Portieri i rrogozhinasve, Alen Sherri: Skandali në Bosnjë na jep kurajë, Egnatia kalon turin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2024 | 16:05

Portieri i rrogozhinasve, Alen Sherri: Skandali në Bosnjë na jep kurajë, Egnatia kalon turin

Alen Sherri ishte kapiten i Egnatias në ndeshjen kundër Boracit në Banja Luka dhe e përjetoi maksimalisht duelin tejet delikat dhe të tensionuar të turit të parë të Ligës së Kampioneve. Portieri Alen Sherri në një prononcim për “Panorama Sport” thekson se u ndie i fyer shpirtërisht kur shikonte që ofendohej nga i gjithë stadiumi.

sherri

Shkodrani shtoi se Egnatia ka pafund arsye për të lumturuar të gjithë shqiptarët me një përmbysje në ndeshjen e kthimit në Elbasan pas dy ditësh. “E kam përjetuar maksimalisht ndeshjen kundër Borac. E dinim që nuk do të ishte një ndeshje e lehtë në aspektin psikologjik dhe për këtë ishim përgatitur shumë. Nuk ramë pre e provokimeve dhe bëmë një ndeshje pozitive, por arbitrit, siç e tregojnë pamjet, i doli situata nga kontrolli. Mjafton të shikosh episodin ku ndëshkoi Edison Ndrecën. Mbeta i habitur sesi gjyqtari i katërt i quajti normale koret raciste, kur UEFA bën spote publicitare dhe luftë të ashpër mediatike kundër racizmit.

U mundova të bëja gjithçka që ndeshja të ndërpritej, sepse po na fyenin dinjitetin kombëtar. Pavarësisht gjithçkaje, ajo që ndodhi duhet të na japi kurajë të japim gjithçka kemi për t’ua treguar vendin rivalëve tanë. Kam besim te skuadra dhe së bashku me tifozët nga e mbarë Shqipëria do t’ia dalim të nderojmë veten dhe përfaqësojmë denjësisht flamurin tonë kombëtar”, u shpreh portieri shkodran.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"