Prezantohet Duro, por Kukësi e nis pa “senatorët”. Mungojnë 6 titullarë në stërvitjen e parë
Më 25 korrik në krye të stolit të Kukësit u prezantua trajneri Shpëtim Duro. Thuajse të gjithë teknikët e mëparshëm janë prezantuar nga presidenti i klubit Safet Gjici, por këtë radhë ndodhi ndryshe dhe Duro u prezantua nga drejtori Nexhipi, pasi kreu i klubit ndodhej me pushime në Turqi.
Duke parë pasionin e presidentit për ekipin, por dhe angazhimin e madh që ai ka, nuk humbi kohë e vetëm disa orë pas kthimit në Shqipëri zhvilloi mbledhjen e parë me trajnerin e ri dhe stafin drejtues. Në orën 08:00 të mëngjesit, në zyrën e kreut të klubit u mblodh stafi, ku kreu i klubit uroi Duron dhe i shprehu besimin e konsideratën për punën e mëparshme.
Por, “dashuria” me presidentin Gjici mbaron shumë shpejt kur punët në ekip nuk shkojnë mirë, por me trajnerin Duro shpresohet jetë ndryshe, e presidenti që pa nisur mbledhja nuk nguroi të bënte batuta me ish-trajnerin e Partizanit, duke iu drejtuar stafit: “Me trajnerin e ri do fitojmë kampionatin, Duro do jetë gjatë te Kukësi”.
Pas një kafeje në barin e klubit, mbledhja vazhdoi në zyrën e presidentit, ku Gjici u njoh me situatën në ekip dhe para stafit uroi trajnerin, i shprehu besimin te kaftësitë e puna e tij: “I urojmë trajnerit të ri mirëseardhjen në skuadër. Besojmë tek aftësitë e Duros, pasi ka trajnuar në klube të mira dhe e ka treguar veten. Tashmë mbetet që të bëjë shumë mirë dhe te ne. Kampionati është objektivi ynë kryesor. Nexhipi duhet të bëjë më të mirën për të ndihmuar trajnerin”.
STËRVITJA E PARË – Trajneri Shpëtim Duro nisi dhe në fushën e blertë punën me ekipin. Verilindorët u zhvendosën nga Pezë Helmesi drejt një kompleksi tjetër stërvitor në afërsi të Petrelës, pikërisht në “Football Republic”.
Trajneri u prezantua para ekipit nga shefi i klubit, Jonuz Hallaçi. Por, seanca e parë stërvitore për teknikun nisi me mjaft mungesa, ku 6 titullarë e ndër ta 2 senatorët nuk ishin pjesë e stërvitjes. Kapiteni Shameti, zëvendëskapiteni Besar Musolli, Ardian Cuculi, Tome Kitanovski, Valdet Rama e Stivi Frashëri munguan. Mund të themi që, edhe pse jo zyrtarisht, portieri Frashëri është thuajse i larguar nga Kukësi, pasi akoma nuk ka asgjë të re në lidhje me kontratën, teksa me dëshirën e të dyja palëve ajo pritet të shkëputet.
Kapiteni Shameti dhe Musolli pritet t’i bashkohen skuadrës në ditët në vijim pasi janë me pushime, ndërsa e njëjta situatë është dhe me Cuculin. Pritet që të tre të mbyllin kontratat e reja. Sa i përket Ramës, “Panorama Sport” zbulon se Kukësi e pret të vijë më 2 gusht. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë.
Në stërvitje është shfaqur dhe një futbollist i ri, Armend Çajani. Mesfushori Çajani karrierën e tij e ka nisur te FC Shkupi që në moshën 6- vjeçare, ku edhe kishte kaluar të gjitha grupmoshat, para se të provonte veten te Vardari i Forinës, pas atij lëndimi të rëndë që e largoi atë nga fushat e blerta për një vit të plotë. Ma pas, ai u bë pjesë e Shkupit e më pas e Genç Kalemler në Turqi. Tashmë, pritet që të jetë dhe zyrtarisht pjesë e Kukësit.
SKERDILAID SULOZEQI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"