Polemikat te Skënderbeu, Jovan: Vaso po shkrin peshëngritjen!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2022 | 14:22

Polemikat te Skënderbeu, Jovan: Vaso po shkrin peshëngritjen!

Çështja e peshëngritëses korçare, Ana Jovan, vijon të prodhojë polemika në klubin shumësportësh Skënderbeu. Siç dihet, rreth dy javë më parë, Jovan akuzoi shefen e re të klubit, Olsa Vaso, për uljen e trajtimit ushqimor, trajtim të cilin sportistët e marrin në klubet përkatëse si shumë financiare.

JOVAN

Shtangistja deklaroi se kishte mjaftuar vetëm një garë, në të cilën konkurroi mes shumë problemesh fizike duke mos u shpallur kampione, që klubi t’i ulte pagën nga 400 në 150 mijë lekë të vjetër, duke akuzuar për këtë vendim drejtoreshën Vaso.

Kjo e fundit në replikën e saj për gazetën ishte shprehur se Jovan jo vetëm që kishte rënie në rezultate, por sipas saj dhe trajnerit, nuk shkonte as në stërvitje.

Pas deklaratës së disa ditëve më parë nga drejtoresha e klubit, ka ardhur edhe një tjetër replikë nga peshëngritësja Ana Jovan, e cila përveç titujve të shumtë kampionë në shtangë, i ka dhuruar Skënderbeut gjithashtu triumfe në sportin e gjimnastikës.

“Shefja e klubit më ka ofruar duke ngulmuar për shumën e 150 mijë lekëve të vjetër, që është një tallje për një sportist profesionist.

Në asnjë ligj nuk thuhet që një sportist kampion që ka rënie në rezultat, për arsye shëndetësore dhe dëmtime, të ketë një ulje të tillë. Rënien unë e kisha pranuar edhe vetë, dhe në garë mora pjesë vetëm për të përfaqësuar ekipin.

Edhe sportistët më të mirë në botë mund të kenë rënie në rezultate, ndërsa mua për vetëm një garë ma ndërprenë trajtimin ushqimor. Po nuk Kupën e Shqipërisë, ku e dinin që nuk do të kisha rezultate që më lanë jashtë?!

Volejbolli u shpall kampion pas 31 vitesh. Sa lekë paguhet një volejbolliste?! Ndërsa shefja e klubit u kap pikërisht te rënia ime në një garë të vetme”, thotë fillimisht Ana Jovan për “Panorama Sport”, teksa më pas shton:

“Gjithçka e ka vendosur vetë shefja e klubit me mendjen e saj. Duhet të jesh profesionist, të kuptosh e të jetosh botën e sportit që të kuptosh sakrificat dhe vështirësitë që ka në çdo sport.

Por zonja në fjalë nuk vjen nga bota e sportit dhe nuk i di këto gjëra.

Me mënyrën se si po vepron, po e çon peshëngritjen korçare drejt shkrirjes, pasi nuk mund të quhet ekip me vetëm dy sportistë”. Më tej shtangistja i përgjigjet drejtoreshës dhe trajnerit Olsi Xurre për pretendimin e tyre se ajo nuk shkonte në stërvitje: “Osi Xurre, i emëruar trajner, nuk ka qenë asnjëherë trajneri im.

Unë jam stërvitur vetëm që prej ikjes së trajnerit tim Sotiraq Dhamonica. Jam ushtruar në orare të ndryshme, ndërsa në periudhat e ftohta kam shkuar në palestra private për të shmangur dëmtimet, pasi ambienti është shumë i ftohtë”, deklaron Ana Jovan, e cila pas 21 viteve me radhë që përfaqëson me sukses Skënderbeun, në një situatë të tillë duket se është e detyruar që të garojë për ngjyrat e një tjetër ekipi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"