Portieri vlonjat ndihet mirë te verdhejeshilët. Alimuaçaj i “shkel syrin” Lushnjës për rinovim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2024 | 18:42

Portieri vlonjat ndihet mirë te verdhejeshilët. Alimuaçaj i “shkel syrin” Lushnjës për rinovim

Portieri i Lushnjës, Saugli Alimuçaj, ia doli pikërisht atëherë kur duhej më shumë. “Gardiani” i verdhejeshilëve, që së shpejti do të mbush 22 vjeç, e ruajti të paprekur portën në ndeshjen e sezonit kundër Ilirisë. Fundi i kampionatit nuk ishte dhe aq i lehtë për të.

alimucaj

Pësoi një dëmtim të rëndë në fillim të ndeshjes në transfertën e Burrelit, por u rikthye më i fortë duke mos pësuar në dy javët e fundit të kampionatit të rregullt kundër Kastriotit dhe Tomorit, që i paraprinë sfidës vendimtare ndaj Ilirisë. Në një sezon debutues për të te Lushnja, bëri një prezantim të mirë në gati 50% të ndeshjeve. “Luajta afërsisht gjysmat e ndeshjeve. Kush nuk do të donte të luante më shumë, por gjithsesi jam i kënaqur me aktivizimin tim te Lushnja. Merita që s’pësuam është e të gjithë ekipit. Për këtë falënderoj të gjithë djemtë që dhanë më të mirën. Sikurse dihet, merita i takon edhe portierit kur nuk pëson”, deklaroi portieri Alimuçaj.

Vlonjati i portës verdhejeshile ka fituar respektin e publikut lushnjar. Ai tha se ka bërë më të mirën. “Lushnja është një ekip me emër në Shqipëri, me njerëz të mirë përreth dhe me tifozëri shumë të mirë. Janë të dashuruar pas ekipit dhe janë një shtysë e madhe për cilindo lojtar që luan aty. Dhashë më të mirën për atë fanellë dhe kjo i ka bërë tifozët që të më duan”, tha Alimuçaj. Portieri i Lushnjës foli edhe për mundësinë e vazhdimësisë te Lushnja. “Është akoma herët për të diskutuar. Kjo, sepse akoma nuk janë diskutuar gjërat për sezonin e ardhshëm, por përjetova një shije të mirë aty. Nëse gjërat shkojnë si duhet, pse jo! Pse mos të vazhdoj!”, deklaroi portieri vlonjat i lushnjarëve, Saugli Alimuçaj.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"