Prezantohen Deliç dhe Ilion Lika: Kjo Tiranë do mbijetojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2014 | 11:22

Prezantohen Deliç dhe Ilion Lika: Kjo Tiranë do mbijetojë

Halili kryesore copyIlion Lika dhe Ivan Deliç nga dje janë zyrtarisht pjesë e skuadrës së Tiranës. Të dy janë prezantuar nga dy donatorët Morina dhe Halili në një konferencë për shtyp, gjatë të cilës nuk mungonin as trajneri Gugash Magani dhe administratori Krenar Alimehmeti. Në një atmosferë optimiste, ku batutat me të pranishmit ishin pa kursim, drejtuesit e rinj tentuan, nëpërmjet kësaj daljeje të parë në media për këtë vit, që të jepnin sinjale krejt të tjera karshi tifozëve dhe të interesuarve, paçka se skuadra gëlon në fundin e renditjes me 12 pikë në 16 javë kampionat. Pas përshëndetjeve të rastit u hodhën edhe firmat në kontratat e dy lojtarëve që, sipas informacioneve, janë të vlefshme për deri në fund të sezonit, por me opsion edhe për një vit tjetër. Gjithsesi, duhet saktësuar se si për Likën dhe për Deliç klubi ka ruajtur të drejtën që në fund të këtij sezoni të kërkojë ose refuzojë për vijimin e kontratës edhe për 2014-2015. Pra, edhe nëse të dy lojtarët do kenë dëshirë për të qëndruar me këtë skuadër, në qoftë se drejtuesit e klubit nuk do jenë të këtij mendimi, aventura e tyre mbaron në qershor. Kjo natyrisht bëhet edhe për faktin se skuadra gjendet në një pozicion të rrezikuar, për herë të parë në gjithë historinë e vet, drejt rënies nga kategoria. Megjithatë, Ilion Lika beson verbërisht se kjo Tiranë do të shpëtojë. Në prononcimin e dhënë dje ai ka pohuar se erdhi pa u menduar dy herë te bardheblutë, pasi nuk e mendon kurrë se kjo skuadër do të bjerë nga kategoria. “Mua personalisht më duket sikur nuk kam ikur asnjëherë nga kjo skuadër. Kam ruajtur marrëdhënie të mira me drejtuesit dhe ju siguroj që nuk u mendova dy herë për të veshur sërish fanellën e Tiranës. A do mbijetojmë? Sigurisht që po. Nuk do të kisha ardhur nëse nuk do e besoja një gjë të tillë. Jam i bindur se të gjithë këtu po punojnë për këtë objektiv, duke filluar që nga drejtuesit, stafi teknik, lojtarët por edhe tifozët, të cilët dua t’i falënderoj që kanë qenë gjithnjë në krahun tonë. Kampionati është ende i gjatë dhe ka edhe shumë ndeshje në dispozicion, ndaj nëse japim maksimumin them se mbijetesa është e arritshme”, – tha Lika. Ndërkohë, pyetjes se përse Lika zgjodhi rikthimin në një moment kaq të keq, ish-kapiteni u përgjigj: “Ju kujtoj se edhe skuadra të mëdha si Juventusi, me lojtarë të klasit botëror në përbërje, ra nga kategoria. Ndërsa ne jo vetëm që nuk kemi rënë, por besojmë shumë se do të mbijetojmë”, – përfundoi portieri bardheblu. Ndërkohë, në konferencën e djeshme nuk u prononcua fare malazezi Deliç. Ky i fundit firmosi kontratën në prani të mediave dhe e vetmja fjalë në shqip ishte: “Faleminderit!”.

