“Poker” i Teutës, Tirana mundet në Durrës. Trajneri Dede po pret buxhetin për merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2013 | 12:50

“Poker” i Teutës, Tirana mundet në Durrës. Trajneri Dede po pret buxhetin për merkato

Teuta6TEUTA-TIRANA 4-0
GOLAT: Mancaku 5′, R.Hoxha 65′, Muriqi 66′, A.Hoxha 72′ (11m).
TEUTA: Rizvani, Osmani, Da Silva, Jakupi, Idrizi, Cyrbja, Dosti, Hodo, Mustafaj, Xhafaj, Mancaku; Trajner: G. Magani. U aktivizuan: A.Osmani, Çekiçi, Muriqi, A.Hoxha, Deliallisi, R.Hoxha, Kastrati, Memini, R.Kastrati.
TIRANA: Çaka, Sina, Llënga, Hoxhallari, Muça, Taku, Kastrati, Peposhi, Kalari, Hoxha, Çota; Trajner: N.Dede U aktivizuan: Sejdo, Marku, Roshi, Strakosha, G.Hoxha, Shima, Shushku.

Teuta fiton 4-0 ndaj Tiranës. Durrsakët kanë fituar në një miqësore të luajtur në stadiumin “Niko Dovana”. Ndonëse ishte thjesht një test, të dy trajnerët, si Magani ashtu edhe Dede, hodhën në fushë formacionin e parë. Bardhekaltrit arritën të zhbllokonin shumë shpejt me anë të Mancakut në minutën e 5-të të takimit, ndërsa në pjesën e dytë tre golat e tjerë u shënuan nga R.Hoxha, Muriqi dhe A.Hoxha me 11-metërsh.
Pjesa e parë – Përballja nisi furishëm, ndërsa të dyja skuadrat fluturonin sa në njërën portë në tjetrën për të shënuar. Pas një aksioni të miqve, të cilët nuk e përfunduan siç duhet, përfitojnë vendësit me anë të një kundërsulmi. Në të 5-ën minutë, Da Silva kalon në krahun e djathtë, duke lënë pas lojtarin që e markonte, gjen në zonë Mustafajin, i cili kroson për Mancakun dhe 1-0. Për nga mënyra, goli shqetëson teknikun kryeqytetas, i cili ngrihet në këmbë dhe kërkon reagimin e të tijve. Me Çotën në majën e sulmit, Tirana përpiqet të rifutet në lojë, por hapësirat që linte prapavija durrsake ishin mjaft të ngushta për depërtim. Përpiqet edhe Kastrati, i cili merr përsipër për të ndërtuar aksionet, por ata thyheshin nga Osmani, Jakupi, Da Silva dhe Idrizi, i cili ishte në një formë mjaft të mirë. Pas disa aksioneve pa prespektivë, i erdhi fundi pjesës së parë, e cila i dërgon vendësit në dhomat e zhveshjes në avantazh.
Pjesa e dytë – Edhe ky fraksion nisi shpejt, teksa të dyja skuadrat kërkonin që të kontrollonin lojën. Magani, duke parë që kundërshtari nuk ishte në një ditë të mirë, vendosi të kryente zëvendësimet e para në grup. Kastrati ka rastin më të mirë për t’i barazuar shifrat, por goditja e tij u ndal nga portieri Osmani. Teuta fiton një goditje dënimi në krahun e djathtë disa metra larg zonës, ekzekutimin e së cilës e merr përsipër Daniel Xhafaj, që me një kros të kalibruar gjen kokën e mbrojtësit R.Hoxha. Ky i fundit e dërgon në trekëndëshin e portës së mbrojtur nga portieri Çaka dhe 2-0. Durrsakët marrin frenat e lojës në dorë. Vetëm një minutë më pas vjen edhe goli i tretë. Këtë radhë Xhafaj gjen në një korridor Muriqin, i cili, pasi ka ecur disa metra së bashku me topin, futet bashkë me topin brenda në rrjetë dhe 3-0. Kryeqytetasit dorëzohen totalisht, kjo për shkak edhe të eksperiencës, sepse lojtarët ishin shumë të rinj në moshë. Në minutën e 72-të të ndeshjes sërish Muriqi futet së bashku me topin në zonë, por aty pengohet njëkohësisht nga dy mbrojtësit kryeqytetas dhe gjyqtari akordon penallti. Ekzekutimin e saj e merr përsipër mesfushori Altin Hoxha, që shënon golin e katërt për durrsakët. Loja vazhdoi, por bardheblutë nuk arritën që të shënonin dot as golin e nderit.

“Më bind rezultati, por kam rezerva për disa lojtarë”
Në fund të ndeshjes, tekniku durrsak Gugash Magani u shpreh i lumtur për rezultatin, ndërsa tha se ka rezerva për nga mënyra e lojës për disa prej lojtarëve të tij. “Në përgjithësi luajtëm mirë, por në disa raste nuk ishim të qartë në veprimet tona. Megjithatë, jam i kënaqur nga lojtarët, pasi zhvilluan një ndeshje të madhe. Ndonëse ishte një miqësore, u angazhuan me shumë seriozitet dhe arritën t’ia dilnin mbanë. Rezultati më kënaqi, pasi luanim përballë Tiranës dhe dihet që është një nga skuadrat që duhen vlerësuar. Ndërsa si trajner i skuadrës kam rezervat e mia, për veprimet e disa lojtarëve. Një pjesë e tyre luajti mirë, por duhet të punojnë më shumë, pasi kampionati nuk është një ndeshje miqësore. Duhet të jemi gati për ndeshjen e parë të kampionatit, por besoj se jemi në rrugën e duhur. Kemi edhe disa javë për t’u përgatitur, kohë që do ta shfrytëzojmë në maksimum”, – u shpreh Magani.

“Teuta na dominoi, presim buxhetin për merkato”
Tekniku i Tiranës, Nevil Dede, në përfundim të ndeshjes tha për “Panorama Sport” se Teuta e meritoi fitoren. Duke analizuar përballjen, Dede u shpreh se skuadra ka nevojë për përforcime, pasi përbëhet nga lojtarë të rinj dhe pa eksperiencë. “Ka qenë pikërisht eksperienca që vendosi ditën e sotme, – tha tekniku kryeqytetas. – Kundërshtari e meritoi plotësisht fitoren, pasi ne ishim indiferentë në fushën e lojës. Skuadra e Tiranës sot (dje) ishte tërësisht me të rinj dhe pa shumë eksperiencë, e cila ndikoi drejtpërdrejtë në rezultat dhe në lojë. Ne kemi nevojë të punojmë sa më shumë të jetë e mundur, me qëllim që të jemi gati për sezonin e ri, i cili pritet të startojë disa javë më vonë. Gjithashtu, kemi nevojë për përforcime, por nuk mund të veprojmë nëse nuk miratohet buxheti. Gjithsesi, në do vazhdojmë të punojmë, pasi është e vetmja mënyrë për të formuar një skuadër të denjë për kampionatin e ri”, – deklaroi Dede.
LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"