Prezantohet Daja: Quhet dështim nëse nuk shpallemi kampionë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 4, 2017 | 14:35

Prezantohet Daja: Quhet dështim nëse nuk shpallemi kampionë

Ilir Daja është prezantuar sot si trajneri i ri i skuadrës së Skënderbeut dhe që në konferencën e parë për shtyp ka bërë të qartë se ka marrë drejtimin e skuadrës me një qëllim të vetëm, titullin kampion. Sipas tij, çdo gjë tjetër do të cilësohet dështim.

Daja

Për emërimin te Skënderbeu

“Ndjehem i vlerësuar se marr ekipin kampion në fuqi pas 6 titujsh radhazi. Por është e vështirë se dihet që objektivi është të dalësh kampion. Po dole, ke bërë detyrën, ndërsa në të kundërt quhet dështim. Vështirësi ka gjithmonë, por të marrësh një ekip kampion në mes të kampionatit, vështirësia shtohet pasi dihet që merkato e janarit është e limituar për të ndërhyrë ku ka nevojë ekipi.

Por Skënderbeu ka kontingjent, ka lojtarë që kanë dalë kampionë disa herë. Do të jetë i njëjti grup, por siç e tha presidenti, nëse do të ketë ofertë për ndonjë lojtar të caktuar, që klubit do t’i sjellë të ardhura financiare, do të mundohemi ta zëvendësojmë. Por vështirësia qëndron se merkato e janarit është shumë e limituar”.

Sa e njeh Skënderbeun

“Unë e kam ndjekur sepse pak kohë ka që jam shkëputur nga Superiorja. Përgjigjen më të saktë mund ta jap në fund të fazës, kur të shoh gjendjen e ekipit, pasi një gjë është ta shoh si kundërshtar, e një gjë tjetër të stërvitësh ekipin”.

Objektivi

“Objektivi është të dalim kampion. I imi si trajner është të marr maksimumin e grupit për të arritur objektivat e klubit”.

Për Tiranën

“Tirana është një cikël i mbyllur, u ndjeva i respektuar te Tirana që fitova simpatinë e tifozëve, atë dua të bëj te Skënderbeu për të fituar edhe simpatinë e tifozëve korçarë. Nuk mund ta mohoj kënaqësinë që më ka dhënë drejtimi i Tiranës, por tani të gjithë potencialin që kam ia kushtoj ekipit që drejtoj sepse koha është e shkurtër dhe duhet të mendoj vetëm për të pa u shpërqendruar”.

daja takaj

Mungesa e golit në Superiore

“Po ju them një statistikë botërore: 85% të ndeshjeve i fiton ekipi që shënon i pari. Pothuajse të gjithë trajnerët mendojnë të bëjnë një mbrojtje të përforcuar dhe tentojnë të fitojnë ndeshjen me episode. Goli mungon qoftë edhe për faktin që është rritur niveli i kondicionit, janë rritur dyluftimet, ka më pak pasime në zonën e golit, apo edhe mungesa e disa sulmuesve si Salihi e Pejiç në skuadra të tjera të Superiores ka bërë që numri golave të jetë më i limituar në këtë kampionat”.

Rivalët në kampionat

“Duke u nisur nga gjysma e parë e kampionatit, besoj se do jenë ato që gjenden më lart në renditje, Kukësi e Partizani, pa mohuar edhe Tiranën që nuk ka distancë të madhe. Besoj se këto skuadra do të luftojnë për pjesën e sipërme të tabelës. Rivaliteteti më i madh do të jetë me këto ekipe”.

Trysnia mbi trajnerët

“Unë kam një filozofi dhe them se është e drejtë se kur një ekip ka sukses të gjithë kanë meritën e tyre, ndaj nëse gjërat nuk shkojnë mirë, pavarësisht se është e lehtë të ndërhyhet te trajneri, të gjithë kanë pjesë faji. Mendoj që ai të mos na shoqërojë, të kemi të gjithë meritë për të arritur objektivat e klubit”.

daja takaj2

Për duelin me Partizanin

“Ajo që mendoj tani është ndeshja e parë e kampionatit, ndaj Flamurtarit. Kur të vijë koha për Partizanin do të mendoj për të”.

Për kohëzgjatjen e kontratës

“Ju e dini që në një ekip nuk më mban kontrata. Do të rri aty derisa puna ime t’i shërbejë ecjes përpara të ekipit, në të kundërt nuk ka nevojë të flasim sa është apo jo kohëzgjatja e kontratës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"