Halili prezanton dy blerjetHalili: Salihit i ofruam 20 mln lekë rrogë në muaj
Hamdi Salihi me shumë gjasa nuk do të luajë për Tiranën, por jo vetëm. Sulmuesi shkodran i Kombëtares shqiptare preferon një aventurë jashtë Shqipërisë, ndaj Superiorja për momentin nuk është një opsion i mundshëm. Edhe pse Tirana i ka ofruar një shumë marramendëse për financat shqiptare, plot 20 milionë lekë neto në muaj, Salihi duket se e ka refuzuar këtë ofertë. Lajmin e ka bërë të ditur dje vetë donatori i Tiranës, Refik Halili. “Ju bëj me dije se unë dhe z.Morina e kemi kontaktuar Salihin dhe kemi dashur që ai të bëhej pjesë e jona. I ofruam 20 milionë lekë në muaj rrogë që ta kishim në skuadër, por sot (dje) ai më telefonoi duke më falënderuar, por nuk e shikonte si mundësi qëndrimin në Shqipëri. Në bisedën që patëm, ai la një mundësi të vogël, por intuita ime me thotë që Salihi dëshiron të luajë jashtë. Thënë këtë, ne nuk është se do të stepemi, por do vijojmë të kërkojmë lojtarë dhe kemi si synim edhe katër të tjerë, që të gjithë cilësorë”, – ka saktësuar Halili. Sakaq, ky i fundit ka thënë më tej se Tirana nuk do e diskutojë mbijetesën, teksa ka “thumbuar” edhe ata që kohët e fundit kanë pohuar nën zë se do e ndihmojnë Tiranën. “Kjo skuadër nuk është për lëmoshë. E kam dëgjuar disa herë, njerëz që kanë thënë se do e ndihmojmë Tirana. Harrojeni! Tirana ndihmon vetveten dhe do ia dalë me sukses, ndonëse jemi në një pozicion të keq. Unë i siguroj në radhë të parë të gjithë tifozët e Tiranës, të cilët na kanë qëndruar pranë dhe na kanë ndihmuar madje, duke na sugjeruar lojtarë, se po bëjmë të pamundurën për ta shpëtuar këtë skuadër dhe në fund do e shikojnë edhe ata se do t’ia arrijmë. Me këtë rast u bëj thirrje edhe menaxherëve që, kushdo që ka në dorë një lojtar të afirmuar, të mirë, pasi ne synojmë më të mirët në treg, të na kontaktojnë. Rrogën le ta caktojnë vetë menaxherët, nuk e kemi problem atë pjesë, por natyrisht duam lojtarë cilësorë. Siç e dini, merkato e janarit është disi e kufizuar, pasi nuk ka lojtarë të lirë. Pjesa më e madhe janë nën kontrata me klubet e tjera dhe ne, për të qenë të sinqertë, jemi munduar që të mos i prishim punë kurrkujt, por po merremi vetëm me lojtarë që nuk kanë probleme me dokumentacionin”, – ka përfunduar Halili.

SalihiReagon Salihi: Të ardhmen e shikoj jashtë Shqipërisë
As Tirana, as Vllaznia, as Skënderbeu, por as Shkëndija e Tetovës. Dëshira e këtyre të fundit për të pasur Hamdi Salihin në skuadër duket se po shuhet dita ditës. Sulmuesi shkodran ka folur dje për faqen zyrtare në internet të Shkëndijës, skuadrës që aktualisht drejtohet nga i mirënjohuri Shpëtim Duro. Ai tregon se e ka vënë në siklet situata e krijuar rreth emrit të tij. “Më besoni se do të flas vetëm falë respektit të madh që kam ndaj juve, klubit tuaj, drejtuesve të Shkëndijës dhe tifozerisë së zjarrtë ‘Ballistëve’. Sinqerisht e kam ndierë veten shumë në siklet ditët e fundit me gjithë këtë bujë që u bë rreth emrit tim. Kam ardhur me pushime në vendlindje dhe, duke vlerësuar veten një njeri të thjeshtë si gjithë të tjerët, më pengon fakti që jam në qendër të vëmendjes dhe s’takoj dot njeri që nuk do më pyesë për të ardhmen time. T’ju them të drejtën kam pasur oferta të mira, thuajse nga të gjitha ekipet shqiptare. Kur e them këtë, nuk mendoj vetëm për ekipet në Shqipëri, por edhe për Shkëndijën e Tetovës, që e konsideroj si pjesë e jona. Është kënaqësi kur ndien gjithë këtë dashuri nga kombi yt, por realisht unë në këtë moment kam plane të tjera dhe të ardhmen e shoh jashtë Shqipërisë. Për të pranuar një ofertë të klubeve shqiptare vlerësoj se nuk është momenti. Në jetë duhet të sakrifikohet diçka dhe, duke e analizuar mirë situatën, mendoj se në këtë moment duhet të jem jashtë Shqipërisë, për t’i shërbyer më së miri vetes, familjes, por edhe ekipit kombëtar”, – sqaron Salihi.
Rikthimi – Sulmuesi i Kombëtares shton se ndoshta një ditë do të mendojë edhe për të luajtur në ndonjë ekip shqiptar. “S’i dihet të ardhmes?! Vërtet do të kisha dashur që një ditë të jem në një klub shqiptar. Por kur do të vijë koha, jo tani. Në këtë moment planet e mija janë të tjera. Unë e di shumë mirë punën që bëhet te Shkëndija e Tetovës, seriozitetin dhe planet e klubit, si dhe mbështetjen e madhe që i japin skuadrës tifozeria e njohur ‘Ballistët’, të cilët janë ndër më të dalluarit edhe në ndeshjet e ekipit kombëtar. Unë i falënderoj nga zemra të gjithë për dëshirën e shprehur për të më parë te Shkëndija. Shpresoj që një ditë të ndodhë, pasi edhe unë do e doja një gjë të tillë, por më besoni se tani nuk është momenti i duhur. Uroj që Shkëndija t’i sjellë shumë gëzim tifozerisë së saj të zjarrtë”, – përfundoi shkodrani.

