Portieri Haremi shpall “divorcin” nga Lushnja: Nuk do të rinovoj, jam lojtar i lirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2024 | 21:13

Portieri Haremi shpall “divorcin” nga Lushnja: Nuk do të rinovoj, jam lojtar i lirë

Lushnja mbetet në pritje të fillimi të punës për sezonin e ri, ku sërish verdhejeshilët do të drejtohen nga trajneri Gugash Magani. Por ka lojtarë që nuk po presin zhvillimet në kampin lushnjar, duke i dhënë drejtim të ardhmes së tyre.

HAREMI

Portieri Oltjan Haremi e shikon veten larg Lushnjës duke dalë lojtar i lirë. Në një prononcim për “Panorama Sport” portieri 31-vjeçar tha se nuk do të rinovojë me Lushnjën. “Unë kisha një kontratë njëvjeçare me Lushnjën, e cila skadoi më 31 maj. E kisha me të drejtë rinovimi 1+1, por nuk do të rinovoj më me Lushnjën. Tani jam lojtar i lirë. Kam disa oferta në vend dhe në Kosovë”, deklaroi portieri Haremi.

31-vjeçari u rikthye te Lushnja pas tre edicionesh dhe në sezonin e fundit mbajti në disa ndeshje edhe shiritin e kapitenit. Në fund të kampionatit pësoi një dëmtim, por që e kaloi me sukses. “Çdo gjë është në rregull për mua dhe tani kam filluar stërvitjen. Jam lojtar i lirë dhe kam oferta. Kjo është situata ime tani”, tha Haremi. Pas francezit Lëru dhe Granit Islamit, portieri Haremi është lojtari i tretë, i cili deklaron se nuk do të rinovojë me Lushnjën.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"