Portieri korçar vendosi të rikthehet në Vlorë. Rrëfimi i Stivi Frashërit, nga golat në derbi te ofertat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2024 | 12:49

Portieri korçar vendosi të rikthehet në Vlorë. Rrëfimi i Stivi Frashërit, nga golat në derbi te ofertat

Kampion me Teutën, Ballkanin dhe paraqitje shumë të mira në grupet e Ligës së Konferencës. Pikërisht bëhet fjalë për “gardianin” Stivi Frashëri.

stivi frasheri

Portieri 33-vjeçar u  rikthye në Vlorë, ndërsa ka folur edhe në një intervistë pa doreza për “Panorama Sport” ku tregon arsyen e largimit nga Ballkani, eksperiencat e mëparshme në Superiore.

Duke u kthyer pas në kohë dhe duke e analizuar pas 10 vitesh, Stivi zbulon edhe arsyen pse nuk shkoi siç duhet te Tirana, përmend me batutë golat në derbi të Nexhipit, ndërkohë tani me më shumë eksperiencë mbi supe, portieri korçar kërkon një ekip me një projekt serioz.

Stivi, per disa kohë mbetet portier i lirë, ndonëse keni një eksperiencë të madhe mbi supe?

Verën e kaluar unë kam dashur të kaloj në kampionatin arab. Kam pasur një ofertë shumë të mirë, por futbolli është ndonjëherë edhe çështje fati. Më doli një problem me dokumentacionin në lidhje me vizën dhe pas disa çështjeve gjyqësore ku dola fitues, më mbetën bosh 4 muaj dhe vendosa që të shkoja te Liria në Kosovë, për të qëndruar aktiv sportivisht.

Le të rikthehemi pak mbrapa, ju vini nga një aventurë dy vjeçare te Ballkani, si e përshkruani atë rrugëtim të karrierës tuaj?

Pas shpalljes kampion me Teutën në Superiore, e para në karrierën time, ka pasur një interesim të madh nga liga e Kosovës. Portierët e kanë pak të vështirë të lëvizin në një kampionat tjetër. Më ka bindur Nderim Nexhipi, i cili mori postin e drejtorit sportiv te Ballkani dhe kalova atje. Ishte një projekt serioz dhe me ide të qarta se ku do të arrinte. Kemi fituar dy vite titullin kampion, Superkupën, arritëm edhe kualifikimin në grupet e Ligës së Konferencës.

Me Nderimin nuk keni kujtime të bukura në derbi apo jo?

Dy golat më të bukur që ka shënuar Nderimi në derbi janë kundër meje (qesh). Kam një miqësi shumë të mirë me të, pasi kemi punuar edhe te Kukësi më parë.

Vëmendje morën pritjet e dy penalltive radhazi në ndeshjen kundër Kluzhit?

Kanë qenë dy nga ndeshjet e mia më të mira në këtë kompeticion, ato kundër Kluzhit, edhe pse me Slavian kam bërë më shumë pritje, duke qenë se ishte ekip më i fortë. Sa i përket penalltive, kisha dy javë që e studioja kapitenin e tyre dhe kur erdhi pas ndeshjes më tha: “Sot më ke fikur”.

U larguat nga Ballkani verën e kaluar, pse erdhi ky vendim?

Duke parë gjithë ecurinë e mirë, ka pasur edhe disa shkëndija nga ekipe të tjera, nga Arabia kryesisht, Por, edhe kur jam larguar, e bëra me kokën lart. Në Suharekë kam kaluar shumë mirë, më kanë respektuar dhe i falënderoj të gjithë. E mendova edhe rinovimin dhe kisha edhe një bisedë me presidentin, por ndonjëherë jo gjithmonë e vendosim ne mënyrën e largimit pasi nuk ishte çdo gjë në dorën time.

E keni ndjekur Superioren këto dy vitet e fundit, si ju është dukur?

Kam vënë re që kanë mbetur pak lojtarë nga brezi im. Është i vakët në këtë pjesë, por në kampionat ka shumë lojtarë me potencial. Mu duk disi e çuditshme pjesa e “Final 4”, çka ka zbehur ato 36 javë dhe ekipet luajnë më shumë me llogari sesa me emocion. Sa u përket skuadrave, Egnatia ka qenë surpriza e këtij kampionati sepse ka pasur ndeshje shumë të mira në përgjithësi. Partizani është gjithë kohës pretendent për kampionat, kurse Skënderbeu me shumë lojtarë të rinj, të cilët menaxhohen shumë mirë nga klubi. Edhe Vllaznia një klub që nxjerr shumë lojtarë.

Ju keni luajtur edhe me Teutën, si i kujtoni ato kohë, pasi u shpallët kampion disa sezone më parë?

Me Teutën kam shumë kujtime të bukura. Falënderoj trajnerin e portierëve, Rizvanin, por më vjen keq që e shoh në këtë situatë, pasi kur u largova unë Teuta ishte kampion dhe këtë sezon po luftonte për mbijetesë. Më vjen keq. Ishim një grup shumë i mirë, Bregu, Aleksi, Rustem Hoxha, dy Vilat.

Keni qenë edhe pjesë e Flamurtarit, Kukësit, Bylisit dhe Tiranës…

Në përgjithësi, në çdo klub kam kaluar mirë, pavarësisht se futbolli nuk është asnjëherë i parashikueshëm. Kur kam qenë te Flamurtari ishim një ekip plot me emra, por në tranzicion. Sa i përket eksperiencës te Tirana, më vjen keq që në kohën time më të artë, duke ardhur edhe nga ekipi kombëtar i Shpresave si kapiten, pasi bëra disa sezone shumë të mirë me Bylisin, vendosa që të shkoja te një ndër ekipet më të mirë në Shqipëri.

Mendoj se për karrierën time, them se ndoshta ishte momenti i gabuar ai kalim, sepse ato vite Tirana ka qenë në rindërtim dhe koha që kërkon një futbollist për t’u bërë një me ekipin, në rastin tim portier, mua nuk dha në atë moment. Pata një krizë të vogël, duke mos patur një ecuri siç unë mendoja ta kisha me skuadrën e Tiranës. Gabime mund të bëjë kushdo, ne sot shohim që ka portierë që gabojnë edhe në finale të Champions League. Futbolli prandaj është i bukur sepse ka momente te bukura, por ka edhe momente të këqija. Pa bërë gabimin në gjysmëfinale me Real Madridin këtë sezon, Nojeri deri në atë moment ishte lojtari i ndeshjes. Të gjithë mbajnë mend atë, sepse portierët i mbron vetëm rrjeta, askush tjetër.

Tashmë ju jeni 33 vjeç, a keni mësuar nga ato gabime?

Tani është ndryshe sepse duke u rritur mosha, duke ardhur më tepër eksperienca, duke ardhur edhe sukseset, i ndan më mirë gjërat sesi duhet të reagosh, se ku ke probleme dhe duhet të punosh. Nëse ke momente të këqija në futboll, nuk i përjeton aq shumë sa në një moshë të re dhe kjo është një etapë e mbyllur në karrierën time,.Gabimet që më ndodhën te Tirana, i përjetoja shumë dhe nuk arrija ta gjeja veten në ndeshjet e tjera sepse e vuaja këtë pasojë.

KRISTI SEJATLLARI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"