Morina Lul“S’kemi pasur vendimmarrje, por Tirana do të ringrihet”
Donatori Lulzim Morina ka thumbuar indirekt dje ish-donatorin Ndriçim Babsi për situatën në të cilën ndodhet Tirana. Edhe pse ai e ka falënderuar në fjalën e tij, ka theksuar se deri në janar të këtij viti as ai dhe as Refik Halili nuk kanë pasur vendimmarrje në klub.
Z.Morina, dy afrime të reja, për një Tiranë që gëlon në fund të renditjes, sa besoni te ringritja?
Besoj shumë se kjo skuadër do të arrijë në nivelet e kërkuara. Unë dhe z.Halili jemi këtu për të kontribuar për Tiranën dhe do bëjmë të pamundurën që gjërat të shkojnë në drejtimin e duhur. Madje jam i bindur se kjo Tiranë me afrimet që po bëjmë dhe do të bëjmë, do të mbijetojë.
Ky është objektivi i vetëm i Tiranës?
Po, nuk mendojmë për asgjë tjetër më shumë sesa kaq. Jemi në fund, ndaj duhet që sot për sot të mbijetojmë.
Në fakt, ju dhe z.Halili keni qenë te Tirana që nga shtatori, çfarë ka ndryshuar tani që jeni më optimist?
Ka ndryshuar fakti se sot për sot unë dhe z.Halili jemi vendimmarrës. Deri para pak kohësh ne vetëm sa kemi dhënë paratë e sponsorizimit te Tirana, ashtu sikundër kishim rënë dakord, por nuk kemi marrë asnjë vendim, për mirë apo për keq. Nuk e kemi menaxhuar ne klubin, në asnjë aspekt.
Kjo do të thotë që nuk mbani përgjegjësi për situatën e skuadrës?
Nuk është çështje përgjegjësie. Unë po ju them se nuk kemi marrë asnjë vendim. Klubi drejtohej nga z.Babasi, të cilin e falënderoj për aq sa ka dhënë për Tiranën dhe unë e Halili vetëm sa kemi dhënë paratë. Tani gjërat janë ndryshe, dhe unë ju siguroj se po bëjmë lëvizjet e duhura që kjo skuadër të arrijë objektivin e vet primar: mbijetesën.
Sa kohë do vijojë ky lloj bashkëpunimi në krye të Tiranës?
Është një projekt afatgjatë, që shkon natyrisht përtej këtij sezoni. Sigurisht ne jemi biznesmenë dhe do dëshironim që një ditë, kur të vijë ajo ditë, kur klubi të kthehet në shoqëri aksionare, të bëjmë pjesë aty së bashku edhe me të tjerë që mund të vijnë.
Dakord, por edhe ky sponsorizim duhet të ketë një fund, apo jo?
Po, sigurisht. Jua thashë që jemi biznesmenë dhe nuk jemi qeveria. Ne do të kontribuojmë që Tirana të ngrihet në nivelet e kërkuara nga të gjithë dhe më pas do të shohim që të jemi edhe ne pjesë e kësaj familjeje të madhe. Megjithatë, primare për momentin është shpëtimi i sezonit, ndaj së bashku me z.Halili, me administratorin dhe trajnerin do mundohemi që të bëjmë një skuadër të denjë për të bërë një pjesë të dytë të kampionatit shumë herë më të mirë.

