Prezantohet braziliani Gilberto: Flamurtari më bindi. Te Tirana ka pasur probleme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2014 | 8:35

Prezantohet braziliani Gilberto: Flamurtari më bindi. Te Tirana ka pasur probleme

Behari prezanton GilbertonGilberto Fortunato është zyrtarisht futbollist i Flamurtarit. Prezantimi i sulmuesit brazilian është bërë dje në orën 18:00 në sallën e konferencave për shtyp të klubit vlonjat. Sulmuesi është prezantuar para mediave, i shoqëruar nga menaxheri i tij Marcelo Troisi dhe drejtori sportiv i Flamurtarit, Ardi Behari. Braziliani firmosi një kontratë 2-vjeçare me Flamurtarin, ndërsa mendohet se do të përfitojë afro 180 mijë dollarë, pra 90 mijë në sezon. Gjithsesi, klubi nuk pranoi të bënte të ditur shifrën.
Deklarata Sulmuesi 27-vjeçar është shprehur se oferta e Flamurtarit ishte e vetmja serioze që i është bërë nga klubet shqiptare. “Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e Flamurtarit. Në fakt, ky klub më ka ofruar një kontratë joshëse. Mbi të gjitha ishte një kontratë shumë serioze dhe e drejtpërdrejtë. Nuk ishte një ofertë që të më jetë bërë në rrugë mediatike, por drejtuesit e Flamurtarit më kanë kontaktuar në rrugë zyrtare. Pra, ishte e vetmja ofertë që mua më pëlqeu dhe në fund të fundit kishte seriozitet. Pasi prita disa ditë, Flamurtari ishte i vetmi klub që më plotësoi kushtet që kërkoja. E di që jam lakuar nëpër media se më kanë kërkuar edhe ekipe të tjerë, por oferta e Flamurtarit ishte më e përshtatshmja, ndaj unë zgjodha të vijoj karrierën time në Vlorë”, është shprehet fillimisht sulmuesi brazilian. Gjatë prezantimit, ai premtoi se do të japë më të mirën e tij për të arritur objektivat që do të ketë klubi vlonjat. “Jam me fat që do të jem pjesë e kësaj skuadre edhe për një fakt tjetër. Ky ekip ka lojtarë shumë cilësorë dhe që bëjnë diferencën, kështu që më vjen mirë që do të jem përkrah tyre. Unë do të jap maksimumin tim dhe me punë e përkushtim do të bind stafin. Kudo ku kam qenë, unë kam dhënë më të mirën. Këtë do të bëj edhe te Flamurtarit për të arritur objektivat që do të na vendosin drejtuesit. Për mua sot fillon një aventurë e re, nga ku premtoj maksimumin. Flamurtari ishte zgjedhja ime dhe do të shkëlqej këtu”, deklaroi Gilberto, i cili në pjesën e dytë të sezonit të kaluar luajti për Tiranën. I pyetur për ish-skuadrën, braziliani nuk ka preferuar të flasë gjatë, por gjithsesi tregoi një arsye pse nuk pranoi të rinovonte kontratën. “Mund t’ju them se te Tirana ka pasur probleme, të cilat unë sot (dje) nuk dua që t’i bëj publike. Nuk ka pasur asgjë rreth mundësisë së aktivizimit tim atje. Kaq mund të them, asgjë më shumë”, përfundoi Gilberto. Burime pranë tij tregojnë se lojtari mund të ketë një shumë parash pa marrë nga Tirana, por asgjë nuk është e konfirmuar.
Menaxheri Gilberton te Flamurtari e prezanton menaxheri i Partizanit. Mund të duket disi absurde, por dje në konferencën për shtyp, në krah të lojtarit, u shfaq Marcelo Troisi. Ky i fundit, vetëm pak muaj më parë është prezantuar si menaxher i klubit të kuq. Duket se Troisi është larguar nga të kuqtë, ndërkohë që sulmuesi ishte edhe në fokusin e Partizanit.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"