Presidenti Takaj “driblon” për aksionet, ja e vërteta me biznesmenin gjerman te Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2024 | 9:02

Presidenti Takaj “driblon” për aksionet, ja e vërteta me biznesmenin gjerman te Skënderbeu

Skënderbeu po vijon punën për ndërtimin e ekipit me kërkesat dhe pritshmëritë e sezonit të ri. Duke pasur parasysh arritjet e sezonit të kaluar dhe pritshmërive të sezonit të ri korçarët duket se janë të përqendruar te ndërtimi i një ekipi solid për kampionatin e ardhshëm.

skenderbeu

Por në kulimin e përgatitjeve vjen një lajm që zgjon akoma më shumë këto pritshmëri, në lidhje me një investitor gjerman që kërkon 25% të aksioneve të klubit korçar. “Panorama Sport” është interesuar në lidhje me këtë lajm për të mësuar më shumë rreth asaj që po “zien” në kampin bardhekuq. Burime të sigurta të gazetës bëjnë më dije se ka pasur më herët një interesim që vjen prej muajit maj të këtij viti kur investitori në fjalë ka kërkuar të marrë 25% të aksioneve, duke dhënë premtimin e një plani konkret për ndërtimin e një ekipi cilësor. Palët janë takuar në Tropikal dhe kanë folur rreth kësaj mundësie por që në atë moment e në vazhdim nuk është bërë asgjë më shumë.

I kontaktuar nga gazeta, presidenti Ardjan Takaj nuk ka pranuar të japë detaje lidhur me këtë çështje teksa burime të tjera bëjnë me dije se bëhet fjalë vetëm për një interesim të momentit. Nga ana tjetër, po të njëjtat burime tregojnë se për çështjen në fjalë, investitori gjerman ka arritur të bindë vetëm Krasniqin për t’u bashkuar me ekipin dhe më pas nuk është shfaqur më në ambientet e klubit korçar. Në kushte të tilla bardhekuqtë janë të hapur për bisedime teksa kërkojnë të shohin më me hollësi projektin dhe kërkesat e investitorit që kërkon të hyjë si donator në këtë shoqëri.

KËRKESA – Sirena gjermane për blerjen e 25 % të aksioneve të klubit të futbollit Skënderbeu, i cili prej gati një dekade është në pronësi të biznesmenit Ardjan Takaj. Lajmi sensacional vjen nga Anglia. Është media prestigjioze “Sky Sports” ajo që bën të ditur se një biznesmen gjerman është shumë afër marrëveshjes për të investuar te klubi korçar. Bëhet fjalë për biznesmenin Daniel Thomas Loitz, i cili drejton firmën e investimeve “Hokulani Ltd”. Lajmi fillimisht ka të bëjë me blerjen e klubit londinez të regbisë, “London Irish” nga ana e investitorit gjerman. Në vijim, “skysports.com” raporton se investitori gjerman është gjithashtu afër blerjes së 25 për qind të aksioneve në skuadrën e futbollit shqiptar, Skënderbeu. Lajmi specifikohet edhe me faktin se skuadra korçare u dënuan me 10 vjet përjashtim nga garat e UEFA-s për trukim të ndeshjeve. Mesa duket kjo nuk përbën problem për gjermanin, që shpreson të investojë në klub bashkë me presidentin aktual, Takaj dhe të rikthejë shkëlqimin Skënderbeut, që dominoi për disa vite futbollin shqiptar, duke fituar 7 tituj kampionë, nga të cilët 6 radhazi.

KOMPANIA – Por cila është kompania që kërkon të blejë aksione te klubi i Skënderbeut? Kompania “Hokulani Ltd” ka një historik të shkurtër, pasi operon në treg prej vetëm dy vitesh, edhe pse investimi i tyre është mbarë botëror dhe në fusha të ndryshme. Në lidhje me qëllimin, në historikun e themelimit të kësaj kompanie, ndër të tjera shkruhet: Nga veprimtarie tyre e fundit del qartë që sporti në përgjithësi është një nga sfidat e kësaj kompanie, pasi rrënjët po i shtrin në Angli në rregbi, por edhe në futboll. Mbetet për t’u parë nëse presidenti aktual i klubit korçar, Takaj, do të pranojë ofertën e gjermanit Daniel Thomas Loitz. Kujtojmë që klubi funksionon si shoqëri aksionare e themeluar në vitin 2016, ku Takaj ka 75 % të aksioneve, ndërsa 25 %bashkia Korçë. Nuk përjashtohet mundësia që biznesmeni gjerman të blejë aksionet që zotërohen nga bashkia dhe kësisoj të bëhet ortak i Takajt.

LLAZI SAROPANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"