MaganiMagani: Duhen sulmues, aleancat s’më frikësojnë
Trajneri i Tiranës, Gugash Magani, ka vlerësuar dy afrimet e para: Ilion Likën dhe Ivan Deliçin, por nuk ka lënë pa theksuar faktin se ekipit të tij i duhet akoma lojtarë, kryesisht në sulm. Sipas tij, Tirana ka vuajtur në këtë sektor, ndaj duhen futbollistë me eksperiencë për të shpëtuar sezonin. “Një trajner ndihet komod kur ka një organikë të pasur dhe, në këtë këndvështrim, unë mund t’ju them se kam marrë garanci nga donatorët se do të vijnë edhe disa lojtarë të tjerë dhe se grupi do të jetë më i kompletuar. Sot prezantojmë Likën, një lojtar me eksperiencë, ku sipas meje ka në dorë 50% të skuadrës, por edhe Deliç, një lojtar që e njoh që nga koha kur luante për Vllazninë. Sa i përket mbijetesës, jam i bindur se do ia arrijmë. E kam thënë edhe herë të tjera se nuk do të vija në drejtim të Tiranës, nëse nuk do ta besoja se kjo skuadër i ka mundësitë për t’u ringritur. Situata nuk është ndër më të mirat, por besoj se ditë më të mira na presin. Unë personalisht do të kisha dëshirë që të kisha përforcime në sulm, duke qenë se aty kemi vuajtur edhe më shumë. Në 16 javë kemi bërë 5 gola, shifër që nuk i shkon fare përshtat një skuadre të madhe si Tirana”, – ka thënë Magani. I pyetur nëse ai u frikësohet aleancave të klubeve të tjera në pjesën e dytë të sezonit, të cilat do të ndikonin negativisht te Tirana, Magani u përgjigj: “Edhe aleancat janë pjesë e lojës, çka nuk mund ta mohoj. E di që neve mund të na ndikojnë negativisht, por unë them se përpara se të mendojmë se ç’mund të bëjnë të tjerët, duhet të fitojmë ndeshjet tona. “, – ka përfunduar Magani.

FerrajOfertë nga Tirana, edhe Ferraj drejt rikthimit
Edhe Nertil Ferraj pritet të rikthehet te Tirana. Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurta në klubin bardheblu, sipas të cilave në adresë të lojtarit tashmë është bërë një ofertë e mirë financiare. Mësohet se futbollistit i janë dhënë 15 milionë lekë (të vjetër) për deri në fund të sezonit, ose më mirë 3 milionë lekë në muaj rrogë neto për të kontribuar gjatë kësaj kohet për skuadrën kryeqytetase. Por lojtari do duhet më së pari të zgjidhë problematikën me klubin aktual, Kastrioti. Mësohet se drejtuesit krutanë nuk janë aq “të zellshëm” për ta lënë lojtarin të largohet, duke qenë se gjatë pjesës së parë të sezonit ai ka treguar një nivel të mirë loje. 26-vjeçari luan në mesfushë si në krah të majtë dhe në të djathë, aty ku trajneri Magani ka kërkuar përforcime. Aktualisht në rolin e Ferrajt te Tirana luan Çaushaj, por ky i fundit nuk ka bindur me lojën e tij, të paktën deri në këto 16 javë kampionat, ndaj te Tirana duan të sigurohen jo vetëm në mbrojtje dhe në sulm, por edhe në lojën nga krahët. Kujtojmë që Ferraj e ka nisur karrierën në 2005-ën te Dinamo, skuadër me të cilën luajti për tetë sezone, deri në 2011-ën, kur blutë e kryeqytetit ranë një kategori më poshtë. Më pas ai kaloi te Tirana, ku e pati disi të vështirë të fitonte një rol titullari të padiskutueshëm, kjo edhe për shkak të dëmtimeve të shumta që ka qenë i detyruar të kalojë. Megjithatë ai vlerësohej shumë nga ish-trajneri bardheblu, Hulian Rubio. Në fund të sezonit të shkuar ai u largua nga klubi dhe në gusht firmosi një kontratë sezonale për Kastriotin e Krujës, me të cilin ka zhvilluar deri tani 15 ndeshje dhe shënuar edhe dy gola.

