Prezantohet Cungu: Ja si do ta ringremë Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2016 | 17:28

Prezantohet Cungu: Ja si do ta ringremë Vllazninë

cungu ademiArmando Cungu është prezantuar dje si trajneri i ri i Vllaznisë nga zyra e kryetares së Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi. Pas shumë bisedimesh, trajnerit 42-vjeçar i janë plotë- suar të gjitha kërkesat dhe ka rënë dakord që të firmosë një kontratë për 1 vit e gjysmë me të drejtë rinovimi. Ademi ka prezantuar Cungun para bordit të ri të klubit, administratorit të sapozgjedhur, Astrit Gjyrezi, si dhe para lojtarëve. Fillimisht kryebashkiakja ka dashur që prezantimin e Cungut para ekipit ta bëjë pa praninë e mediave. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur pasi gazetarët kanë qenë prezentë, pavarësisht mungesës së dëshirës nga ana e kryebashkiakes. Në këtë takim prezantues, që ka zgjatur afro 20 minuta, fillimisht Ademi ka dhënë garanci për skuadrën dhe trajnerin e ri sa i përket anës financiare. Ndërkohë, teksa pritej që të bëhej edhe formaliteti i firmosjes së kontratës nga ana e Cungut, nuk ndodhi kështu. Nga sa mësohet, administratori i ri, Astrit Gjyrezi, nuk ka ende të drejtën e firmës, pasi më parë ndryshimi në bordin e klubit duhet të miratohet në QKR. Në këto kushte, derisa të kryhet kjo procedurë, zyrtarizimi i kontratës së Cungut do të shtyhet. Gjithsesi, kjo nuk përbën ndonjë problem, pasi është thjesht formalitet dhe vjen për shkak të ndryshimit të administratorëve.

cungu armando

Trajneri i ri

Menjëherë pas prezantimit, Armando Cungu është shprehur optimist për të ardhmen e Vllaznisë. Ai rikthehet në stafin teknik pas katër vitesh, teksa për herë të fundit ka qenë në rolin e zëvendëstrajnerit. Kjo është hera e parë që Cungu vendoset në krye të skuadrës shkodrane. “E kam pasur të vështirë për të pranuar këtë ofertë që më bënë. E shikoj si një detyrë të vështirë, për më tepër në një periudhë të vështirë. Por, me mbështetjen e kryetares Ademi dhe të gjithë faktorëve të tjerë, do të arrijmë që t’ia dalim me sukses. Normalisht që kemi probleme, si çdo skuadër, por jam i bindur se në fund të sezonit do të jemi edhe më mirë. Sigurisht që situata nuk është e mirë, por e theksoj se kam besimin e plotë që së bashku do të arrijmë që Vllaznia të ketë një tjetër fytyrë në pjesën e dytë të sezonit. Unë nuk kam shkopin magjik që ta ndryshoj këtë situatë menjëherë dhe kërkoj nga tifozët e mediat që të më japin kohën dhe mbështetjen e duhur. Vetëm kështu do të dalim nga kjo situatë”, ka thënë fillimisht Cungu. Pak kohë më parë, 42-vjeçari kishte deklaruar se disa nga lojtarët e Vllaznisë nuk e meritojnë që të veshin fanellën e kësaj skuadre. I pyetur dje për emra konkretë të futbollistëve, Cungu dha këtë përgjigje: “Është e vërtetë që e kam thënë një gjë të tillë. Mirëpo, aktualisht ata lojtarë nuk janë më pjesë e ekipit. Drejtuesit kanë vepruar pak shpejt në këtë drejtim. Për pjesën aktuale të ekipit që është momentalisht, jam shumë i kënaqur. Janë djem që i njoh dhe kanë vlerat e tyre. Kam besim tek ata”. Në fund, trajneri i ri i Vllaznisë foli edhe për ndryshimet që mund të bëhen në skuadër. Megjithatë, edhe me këtë kontingjent ai ka besim tek arritja e objektivit minimal që ka Vllaznia: mbijetesa në Superiore. “Merkatoja në këtë periudhë është e vështirë. Ne do të shikojmë që të bëjmë më të mirën e mundshme për të afruar lojtarët që do të na duhen. Nuk do të bëjmë aventura, duke marrë futbollistë për të plotësuar numrin. Gjithsesi, kam besimin e plotë te grupi aktual dhe me ta do ta përballojmë këtë sezon”.

cunguAdemi: Me Armandon plotësuam dëshirën e tifozëve shkodranë

Në fjalimin para skuadrës gjatë prezantimit të trajnerit Armando Cungu, kryebashkiakja Voltana Ademi, fillimisht ka dhënë garanci për kalimin e pagave të prapambetura. Më pas ka vënë theksin te përzgjedhja e bërë nga ana e bashkisë, duke thënë se emërimi i Cungut ka qenë edhe realizim i kërkesave të bëra nga tifozëria shkodrane.

