Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi: Meritonim fitoren, i druhesha gjykimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2024 | 9:05

Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi: Meritonim fitoren, i druhesha gjykimit

Presidenti Alban Xhaferi pohoi se është i kënaqur me barazimin që Vllaznia mori në Islandë. Pas ndeshjes ai pohoi se që në fillim i frikësohej gjyqtarit, por ka besim se në Shkodër ekipi do të marrë kualifikimin, ndonëse fitoren e meritonin edhe në Rejkjavik.

ALBAN XHAFERI

Xhaferi, a keni keqardhje për atë gol të pësuar në shtesë dhe për barazimin?

Unë jam i kënaqur me barazimin, por jo me golin që na shënuan islandezët në minutat shtesë mbi shtesën. Kjo të dhemb më shumë, pasi e meritonim tërësisht fitoren. Gjithsesi, me këtë barazim i kemi të gjitha shanset që të arrijmë një rezultat pozitiv dhe të jemi në turin tjetër të Ligës së Konferencës.

Pra, ju jeni i kënaqur me paraqitjen e skuadrës?

Kundërshtari është në aktivitet, 14 javë kampionat, janë në kulmin e tyre. Kanë disa avantazhe në krahasim me ne, por mendoj se skuadra e re që kemi ndërtuar bëri më të mirën në këtë takim. Ka vende për përmirësim, por unë mund të them se jam i kënaqur me lojën. I kënaqur me të dy golat, por sidomos atë të Dodajt, një i ri premtues.

A e hodhi Vllaznia në këtë takim hapin e parë drejt kualifikimit?

Ne jemi optimistë, duket respektuar edhe forcën e kundërshtarit. Ne jemi optimistë se në Shkodër do të arrijmë kualifikimin. Edhe në Reikjavik nuk ishit vetëm, tifozët ju mbështetën… Dua të bëj një falënderim të veçantë për gjithë ato që na mbështeten në këto ditë qëndrimi në Reikjavik, por edhe në stadium. Ato ishin edhe më impulsiv se tifozëria vendëse dhe për këtë kanë një tjetër falënderim.

Tifozët, stafi dhe lojtarët kanë shprehur pakënaqësi për gjykimin, po ju?

Të gjithë e shikuat se sa i dukshëm ishte reagimi, sidomos te kartonët. Që në caktimin e arbitrit kam patur frikën time, pasi këto vijnë nga e njëjta rrënjë. Nëse do të kishte qenë një gjyqtar tjetër, do të kishte qenë shumë më asnjanës. Kam rezervat e mija, por ne nuk do të merremi me arbitrin. Ne duhet të merremi me atë që do të japim në takimin e kthimit dhe të shikojmë përpara.

Një supergol i Dodajt që thatë se e shijuat shumë…

Ai është një lojtarë i perspektivës dhe golin e tij e shijova shumë. Goli i tij na kënaqi të gjithëve, ishte momenti më i bukur i ndeshjes

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"