Pogradeci humb testin e parë me Suharekën e Duros, trajneri Nikaj pret gjashtë përforcime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2024 | 14:30

Pogradeci humb testin e parë me Suharekën e Duros, trajneri Nikaj pret gjashtë përforcime

Është mbyllur me fitoren 3-1 të miqve nga Kosova, testi mes Pogradecit dhe Suharekës së drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro. Takimi u zhvillua në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”. Golat për skuadrën mysafire mbajnë firmat e Nukiç, Fetahut dhe Susurit.

POGRADECI SUHAREKA

Ndërsa për skuadrën vendëse të vetmin gol e shënoi Shkullaku. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me avantazhin e golit të shënuar nga Nukiç për Suharekën. Ashtu si ndodh zakonisht në ndeshjet miqësore, trajnerët Nikaj dhe Duro, fillimisht preferuan të hedhin në fushën e lojës më të mirët, ndërsa në të dytën aktivizohet gjithë pjesa e stolit. Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, ndërsa e dyta startoi me zëvendësime të shumta.

Në këtë pjesë u shënuan 3 gola të tjerë, dy për miqtë dhe një për vendësit. Të dy skuadrat janë debutuese në kampionatet respektive, Suhareka në Superligën kosovare dhe liqenorët në Kategorinë e Parë shqiptare. “Në 45 minutat e para, skuadra krijoi volum loje, shoqëruar me raste për shënim. Me zëvendësimet e bëra në të dytën, loja nuk kishte grintën që kërkohej. Lojtarët e rinj të ardhur nuk dhanë atë që pritej. Ndërhyrja në merkato është e domosdoshme. Na duhen të paktën dhe gjashtë lojtarë cilësorë”, u shpreh pas ndeshjes trajneri i Pogradecit, Samuel Nikaj.

Pogradeci:

Në portë: Beqiri;

Në mbrojtje: Hysenllari, Pere, Ivani, Kastrati;

Në mesfushë: Nallbati, Dantali, Kazim, Pengu;

Në sulm: Peqini, Topllari;

Trajner: Samuel Nika

U aktivizuan: Shkullaku, Qeleshi, Demaj, Lipo, Blaceri, Torollari.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"