“Mund të them se kemi bërë afrimin e duhur për Vllazninë. Cungun e njohin të gjithë si një ish-futbollist i mirë, e po ashtu edhe si një prej trajnerëve më të mirë në Shqipëri. Këtë përzgjedhje e bëra edhe për shkak të sugjerimeve të tifozëve të shumtë shkodranë. Mendoj se me një përzgjedhje të tillë kemi plotësuar edhe dëshirat e tyre. Cungu është zgjedhja e duhur për ekipin tonë. Sot nis një bashkëpunim që do të jetë afatgjatë dhe jo për një periudhë të shkurtër kohore. Armando do të ketë mbështetjen e duhur edhe për merkaton që mund të bëhet”, ka thënë kryebashkiakja Ademi. Ndërsa ajo ka garantuar edhe njëherë ekipin për mbështetjen financiare. Gjithashtu ka bërë të ditur edhe faktin se bashkia po interesohet për të gjetur donatorë seriozë për të mbështetur Vllazninë në këtë moment delikat.

“Normalisht që situata në klub nuk është e mirë. Megjithatë, ne shpresojmë që gjërat do të rregullohen sa më shpejt për sa i përket të ardhmes. Ekipi ka marrë një garanci financiare dhe një mbështetje nga ana ime. Pranë nesh janë afruar disa donatorë për të ndihmuar skuadrën. Ne do të shikojmë donatorët më seriozë, në mënyrë që Vllaznia të shkojë aty ku i takon. Nuk mund të japim emra konkretë në këtë drejtim, por besoj se do të bëhet diçka e mirë”, ka përfunduar ajo. Vlen të theksohet se një pjesë të mirë të borxheve klubi i ka likuiduar falë mbështetjes së disa donatorëve shkodranë. Vllaznia rrezikoi jo pak të penalizohej me pikë nga FIFA, por arriti t’i likuidonte borxhet në kohë.

ademi cungu Ish-sulmuesi i Cervena Zvezdës emërohet zv.trajner

Ndihmësi i Armando Cungut do të jetë një malazez. Bëhet fjalë për 37- vjeçarin Aleksandar Madzar, i cili është prezantuar dje si zëvendëstrajneri i ri i Vllaznisë. Pas ndryshimeve më të fundit në klub, ku administrator u emërua Astrit Gjyrezi dhe trajner Armando Cungu, pjesa tjetër e stafit teknik do të plotësohet nga malazezi Madzar dhe përgatitësi i portierëve, Avenir Dani. Nuk dihet ende nëse afrimi i Madzar si zëvendëstrajner është një zgjedhje e Cungut apo e bashkisë. Ish-sulmuesi malazez ka mbyllur karrierën tre vite më parë, ndërsa në të shkuarën ka luajtur edhe për Cervena Zvezdën. Nga sa mësohet, së fundmi Madzar ka punuar në Mal të Zi me ekipet e moshave, ndërsa kjo është hera e parë që do të jetë pjesë e stafit të një skuadre të Superligës. Ndërkohë, me shumë mundësi, stafi do të plotësohet edhe me një përgatitës atletik, por që ende nuk ka ndonjë emër konkret.

 

NDRYSHIMET
Administrator i klubit:
Astrit Gjyrezi
Trajner:
Armando Cungu
Zv.trajner:
Aleksandar Madzar
Trajner portierësh:
Avenir Dani

Kalamishi u shkarkua: Bashkia përdori metoda komuniste

Ish-administratori i klubit Vllaznia, Neritan Kalamishi, e cilëson si medotë komuniste shkarkimin e tij. Edhe pse u përfol për një dorëheqje, mësohet se bordi drejtues i klubit e ka larguar nga detyra ish-administratorin. Dje në një prononcim për televizionin lokal “Star Plus”, Kalamishi ndër të tjera ka thënë se i ka kursyer klubit një shumë prej 260 milionë lekësh të vjetra gjatë vitit të kaluar. “Unë nuk kam qenë në Shkodër dhe nuk kam paraqitur ndonjë dorëheqje pranë drejtuesve të bordit. Në vazhdomësi do të marr vesh se si ka ardhur ky vendim për largimin tim. Nuk ndihem mirë për mënyrën sesi po drejtohet sot klubi Vllaznia, pasi ka një mungesë totale të komunikimit. Ndihem i befasuar, pasi bashkia po përdor metoda komunista për shkarkimin tim. Tashmë Vllaznisë po i bëhet një drejtim politik. Unë mund t’i drejtohem edhe prokurorisë për largimin”, – ka thënë fillimisht Kalamishi. Sa i përket emërimit të administratorit të ri, Astrit Gjyrezi, ai është shprehur: “Unë e njoh mirë, e kam mik dhe i uroj suksese. Por, kur emërohet një administrator i ri, unë të paktën duhet që t’i jap dorën dhe t’i uroj suksese. Një gjë e tillë vjen nga mosdija ose nga qëllime dashakeqëse që unë ende nuk i jap dot shpjegim”. Sipas Kalamishit, nuk ka vend për kritika gjatë periudhës që ai ka administruar Vllazninë. “Kemi qenë brenda objektivit, pavarësisht problemeve të mëdha financiare që ka patur. Unë vjet i kam kursyer bashkisë rreth 260 milionë lekë të vjetra vetëm përsa i përket kontratave të lidhura. Edhe këtë sezon nga ana e administratorit nuk është bërë ndonjë dëm ndaj Vllaznisë. Nën administrimin e bashkisë janë ndërruar tre administratorë dhe do të isha i gatëshëm për debat me cilindo në këtë drejtim”, – ka përfunduar ish-administratori. A.Uruçi

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"