Alimehmeti“S’rrezikojmë prej borxheve, i paguajmë”
Tirana nuk rrezikon prej borxheve. Të paktën kështu pohon administratori i klubit, Krenar Alimehmeti. Sipas tij, janë marrë masat që të paguhen të gjitha detyrimet. “Tirana nuk rrezikon prej borxheve. Bashkia është vënë në dijeni prej kohësh për këtë gjë, ndaj ka vënë në dispozicion një fond të veçantë për pagesat e borxheve. Në këtë mënyrë, edhe nëse na vijnë ultimatume nga FIFA për lojtarë që u kemi borxhe, do ta zgjidhim menjëherë problematikën dhe klubi në këtë pikë nuk do rrezikojë fare”, – ka thënë dje gjatë prezantimit të lojtarëve Alimehmeti. Kujtojmë që jo më larg se një javë më parë, FIFA e pat “kërcënuar” Tiranën për çështjen “Heples”. Në zyrat e klubit erdhi një tjetër shkresë, e cila i paralajmëronte bardheblutë ta shlyejnë këtë futbollist. Klubi i detyrohet 67 mijë dollarë mesfushorit nga Bahamas. Këto parà duhet që të dërgohen në llogarinë e Kameron Heples në kohë, në të kundërt do të jenë ndërkombëtarët që do të futen në lojë. Pesë mijë franga është gjoba që rrezikojnë kryeqytetasit, veçmas shumës që duhet t’i japin lojtarit. Përveç Heples, klubi ka borxhe ndaj Zizoviçit, Gvozdenoviçit, Pejiçit, klubit hungarez Debreçen etj.

Merkato, ja ku synojnë bardheblutë
Te Tirana kërkojnë ende lojtarë, por tanimë drejtuesit janë fokusuar në mesfushë dhe sulm. Kështu, në ambientet e klubit flitet për një interesim për Bekim Kulin. Mesfushori i Bylisit është në planet e skuadrës kryeqytetase, madje nga sa mësohet është kontaktuar nga bardheblutë. Ndërkohë, është hequr dorë nga Mihani dhe Korreshi, pasi Lushnja kërkonte 15 milionë lekë për kartonët e tyre. Nga ana tjetër, pritet përgjigjja përfundimtare e Salihit, si dhe vijojnë tratativat për Stojkov e Taianan. Në bisedime janë gjithashtu edhe me mesfushorin kenian Francis Kahata, si dhe kosovarin e Besës, Argjend Mustafa, pa lënë mënjanë edhe Migen Memellin.

Morina në klub, por s’prezantohet
Në zyrat e klubit të Tiranës ka qenë i pranishëm dje edhe Mario Morina. Ky i fundit doli për herë të parë në stërvitje që pas largimit nga Skënderbeu. Për të është një rikthim në skuadër, pasi sulmuesi ka dalë pikërisht nga shkolla bardheblu. Por ai nuk u prezantua dje sikundër Deliç e Lika, për faktin se drejtuesit kanë preferuar që më parë të marrin edhe dokumentacionin nga klubi korçar dhe më pas ta nxjerrin lojtarin para mediave si afrim zyrtar. Sakaq, pas konferencës nuk munguan edhe batutat. Donatori Morina e takoi së bashku me Maganin, duke i thënë këtij të fundit me shaka: “Ja edhe kushëriri im”. Nga ana tjetër “Gashi” i jep sulmuesit një shuplakë me shaka, si për t’i treguar lojtarit se për këtë gjë nuk do ta mbajë me hatër.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"