Po “vjen” Agim Meto…!
Agim Meton, fierakun 29- vjeçar, të jem i sinqertë, nuk e kisha dëgjuar më parë si emër! Edhe pse tifozët e njohin, pasi ai luan në Superiore që prej vitit 2004, në fillim me Apoloninë (8 sezone), një muaj te Besa në formë huazimi, dy vite me Bylisin dhe 6 muaj me Flamurtarin. Këtë sezon e filloi me klubin vlonjat.
Mesfushori nga Fieri luajti 6 ndeshje me Flamurtarin në kampionat dhe tri ndeshje për Kupën e Shqipërisë. Siç duket, trajneri italian i Flamurtarit nuk e parapëlqen dhe “ia dhanë” Laçit për disa muaj. Në janar, Meto vishet “bardhezi”. Armando Cungu e aktivizon si titullar. Nuk shënon në 3 ndeshjet e para me Laçin (kampionat dhe Kupë), por në ndeshjen e tij të 4-t si “laçian” mund Kukësin në Laç! Agim Meto shënon “befasisht” 2 gola.
Në atë ndeshje, kroati Pero Pejiç nuk arriti të shënonte, duke u larguar nga lista botërore e futbollistëve që shënojnë më shumë gola në ndeshje radhazi. Mirëpo, ato gola nuk paskan qenë gola të befasishëm. Fieraku i Laçit bëhet pjesëtar edhe i golave që eliminuan Partizanin për Kupën e Shqipërisë dhe shkatërruan Tiranën me rezultatin 3-0. Pra, 5 gola në 4 ndeshje radhazi.
Kësisoj, Agim Meto zëvendëson kroatin në 10-shen e futbollistëve me më shumë gola. Duke bërë diferencimin e nivelit të kampionateve, del se fieraku i Laçit renditet i 3- ti ndër futbollistët që luajnë në divizionet e para. Ai që po bën “kërdinë”, aktualisht (deri të martën) është holandezi i Volfsburgut të Bundesligës, Bas Dost, me 9 gola në 4 ndeshje. Pas tij, renditet jordanezi i Al-Khariityal të Katarit, Hasan Abdel Fatah.
Nga 5 gola në 4 ndeshje radhazi kanë shënuar futbollisti i Laçit, Agim Meto, dhe italiani i Empolit, Masimo Makarone. Pas tyre vjen afrikano-jugori i Orlando Pirates me 5 gola në 5 ndeshje. Ndoshta, kësaj here, fieraku i Laçit mund t’i shënojë gol edhe ekipit prej nga ka ardhur, Flamurtari. Të presim…
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"