekipin që do të na përfaqësojë në vazhdim.

Keni nisur procedurat për privatizim, si ka qenë ecuria dhe a është procesi brenda pritshmërive tuaja?

Bashkia e ka nisur këtë proces për të mirën e futbollit lushnjar, por janë disa hapa ligjor që duhen ndjekur me kujdes.

Cili do të jetë trajneri që do ta drejtojë Lushnjën në sezonin e ri?

Sa i përket drejtimit të ekipit nuk do të kemi ndryshime, kështu që trajneri Gugash Magani do të vazhdojë punën edhe për sezonin e ri.

Keni kryer disa investime në infrastrukturë. Do të rikonstruktohet edhe fusha tjetër, por a është zgjidhur situata me pronarin?  

Puna do të vazhdojë për përmirësimin e infrastrukturës sportive. Po ndjekim procedurën e shpronësimit të terrenit dhe më pas do të kalojmë me investimin duke i shtuar një tjetër terren futbollit të Lushnjës.

Cili është objektivi i Lushnjës në sezonin 2024-2025?

Objektivi ynë është që të kemi një ekip konkurrues dhe më rezultativ, ashtu siç e duan qytetarët e Lushnjës.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"